Rinis seanca
Të gjithë janë kthyer në sallë.
Fjala është ende për mbrojtjen e Veselit.
Ndërpritet sërish seanca
Ekziston një problem teknik me mikrofonat, andaj seanca e ka ndalur punën edhe për pak kohë.
Rikthehen të gjithë në sallë
Problemi është rregulluar dhe seanca po vazhdon normalisht.
Në pjesën e mbetur të seancës do të jeni me kolegen Mimoza Sadiku.
Vazhdoni të qëndroni me ne!
Dixon flet për pretendimet e ZPS-së për NPK-në
Avokati i Veselit, Rodney Dixon, tha se ZPS-ja nuk ka prova për të mbështetur “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale [NPK] që pretendon kundër klientit tim”.
Ai tha se ZPS-ja ka përdorur një intervistë të Veselit të dhënë në shkurt të vitit 2011 për një media në Kosovë, ku ai ka përshkruar se në fillim nuk kanë pasur detyra të ndara në UÇK, por kontribuonin si të mundeshin. Organizim më i mirëfilltë është bërë pas ardhjes në krye të UÇK-së të Agim Çekut.
Por, Dixon pretendoi se ZPS-ja ka shtrembëruar atë që Veseli ka dhënë në këtë intervistë, duke thënë se kjo po përdoret si provë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së veproi në mënyrë kolektive.
“Klienti im nuk ka thënë që kemi vepruar në mënyrë kolektive. Ai thjesht ka dashur të thotë se ne po punonim së bashku kundër armikut. Ai ka folur për strukturat, për të thënë se kemi pasur më shumë organizim, jo përgjegjësi kolektive”, tha Dixon.
Ai kërkoi nga trupi gjykues që të trajtojë me kujdes peshën e intervistave që janë dhënë shumë kohë pas luftës.
“Nuk ka absolutisht asnjë provë. Kjo në fakt është teori konspirative. ZPS po arrin fundin kur pikërisht përpiqet të tregojnë se këto janë prova që zoti Veseli ka kontribuar për NPK-në”, tha ai.