Ndërlidhjet

Kush e mori kontrollin e Mianmarit?


Gjenerali Min Aung Hlaing. Foto nga arkivi.
Gjenerali Min Aung Hlaing. Foto nga arkivi.

Shefi i fuqishëm ushtarak i Mianmarit, Gjenerali i lartë, Min Aung Hlaing është në qendër të vëmendjes pasi politikanët nga partia në pushtet, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) u arrestuan dhe ushtria njoftoi se po e merrte pushtetin.

Ushtria e Mianmarit njihet se punon larg syve të publikut dhe madje vëzhguesit e sofistikuar kanë pak informacione për punën e saj të brendshme, shkruan Reuters.

Këtu janë disa fakte kryesore në lidhje me udhëheqësin e saj dhe rolin e fuqishëm të ushtrisë në sistemin politik:

Roli ushtarak në politikë

Ushtria drejtoi Mianmarin për gati 50 vjet, që prej një grusht shteti më 1962 dhe prej kohësh e shihte veten si kujdestaren e unitetit kombëtar.

Si arkitekte e Kushtetutës së Mianmarit së vitit 2008, ushtria parashikoi një rol të përhershëm për veten në sistemin politik. Ajo ka një kuotë të siguruar prej 25 për qind të ulëseve parlamentare dhe shefi i saj emëron ministrat e Mbrojtjes, ata të Brendshëm dhe për Çështjet e Kufirit, duke siguruar një rol kyç në skenën politika, element i cili e ka bërë këtë marrëveshje si një nga marrëveshjet më të çuditshme të ndarjes së pushtetit me NLD-në.

Shumë anëtarë të partisë, përfshirë udhëheqësen Aung San Suu Kyi, për vite me radhë vuajtën nga përndjekjet për shkak të kundërshtimeve që shprehën kundër ish-juntës.

Ushtria merr pushtetin në Mianmar
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Ngritja e ngadaltë dhe e qëndrueshme

Min Aung Hlaing, 64 vjeç, u largua nga aktivizmi politik që ishte përhapur në kohën kur ai studioi për drejtësi në Universitetin Yangon në vitet 1972-1974.

"Ai ishte fjalëpakë dhe normalisht mbante një profil të ulët", deklaroi për Reuters më 2016 një shok i klasës së Min Aung Hlaing .

Përderisa studentët e tjerë iu bashkuan protestave, Min Aung Hlaing bëri kërkesa vjetore për t'iu bashkuar universitetit kryesor ushtarak, Akademisë së Shërbimit të Mbrojtjes (DSA), por ai pati fat që në kërkesën e tretë, më 1974, t’i bashkohej kësaj akademie.

Sipas një anëtari të klasës së tij në DSA, i cili foli me Reuters në 2016 dhe i cili ende e sheh shefin e ushtrisë në ribashkimet vjetore të klasave, ai ishte një kadet mesatar.

"Ai u gradua rregullisht dhe ngadalë", tha shoku i klasës, duke shtuar se ai ishte befasuar kur pa Min Aung Hlaing duke u ngritur përtej gradave mesatare të oficerëve.

Nga ushtar në politikan

Min Aung Hlaing mori drejtimin e ushtrisë më 2011 teksa filloi një tranzicion drejt demokracisë. Diplomatët në Yangon thanë që me fillimin e mandatit të parë të Suu Kyi në 2016, Min Aung Hlaing ishte shndërruar nga një ushtar i heshtur në një politikan dhe figurë publike.

Vëzhguesit vunë re se ai përdorte Facebook-un për të publikuar aktivitete dhe takime me personalitete dhe vizita në manastire. Profili i tij zyrtar tërhoqi qindra mijëra ndjekës para se të mbyllte llogarinë në këtë rrjet social pas sulmit të ushtrisë kundër pakicës myslimane Rohingya në 2017.

Min Aung Hlaing studioi tranzicione të tjera politike, thanë për Reuters diplomatët dhe vëzhguesit dhe ai ka bërë shumë për të shmangur kaosin e parë në Libi dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, pas ndryshimit të regjimit në 2011.

Komandanti i përgjithshëm nuk ka treguar kurrë ndonjë shenjë se ishte i përgatitur të hiqte dorë nga 25 për qind e ulësve të ushtrisë në parlament dhe as të lejonte ndonjë ndryshim të klauzolës në Kushtetutë që ndalon Suu Kyi të bëhet presidente.

Kushtetuta ia ndalon asaj që të jetë presidente sepse ka fëmijë që kanë shtetësi të huaj, mirëpo 75-vjeçarja është parë si lidere de fakto.

Ankesat e fundit nga ushtria, për parregullsitë në listat e votuesve për zgjedhjet e përgjithshme të 8 nëntorit të vitit 2020, të cilat, siç pritej, i dhanë një tjetër fitore të madhe partisë së Suu Kyi, janë shoqëruar me komente të fshehta rreth heqjes së statutit.

Min Aung Hlaing zgjati mandatin e tij në krye të ushtrisë për pesë vjet të tjera në shkurt të vitit 2016, një hap ky që habiti vëzhguesit, të cilët prisnin që ai të largohej atë vit nga drejtimi i ushtrisë, pasi atë vit ishte paraparë riorganizimi i udhëheqësish së ushtrisë.

Sanksionet

Një goditje ushtarake e vitit 2017 në Mianmar, detyroi më shumë se 730,000 myslimanë Rohingya të shkonin në Bangladeshin fqinj. Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se operacioni ushtarak i Mianmarit përfshinte vrasje masive, përdhunime në grupe dhe zjarrvënie, dhe u cilësua si një “synim për gjenocid”.

Mylimanët Rohingya duke u larguar për në Bangladesh. Shtator, 2017.
Mylimanët Rohingya duke u larguar për në Bangladesh. Shtator, 2017.

Si përgjigje ndaj kësaj, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Min Aung Hlaing dhe tre udhëheqësve të tjerë ushtarakë më 2019, kurse disa lëndë gjyqësore në gjykata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ende po shqyrtohen.

Gjithashtu më 2019, hetuesit e OKB-së kërkuan nga udhëheqësit botërorë të vendosnin sanksione financiare, që do të kishin në cak kompanitë e lidhura me ushtrinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG