Ndërlidhjet

Marrëveshja për emrin mund të fuqizohet dhe pa firmën e Ivanovit?


Presidenti Gjorge Ivanov
Presidenti Gjorge Ivanov

Drejtuesit e institucioneve, që nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri, Zoran Zaev, liderët e partive politike shqiptare dhe faktorë të tjerë, i kanë bërë thirrje presidentit Gjorge Ivanov që ta dekretojë Ligjin e miratuar për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Por, nga kabineti i kreut të shtetit ende nuk ka përgjigje, ndërsa bazuar nga qëndrimet e deritashme, është e vështirë të pritet ndonjë vendim pozitiv. Presidenti ka thënë se marrëveshja që parasheh emrin “Maqedonia e Veriut”, është “antikushtetuese dhe tradhti kombëtare”, ndërsa partia opozitare VMRO-DPMNE ka ngritur padi penale ndaj kryeministrit dhe deputetëve që e kanë votuar, duke i akuzuar “për shitje të interesave nacionale”.

Njohësit e çështjeve politike dhe të drejtësisë thonë se kësaj radhe zgjidhje duhet të ketë pasi refuzimi i presidentit do të thotë edhe dështim i marrëveshjes. Analisti Albert Musliu thotë se Maqedonia nuk mund të mbahet peng për shkak të, siç thotë, inateve të presidentit.

“Gjithsesi, zgjidhjen duhet ta gjejnë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve, pasi Maqedonia nuk mundet të ngelet peng i vullnetit personal të Ivanovit dhe keqpërdorimit të pozitës së tij si president i shtetit. Ai haptazi bën shkeljen e Kushtetutës, e cila e obligon atë që çdo ligj, që votohet për herë të dytë në Kuvend edhe ta dekretojë. Ai këtë nuk e bën dhe ne nuk mund të jemi peng i shkeljes së Kushtetutës nga ana e tij. Zgjidhja duhet të gjendet”, vlerëson Musliu.

(Video nga arkivi: Protestuesit në Shkup kishin djegur Marrëveshjen për emrin, pasi pakti i arritur me Greqinë ishte votuar në fazën e parë në Kuvend. 19 qershor, 2018)

Protestuesit djegin marrëveshjen e emrit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Trandafil Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese thotë për Radion Evropa e Lirë se presidenti nuk duhet të veprojë në bazë të dëshirave të tij, porse ligji dhe Kushtetuta duhet të jenë shtyllat kryesore të vendimeve, qoftë për marrëveshjen për emrin apo vendime tjera të Kuvendit.

“Nuk ka dilema se presidenti është i obliguar të nënshkruajë ligjin pas votimit të dytë në Kuvend. Nuk është dëshira e tij se do apo nuk do, ai është i obliguar ta respektojë Kushtetutën, e cila në rastin konkret e obligon që ligjin ta dekretojë. Këtë ai nuk e bën dhe këtu vijnë në shprehje inatet mes dy grupeve, manifestimi i forcës e jo i respektimit të obligimeve para aktit më të lartë juridik në vend”, thotë Ivanovski.

Sipas tij, ligji mund të publikohet në “Gazetën zyrtare” edhe pa firmën e presidentit duke marrë parasysh se drejtori i këtij institucioni është i zgjedhur nga partitë në pushtet. Ai këtë mund ta bëjë, thotë Ivanovski, por më pas duhet të shihen se si mund të interpretohet kjo në aspektin juridik.

“Se a do të ketë përgjegjësi dhe cila do të jetë, mbetet të shihet. Por, kjo nuk duhej të ndodhte pasi bëhet fjalë për një marrëveshje që ka edhe karakter ndërkombëtar pasi u arrit me shumë mund dhe mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, e cila qëndron fuqishëm pas asaj që kanë arritur dy qeveritë. Janë paralajmëruar edhe nisma për vërtetimin e përgjegjësisë së presidentit, por duke marrë parasysh procedurat e ndërlikuara, kjo edhe më tepër mund ta tensionojë gjendjen në aspekt të përplasjeve politike. Duhet të ketë një zgjidhje, e se cila do të jetë, mbetet të shihet. Përgjegjësia më e madhe u takon institucioneve”, konsideron Ivanovski.

Ratifikimi i marrëveshjes u votua nga shumica parlamentare, e cila përbëhet nga 69 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Maqedonisë. Shumica ka paralajmëruar edhe çështjen e përgjegjësisë së presidenti apo vetos, por për këtë ajo duhet të sigurojë 80 vota apo dy të tretat. Një shumicë prej dy të tretave nevojitet edhe në Gjykatën Kushtetuese ku përgjegjësia e presidentit duhet të vërtetohet në rast të votimit në Kuvend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG