Ndërlidhjet

Mbreti që u dekorua nga sovjetikët dhe amerikanët


Mbreti Michael pritet me duartrokitje pas fjalimit të tij vjetor në Parlamentin në Bukuresht. 25 tetor, 2011

Ai ka drekuar me Hitlerin dhe Musolinin gjatë luftës, por është nderuar me medalje pas përfundimit të saj nga Trumani dhe Stalini. E ka njohur gruan e tij në dasmë të kushërirës së tij, Mbretëreshës [së Mbretërisë së Bashkuar] Elizabeta, por është kujdesur për pula dhe perime si bujk në Angli gjatë viteve në ekzil. Ai ia doli që ta shoh Rumaninë e tij të dashur të lirohet nga dominimi gjysmë-shekullor sovjetik, por është dëbuar nga një qeveri post-komuniste, që ndihej e alarmuar nga popullariteti i tij.

Mbreti i Rumanisë, Michael, i cili vdiq më 5 dhjetor në moshën 96-vjeçare, ishte një rast i veçantë i kontrastit.

Si trashëgimtari më i moshuar nga kreu i shtetit që mbijetoi Luftën e Dytë Botërore, dhe si “patriark” për shumë dekada i një mbretërie në venitje, ai nuk i kaloi vitet e fundit të jetës në njërin nga pallatet mbretërore që kishte mundësi të zgjidhte, por në një shtëpi të vogël me pamje nga liqeni Leman në një fshat zviceran.

Në mars të vitit 2016, Michael njoftoi se do të pensionohej nga jeta publike, ndërsa përgjegjësitë kaluan tek vajza e tij më e moshuar, Princesha Margareta. Në atë kohë, ishte thënë se ai vuan nga leukemia dhe kanceri.

Tashmë me vdekjen e tij, përmbyllet një episod unik i shekullit të 20-të.

Vite më parë, gjatë një intervistë në shtëpinë e tij në Zvicër, sytë e mbretit shkëlqyen teksa rrëfente për konfrontimin e vitit 1944 me diktatorin e frikshëm fashist të Rumanisë, Ion Antonsecu. Dinamika në Luftën e Dytë Botërore kishte ndryshuar në mënyrë dramatike, dhe atë kohë 21-vjeçari që ishte udhëheqës ceremonial i vendit, urdhëroi arrestimin e Antonescut, një ushtar i egër që gëzonte respektin e Gjermanisë naziste të Adolf Hitlerit.

Veprimi i Micheal, që ishte ndërmarrë në bashkëpunim me komplotistë të tjerë, ia mundësoi Rumanisë që të kalojë në anën e forcave aleate [që përfshinin SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën], gjë që pati ndikim të rëndësishëm në luftë.

“Nga ajo çfarë dimë, ne…e shkurtuam luftën për disa muaj,” i pati thënë ai Radio Evropës së Lirë.

“I gjithë fronti lindor në Greqi e Jugollsavi kolapsoi për shkakun tonë”.

Mbreti Michael ishte dekoruar nga udhëheqësi sovjetik Josef Stalin dhe presidenti i SHBA-së, Harry Truman.
Mbreti Michael ishte dekoruar nga udhëheqësi sovjetik Josef Stalin dhe presidenti i SHBA-së, Harry Truman.

Antonescu, që ishte përgjegjës për vrasjen e qindra mijërave hebrenjve dhe romëve gjatë luftës, u ekzekutua në vitin 1946.

Michael është dekoruar edhe nga lideri sovjetik, Josef Stalin, por edhe presidenti amerikan, Harry Truman.

Por, ky fakt nuk e ndihmoi shumë pas përfundimit të luftës, kur Rumania ra nën pushtimin sovjetik, u ndaluan partitë politike, dhe zgjedhjet u falsifikuan për ta instaluar regjimin komunist të imponuar nga Moska.

Micheal, i rrethuar nga trupa besnikë të liderëve të partisë komuniste, u detyrua që të abdikojë nga froni dhe të largohet nga vendi në dhjetorin e vitit 1947. Kur u largua, ai e cilësoi abdikimin e tij si të detyruar, dhe vazhdoi të përdorë titullin “Mbret i Rumanisë”.

Me gruan e tij, Annan, të cilën e takoi në dasmën e kushërirës së tij, Mbretëreshës Elizabeta, ata kanë pasur pesë vajza së bashku.

“Nuk duhet ta harroni”

Jeta e tij në ekzil nuk ishte e lehtë. Ai ka punuar për një kompani të Wall Street, pastaj shërbeu si pilot për të testuar avionë për një kompani për prodhimin e pajisjeve të aeroplanëve. Ai dhe gruaja e tij madje kishin punuar në një fermë në Angli për një kohë, para se të zhvendoseshin në Zvicër.

Siç thoshte ai, përpjekjet e tij ndonjëherë nxitnin vëmendjen e medieve, por asnjëherë ndonjë përkrahje politike, derisa Rumania ishte zhytur në sferën e ndikimit sovjetik.

Vetëm në dhjetorin e vitit 1989 - pas rënies së komunizmit dhe diktatorit rumum Nicolae Ceausescu - u duk se më në fund Micheal mund të rikthehej në shtëpi. Por, autoritetet post-komuniste rumune e mbajtën atë larg, refuzuan t’ia kthejnë nënshtetësinë, dhe kjo posaçërisht për faktin se rreth një milion njerëz e pritën atë në qendër të Bukureshtit gjatë një vizite të shkurtër në vitin 1992.

Më në fund, në vitin 1997, një qeveri pro-perëndimore rumune, e njohu zyrtarisht Micheal si qytetar rumun dhe si ish-lider të shtetit.

Në vitin 1992, ai refuzoi një ofertë për të garuar për postin e presidentit të Rumanisë si i nominuar i opozitës, duke iu shmangur politikës. Për dallim prej tij, kushëriri i tij, Simeon, u zgjodh kryeministër i Bullgarisë në vitin 2001.

Micheal në fund rimori shumë nga pronat e familjes së tij mbretërore, por ai vazhdoi që të kalojë shumicën e kohës në shtëpinë afër liqenit Leman në Zvicër.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në vitin 2009, Mbreti Micheal pati thënë se përkundër vështirësive që ai dhe familja e tij kanë kaluar, ai nuk mban inate personale.

Por, ai nënvizoi që vuajtjet që komunizmi ia kishte shkaktuar popullit rumun nuk duhet të harrohen.

“Sepse dhjetëra miliona njerëz praktikisht u shkatërruan, kanë kaluar nëpër ferr, dhe tashmë papritmas na thonë ‘Mirë, por tashmë ajo kohë ka përfunduar, le ta harrojmë’. Nuk duhet ta harroni,” pati thënë ai.

Përgatiti: Nektar Zogjani
XS
SM
MD
LG