Ndërlidhjet

Masivizohet protesta e studentëve, Qeveria fton për dialog


Protesta e studentëve në Tiranë

Mijëra studentë marshuan në rrugët e Tiranës në ditën e tretë të protestës kundër Qeverisë së Shqipërisë për ngritjen e pagesave të studimeve dhe për cilësinë e arsimit publik.

Nga drejtime të ndryshme të fakulteteve në kryeqytet, por edhe atyre të qyteteve tjera, studentët janë bashkuar para Ministrisë së Arsimit në ditën e tretë të protestës.

Ata kërkuan ulje tarifash, pëmirësim të cilësisë së arsimit publik, përmirësim të kushteve në konviktet ku ata jetojnë si dhe një sërë pikash të tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e tyre në bordet administrative.

Thirrjet e studentëve gjatë protestës në Tiranë
Thirrjet e studentëve gjatë protestës në Tiranë

Krahas protestës studentët po bojkotojnë mësimin në Universitetin e Tiranës dhe universitetet tjera shtetërore në Shqipëri.

“Ne kërkojmë përgjysmim tarife sepese tarifat janë të pabërballueshme për ne si studentë në kushtet e Shqipërisë”, tha një studente në protestë.

“Ajo që kërkojmë është një arsim cilësor që ta sjell një pedagog në auditor”, tha një tjetër student.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes një transmetimi direkt në Facebook, i ka ftuar studentët në dialog, duke thënë se ka shumë për t’u thënë, por edhe duke shtuar se “detyra ime është t’i dëgjoj dhe t’i mbështes”.

Faqja zyrtare në Facebook e kryeministrit Edi Rama

“Si kryeministër, por edhe si protestues i dikurshëm, kam bindjen se duke dëgjuar njëri tjetrin me respekt, qoftë kur jemi qoftë kur s’jemi dakord, dhe në këtë rast duke u bërë bashkë, bashkë për të shtyrë përpara modernizimin e arsimit të lartë në cdo aspekt, ne mund ta përshpejtojmë dhe ta bëjmë shumë më mirë punën kolosale që mbetet ende për t’u bërë në dobi të universitetit”, ka thënë kryeministri.

Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura. Megjithkëtë, protestuesit vazhuan protestën deri në përmbushje të kërkesave tjera.

Ndërsa të premten, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u ka dhënë një shkresë zyrtare protestuesve duke thënë se do të rishikojnë kërkesat e tyre dhe do të ngrisin ekipe punuese për t’i adresuar ato.

“Nuk ka negociata” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, brohoritën studentët pasi panë këtë letër.

Protestuesve të premten u janë bashkuar edhe disa nga pedagogët.

Ervin Goci, profesor në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës tha për Radion Evropa e Lirë se i mbështet kërkesat e studentëve, por sipas tij, ato duhet të kapercejnë nivelin administrativ.

“I mbështes kërkesat e tyre, që për mua duhet të kapërcejnë nivelin administrativ dhe të shkohet në kërkesa për ndryshimin e Ligjit te Arsimit të Lartë. Ligji i Arsimit është origjina e problemit, sepse ligjëron tërheqjen e shtetit si mbështetësi kryesor i arsimit, që në fakt është e Drejtë Kushtetuese”.

Teksa Ministria e Arsimit thotë se tarifat i caktojnë universitetet, zoti Goci pohon të kundërtën, duke thënë se është qeveria ajo që ka caktuar cmimet.

“E vërteta është që autonomia universitare nuk ekziston dhe është në nivelin e banalitetit, sepse vendimet buxhetore i merr Bordi i Administrimit, financimin e përcakton qeveria, ata vënë tarifat tavan dhe e vetmja liri që ne kemi në kushtet e keqfinancimit, është ose të reduktojmë resurset tona, ose të gjobisim studentët me tarifa të larta për të mbajtur veten gjallë. Kjo nuk është autonomi”, tha Goci.

Thirrjet që janë bërë në protestën e së premtes është mbajtja larg e partive politike nga këto protesta. Ata kanë thënë se protesta e tyre lidhet me kushtet ekonomike dhe sociale të tyre dhe nuk ka asnjë ngjyrim partiak.

“Jo politikë, jo politikë”, kanë brohoritur studentët që janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit.

Tarifat vjetore për studentët në universitetet shtetërore të Shqipërisë, varirojnë nga 25 mijë lekë (rreth 200 euro) deri në 40 mijë lekë (rreth 325 euro) në ciklin e parë të studimeve (bachelor).

Ndërsa, për ciklin e dytë të studimeve, sipas profilit që ndjekin, tarifat varirojnë nga 63 mijë (rreth 510 euro) deri në 204 mijë lekë (rreth 1,600 euro).

Këto tarifa konsiderohen të jenë ndër më të lartat në Evropë për universitetet publike, në kohën kur shumë shtete si Gjermania dhe vendet e Skandinavisë kanë hequr tërësisht pagesat për shkollimin publik.

Shqipëria vazhdon të jetë ndër shtetet më të varfëra në Evropë.

XS
SM
MD
LG