Ndërlidhjet

Ministrja e Jashtme gjermane thotë se Rusia mund të përdorë “njerëzit si armë”


Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock. Fotografi nga arkivi.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, paralajmëroi të shtunën se Rusia mund të përpiqet të nxisë përçarje në Perëndim përmes refugjatëve, pasi Moska kërkon të zgjerojë "luftën hibride".

"Kjo luftë nuk bëhet vetëm me armë, po bëhet edhe me energji dhe për këtë kemi gjetur një përgjigje. Por do të bëhet edhe me frikë dhe përçarje, dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të parandalojmë", tha ajo në një kongres Partisë së Gjelbër.

"Në këtë situatë është e qartë se çfarë do të ndodhë më pas - refugjatë dhe jo refugjatë nga Ukraina... por për shkak se kjo luftë është hibride, vende të tjera po marrin pjesë gjithashtu", tha Baerbock, duke përmendur Serbinë të cilën ajo e akuzoi se kishte futur në aeroplanë migrantë pa viza.

Duke theksuar se nuk mund të ketë një situatë "ku njerëzit po përdoren si armë", ministrja tha se Gjermania është në bisedime me Republikën Çeke dhe Sllovakinë për këtë çështje.

Gjermania javët e fundit ka paralajmëruar për regjimin e udhëtimit pa viza të Beogradit për disa vende, qytetarët e të cilëve përdorin Serbinë si trampolinë për të hyrë në BE.

Serbia, një kandidate për anëtarësim eventual në BE, shtrihet në të ashtuquajturën rrugë ballkanike të përdorur nga emigrantët që shkojnë drejt Evropës Perëndimore, ndërsa ikin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë.

Edhe pse rruga nuk është aq e ngarkuar sa ishte gjatë krizës së emigrantëve në Evropë në 2015, dhjetëra mijëra ende kalojnë nëpër rajon çdo vit.

Gjermania pranoi mbi një milion emigrantë gjatë krizës së vitit 2015, por kjo masë la ekonominë më të madhe të Evropës thellësisht të ndarë. Dyshimet midis disa votuesve përfundimisht rezultuan në ardhjen e partisë së ekstremit të djathtë (AfD) në parlament.

Raporti i Komisionit Evropian për migracionin dhe azilin për vitin 2022 i publikuar këtë muaj zbuloi se një "numër në rritje njerëzish" po mbërrinin përmes udhëtimeve me aeroplan në Serbi për shkak të "regjimeve të saj pa viza".

XS
SM
MD
LG