Mbrojtja flet për SHIK-un
Avokati i Veselit, Rodney Dixon, tha se ZPS-ja ka ngatërruar deklaratat e bëra në intervista pas luftës të Veselit për Shërbimin Informativ të Kosovës, duke i paraqitur si deklarata të bëra për shërbimin zbulim-kundërzbulim të UÇK-së.
Ai tha se ZPS thotë se Veseli kishte udhëhequr aparatin për identifikimin e kundërshtarëve, por Dixon argumentoi se në një intervistë të vitit 2011, kur Veseli ishte marrë në pyetje nga prokurorë, ai fliste për SHIK-un dhe vitin 2000 dhe drejtoritë e këtij shërbimi.
Dixon tha se ZPS pretendon se SHIK-u ka qenë funksional që nga viti 1999, por pretendoi se nuk ka asnjë provë që ky shërbim të ishte funksional asokohe, dhe vetëm kah fundi i këtij viti “nisën të lëviznin gjërat” për këtë çështje.
Avokati i Veselit tha se ky shërbim u krijua pas luftës.
“Provat na tregojnë se gjatë luftës ishte e pamundur ta krijoje këtë strukturë. Trajtimet dhe kontaktet jashtë vendit e ndihmuan në strukturën e mëparshme. Pas Rambujesë, Veseli u largua nga posti i tij si shef i shërbimit ushtarak G2, pranë UÇK-së, dhe bëhet fjalë prill 1999 dhe u bë kreu i SHIK-ut civil. Pra SHIK ishte pjesë e Qeverisë [së përkohshme]”, tha Dixon.
Dixon kundërshton pretendimin se komunikatat e UÇK-së mbështeteshin në informacione nga Veseli
Avokati i Veselit, Dixon tha se ZPS-ja pretendon se komunikatat e UÇK-së mbështeteshin në informacionet e inteligjencës të dhëna nga klienti i tij.
“Nuk ka asnjë pikë prove” për këtë pretendim, tha Dixon.
Ai tha se pretendimi për të krijuar lidhje mes komunikatave dhe Veselit është e vetmja mënyrë që ai të lidhet me krime.
“Por, kjo është një mënyrë dëshpëruese e ZPS për të fajësuar klientin tim dhe nuk jep asnjë provë”, tha Dixon.
Sipas tij, ZPS pretendon ta lidhë Veselin me komunikatën 80, që tha se u lëshua në qershor 1999, kur, sipas Dixonit, Veseli nuk ishte më në krye të shërbimit zbulim-kundërzbulim të UÇK-së.
Mbrojtja: Veseli është tërësisht i pafajshëm
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, kërkoi që klienti i tij të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat, në të kundërtën tha se do të ishte “një padrejtësi e madhe”.
“Veseli meriton një vendim të drejtë dhe të duhur ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Nëse ndodh e kundërta, do të ishte një padrejtësi e madhe”, tha Dixon në fund të fjalës përmbyllëse.
Sipas tij, Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe Prokuroria nuk ka arritur të konfirmojë asnjë akuzë.
“Dhe, nga ana tjetër ka shumë pika që mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm. Ne parashtrojmë që parashtrimi i prokurorisë të hidhet krejtësisht poshtë”, tha ai.
Dixon tha se 155 viktimat e përfshira në këtë rast meritojnë “të gjejnë paqe dhe qetësi”, por shtoi se është gabim që ZPS-ja të ndjekë persona si Veseli, për të arritur qëllimin që të sjellë “qetësi shpirtërore për viktimat”.
Pas mbrojtjes së Veselit, gjatë ditës do të nisë paraqitjen e deklaratave përmbyllëse mbrojtja e Rexhep Selimit.
Mbrojtja e Selimit nis deklaratat përmbyllëse
Pas pushimit, në Hagë ka nisur fjalën përmbyllëse ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit.
Qëndroni me ne!