Ndërlidhjet

May diskuton në Bruksel shtyrjen e Brexit-it


Kryeministrja Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May, do të kthehet sërish të enjten në Bruksel për t’iu kërkuar liderëve evropianë më shumë kohë, derisa Parlamenti britanik të miratojë marrëveshjen e saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Teksa kanë mbetur vetëm edhe disa ditë, që Britania të shkëputet dhe lidhja prej disa dekadash me bllokun evropian, kolegët evropianë të kryeministres May janë zemëruar me lideren britanike, duke humbur besimin se ajo do të jetë në gjendje të ratifikojë një marrëveshje për BREXIT të rregullt.

Pasi May i ka nisur një letër presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, për t’i kërkuar një shtyrje të këtij procesi deri më 30 qershor, ky i fundit ka thënë se 27 vendet tjera të BE-së mund të miratojnë këtë kërkesë, ashtu që May të ketë kohë t’i bindë ligjvënësit britanikë tejet të pavendosur.

Tusk e ka pranuar se liderët evropianë janë duke vuajtur nga ky proces i BREXIT-it.

“Ju dëshironi që kjo fazë e procesit të BREXIT-it të përfundojë dhe unë pajtohem. Jam me ju në këtë rast”, ka thënë May, duke fajësuar ligjvënësit që janë duke kundërshtuar planin e saj për BREXIT, mirëpo edhe ka insistuar se shtyrjen deri më 30 qershor, nga 29 marsi sa ishte planifikuar paraprakisht, e ka kërkuar me “keqardhje të madhe personale”.

Ligjvënësit britanikë kanë kundërshtuar dy herë marrëveshjen e kryeministres britanike, derisa një votim i tretë këtë javë është penguar nga kryetari i Parlamentit britanik.

* Video nga arkivi: EXPOSE

Brexit-i: Ndodh, nuk ndodh...
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:29 0:00

Megjithatë, Tusk e ka thënë qartë se Evropa dëshiron që May të tentojë sërish të miratojë marrëveshjen e saj.

“Bazuar në disa konsultime, unë besoj se një shtyrje e shkurtër do të jetë e mundshme, mirëpo do të jetë kusht për miratimin e marrëveshjes në Parlamentin britanik”, u ka thënë ai gazetarëve.

Në një samit të Këshillit Evropian të enjten, May do të ketë një mundësi për të diskutuar kërkesën e saj për shtyrje, ndonëse diplomatë evropianë kanë deklaruar se asnjë vendim nuk do të merret deri në javën e ardhshme.

Kredibiliteti

May ka thënë se çfarëdo shtyrjeje përtej muajit qershor, mund të dëmtojë besimin e votuesve.

“Është koha që të marrim një vendim”, është cituar të ketë thënë May, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Mirëpo, Komisioni Evropian ka këshilluar liderët evropianë se do të ishte më mirë që procesi i BREXIT-it të shtyhej deri më 23 maj, kur mbahen zgjedhjet në Parlamentin Evropian, apo që ky proces të shtyhet për të paktën deri në fund të vitit 2019.

Një zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, ka mirëpritur “kërkesën e qartë” të Londrës dhe ka thënë se ajo do të “bëjë çdo përpjekje” për të diskutuar marrëveshjen në samitin e Brukselit.

Megjithatë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se letra e kryeministres May “vetëm shtyn më shumë arritjen e një zgjidhjeje”.

Në Paris, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka pasur një mesazh të ashpër.

“Një situatë kur May nuk është në gjendje të japë garanci dhe besim për strategjinë e saj në takimin e Këshillit Evropian, do të rezultonte me një kërkesë që do të refuzohet dhe me mundësi të mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje”, ka thënë ai në Parlament.

Parlamenti britanik është bllokuar për muaj të tërë në çështjen rreth BREXIT-it, pasi ligjvënësit nuk kanë arritur të vendosin si ta zbatojnë referendumin, ndërkohë që edhe vetë votuesit janë shumë të ndarë në pikëpamje.

Britania tani po përballet me krizë, pasi mund të pasoja katastrofike nëse largohet pa marrëveshje nga partneri i saj më i madh tregtar.

Në letrën e saj, May ka thënë se synon të arrijë një marrëveshje “sa më shpejt që është e mundur”, duke thënë se edhe nëse miratohet ky dokument, do t’i duhet kohë për ta ratifikuar atë.

Mirëpo, në rast se ky dokument refuzohet sërish, Parlamenti britanik nuk ka ide të qartë se çfarë mund të ndodhë më pas.

“Si kryeministre, nuk jam e përgatitur për ta shtyrë BREXIT-in më gjatë se 30 qershori”, ka thënë May teksa ka diskutuar për të ardhmen e shtetit të saj.

Çështja kryesore e diskutimit mbetet kufiri me Irlandën dhe ndikimi që ai mund të ketë në rrafshin ekonomik.

Vendimi për BREXIT ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG