Prej tani e tutje, punimet e seancës i përcjell kolegu Ekremi Idrizi.
Faleminderit që jeni me ne!
Avokati Dixon: UÇK-ja kishte të drejtë t’i arrestonte ushtarët serbë
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, këmbënguli në pyetjen e gjykatësit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte baza ligjore për të paraburgosur ushtarë të ushtrisë së atëhershme serbe gjatë luftës në Kosovë.
“E drejta ndërkombëtare humanitare për konflikte ushtarake parashikon se mund të arrestohen persona që cilëson si rrezik për sigurinë. Kemi cituar edhe shtete të mëparshme që e kanë bërë këtë”, tha Dixon.
Gjykatësi e ndërpreu Dixonit, duke e pyetur nëse UÇK-ja si aktore joshtetërore e gëzonte një të drejtë të tillë.
Dixon iu përgjigj duke thënë se: “Po. Jurisprudenca e ka dëshmuar një gjë të tillë, mund të zbarohet për të dyja, edhe për shtetin edhe për entitetin i cili është pjesë e një konflikti të brendshëm të armatosur”.
Mishetiq thotë se Prokuroria s’e ka vërtetuar se deklarata publike e UÇK-së ka pasur ndikim
Avokati Mishetiq argumentoi se Prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë se deklarata e UÇK-së i ka nxitur njerëzit apo individët të kryejnë krime në Kosovë.
I pyetur nga gjykatësi për deklaratën e tij se Prokuroria nuk ka provuar asnjë lidhje me deklaratave publike të UÇK-së dhe krimeve të pretenduar në aktakuzë, Mishetiq tha: “Po themi që duhet të vërtetojnë diçka, që deklaratat janë përkthyer në efekt, kanë pasur ndikim, të paktën për ndonjë nga krimet e përmendura në aktakuzë. Përndryshe po flasim teorikisht”.
Dixon: Prokuroria s’ka prova se Veseli kishte kontroll efektiv ndaj kujtdo në Kosovë
Mbrojtja e Kadri Veselit tha se mbështetet në boshllëkun e lënë nga Prokuroria për të vërtetuar se klienti i saj kishte çfarëdo lloj kontrolli apo ndikimi ndaj ndokujt në Kosovë për krimet për të cilat akuzohet.
I pyetur nga gjykatësi ta vërtetojë argumentimin e tij se mosprania e Veselit në Kosovë për shumicën e asaj kohe nënkupton se ai nuk kishte kontroll, avokati Dixon tha: “Distanca në vetvete nuk ndryshon detyrimet”.
“Detyrimet ligjore nuk zbehen në vetvete për shkak të distancës, por duhet të pasur parasysh dhe të përqendrohemi nëse kjo ka pasur ndikim praktik. Ne thamë se Prokuroria duhet ta vërtetojë se klienti im, në fakt, ka pasur rol komandues dhe kontroll mbi një individ ndaj ndonjë personi në Kosovë”.
“Veseli nuk ka pasur kontroll efektiv kundrejt askujt në Kosovë. Në praktikë, është e pamundur të vërtetohet se ka pasur komunikime.
“Ju po më pyesni mua nëse kam provë për ta dëshmuar këtë. Jo, nuk ka provë për të treguar se ka pasur komunikime dhe lidhje. Pra, është një rast, një incident që nuk është vërtetuar që ka qenë klienti im në telefon. Vetëm kaq ka arritur Prokuroria”.