Ndërlidhjet

Mbyllja e centralit bërthamor në Zaporizhja zvogëlon rreziqet


Një ushtarak rus në një zonë të termocentralit bërthamor Zaporizhja, Ukrainë. Fotografi nga arkivi.

Associated Press

Mbyllja e detyrueshme e centralit bërthamor të Ukrainës – centrali më i madh i tillë në Evropë, por që ishte në rrezik dhe kishte mbetur i gjymtuar nga lufta – e ul dukshëm rrezikun e një fatkeqësie që e ka shqetësuar botën gjatë javëve të fundit.

Reaktori i fundit bërthamor i centralit Zaporizhja, i pushtuar nga Rusia, u mbyll të dielën pasi që aksionet ushtarake ruse në Ukrainë kishin ndërprerë disa herë furnizimet e jashtme me energji elektrike.

Energjia elektrike nevojitet për ta parandaluar mbinxehjen e reaktorëve deri në pikën e shkrirjes, që do të mund ta dëmtonte pjesën rrethuese me beton dhe çelik dhe të shpërndante rrezatim në Ukrainë, Rusi dhe vendet e tjera fqinje.

Që kur zjarri i 5 shtatorit, i shkaktuar nga bombardimet, ndërpreu të gjitha linjat e jashtme të transmetimit në central, reaktori i gjashtë duhej të mbahej në funksionim, edhe pse të kufizuar, për ta fuqizuar ftohësin e reaktorit dhe disa pjesë tjera kyçe të pajisjes për siguri.

Megjithatë, kjo formë e funksionimit nuk është e besueshme dhe është dizajnuar për të qenë vetëm si zgjidhje e përkohshme, thonë zyrtarët ukrainas.

Të dielën u rikthye një lidhje e centralit me rrjetin elektrik të Ukrainës, kështu që energjia e reaktorit të gjashtë nuk i nevojitej më sistemit të sigurisë.

Në vazhdim ua ofrojmë një përmbledhje të rreziqeve, efekteve dhe opsioneve për të ardhmen në rast se linjat e jashtme të transmetimit humben sërish.

A mund të përsëritet Çernobili në Zaporizhja?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:11:04 0:00

Pse u ndal reaktori i gjashtë?

Operatorët ukrainas të centralit Zaporizhja me sa duket morën vendimin se ishte tejet e rrezikshme të vazhdohej operimi i cilitdo prej gjashtë reaktorëve, pasi që lufta në Ukrainë i ka rrezikuar furnizimet e jashtme me energji për ftohje dhe sistemet e tjera të sigurisë.

Por, kur u humb e gjithë energjia nga jashtë, ata e kishin të pamundur t’i ndalnin të gjithë reaktorët. Kjo pasi që u duhej energjia nga të paktën një reaktor për t’i aktivizuar sistemet e sigurisë.

Kur u kthye energjia nga jashtë përmes një linje transmetimi rezervë, ata e ndalën edhe reaktorin e gjashtë – përmes futjes së shufrave kontrolluese në qendër të reaktorit për ta ndalur reaksionin e ndarjes bërthamore dhe prodhimit të nxehtësisë dhe presionit.

Si i zvogëlon rreziqet kjo mbyllje?

Tani që janë ndalur të gjitha reaksionet bërthamore, temperatura dhe presioni brenda reaktorëve fillojnë të ulen gradualisht, duke e zvogëluar edhe intensitetin e nevojshëm të ftohjes me ujë për karburantin radioaktiv. Kjo është forma më e sigurt e operimit për një central bërthamor.

“Mbyllja e tillë e ul jashtëzakonisht shumë rrezikun e shkrirjes”, tha Steven Arndt, president i Shoqërisë Bërthamore Amerikane dhe shkencëtar në Laboratorin Kombëtar Oak Ridge të SHBA-së, në një intervistë të dielën.

Megjithatë, drejtori gjeneral i Agjencisë Ndërkombëtarë të Energjisë Bërthamore (ANEB), Rafael Grossi, tha të dielën se ai mbetet “tmerrësisht i shqetësuar për situatën në central, i cili është burim rreziku për aq kohë sa vazhdojnë bombardimet”.

Çfarë ndodh nëse sërish humbet energjia nga jashtë?

Tani që janë ndalur të gjithë reaktorët, nëse lufta ose ndonjë problem tjetër shkakton sërish humbje të energjisë nga jashtë, operatorët e centralit do të kenë më shumë kohë për ta vendosur një burim rezervë të energjisë për t’i fuqizuar sistemet e ftohjes dhe ngarkesa për këtë sistem do të zvogëlohej, tha Arndt. Kjo pasi që nxehtësia po buron nga një karburant që po prishet e jo nga një reaksion bërthamor aktiv.

“Me çdo orë që kalon, mundësia e shkrirjes së karburantit bëhet gjithnjë e më e vogël”, tha ai.

Sistemet e ftohjes nevojiten edhe për karburantin bërthamor tashmë të shpenzuar, që është karburant i cili veçse është përdorur në reaktorë, por duhet të mbahet nën ujë deri të ftohet mjaftueshëm për t’u larguar nga ndërtesa e mbajtjes së reaktorit në magazina të thata.

Nëse furnizimi me energji të jashtme për centralin Zaporizhja humbet sërish, inxhinierët mund të mbështeten në 20 gjeneratorë rezervë me naftë të ruajtur për raste urgjente, ashtu siç kanë bërë edhe të paktën një herë që nga fillimi i luftës.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ka thënë se, për ta ruajtur sigurinë, nevojitet vetëm nga një gjenerator me naftë për çdo reaktor.

Përderisa autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë mjaftueshëm naftë në rezerva për ta operuar sistemin e sigurisë për të paktën dhjetë ditë, Petro Kotin, kryesues i operatorit të centralit, Energoatom, tha javën e kaluar se “gjeneratorët me naftë janë në fakt mbrojtja e fundit para se të mund të pritet një aksident rrezatimi”.

Të dielën, Arndt dha një vlerësim më pozitiv teksa e komentoi kthimin e furnizimit me energji nga jashtë: “Ne jemi optimistë, por me rezerva, se centrali është në një situatë relativisht e qëndrueshme për shkak të ftohjes nga energjia e jashtme dhe gjeneratorët rezervë me naftë”.

A po shkakton mbyllja e Zaporizhjas ndërprerje të energjisë elektrike?

Përderisa ndërprerjet e energjisë elektrike e kanë ndjekur Ukrainën përgjatë luftës, ato duket të jenë rezultat i bombardimeve të centraleve të tjera dhe infrastrukturës, e jo humbjes së prodhimit nga centrali i Zaporizhjas.

Zëdhënësi i administratës rajonale të Zaporizhjas, Volodymyr Marchuk, tha se fshatrat përreth Enerhodarit, ku ndodhet centrali, janë pa elektricitet shkaku i mbylljes së centralit, por centralet e tjera, si Centrali Hidroelektrik i Dnieprit, janë duke e furnizuar rrjetin elektrik.

Përgatiti: Doruntina Baftiu
XS
SM
MD
LG