Ndërlidhjet

Ministrat me aktakuzë, shembull i dobët i zbatimit të ligjit


Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës
Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës

Përballja e ministrave në Qeverinë e Kosovës me aktakuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion, nga shoqëria civile po konsiderohet si një prej dëshmive më të këqija të qeverisjes.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë nga radhët e opozitës thonë se ministrat e akuzuar duhet të largohen nga pozitat e tyre, pasi që nuk mund të ketë qeverisje të mirë nga personat që janë të përfshirë në afera korruptive.

Ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekajt, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, i është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, një aktakuzë në lidhje me rastin e njohur si “Pronto” është ngritur edhe kundër ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj.

Asnjëri prej tyre nuk ka aktakuzë për punën si ministër aktual, por sidoqoftë, procedurat aktuale shihen si pengesë për ta në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive si ministra.

Në Kosovë janë edhe një numër i personave të tjerë që mbajnë pozita zyrtare e të cilat janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Edhe në të kaluarën në Kosovë pati pasur padi ndaj një ministri dhe një sekretari të përgjithshëm në një Ministri. Por, që në atë kohë menjëherë pas aktakuzës, ministri Ferid Agani pati dhënë dorëheqje.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se në asnjë formë njerëzit që janë të akuzuar për vepra penale nuk mund të japin një shembull të mirë të zbatimit të ligjit në institucione ku janë udhëheqës.

“Fakti i ngritjes së aktakuzave tashmë është shndërruar në dukuri në qeverisjen e Kosovës, tash më shumë kemi ministra me aktakuzë sesa që kemi femra që janë të përfaqësuar si ministre në Qeveri. Kjo është një prej dëshmive dhe mesazheve më të këqija të qeverisjes, sepse qeverisja e mirë nuk mund të vijë nga personat që kanë aktakuza, prandaj të njëjtit do të duhet të reflektonin për të dhënë dorëheqje për të dhënë mesazhe nëse duan të kenë qeverisje të mirë”, thotë Musliu.

Musliu shton po ashtu se edhe Prokuroria shpesh ngritë aktakuza për të krijuar një imazh se po luftohet korrupsioni.

“Pra kjo është një ndërlidhje e vet sistemit të drejtësisë, i cili është i ndikuar të ngrejë aktakuza vetëm atëherë kur ka mesazhe nga ana e politikës”, thotë Musliu.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur për rastin e ministrave për të cilët janë ngritur aktakuzë tha se është e hershme marrja e ndonjë vendimi të Qeverisë së Kosovës për këta ministra.

“Ajo që është një tregues i interesant është fakti që askush sot nuk po mund të i ikë ligjit. Vet shpallja e aktakuzave ndaj kujtdo qoftë, po dëshmon një nivel tjetër të gjendjes në rend dhe ligj, mirëpo edhe veprimet në rast të shpalljes së aktakuzës janë bazuar në ligj. Një gjykatë e cila nuk e ka shqyrtuar atë aktakuzë është e hershme marrja e vendimit tonë lidhur me këtë”, thotë Haradinaj.

Të zëshëm ndërkaq janë deputetët e opozitës. Deputeti Lumir Abdixhiku nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes rrjetit social Facebook ka komentuar deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Ai ka shkruar se niveli përfaqësues në institucionet e vendit nuk ka qenë kurrë më i ulët se kaq.

“Me aktakuzë për kapje e korrupsion janë 3 ministra të Qeverisë, një deputet dhe një këshilltar i Kryetarit të Kuvendit. Deri më tani asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim, asnjë përgjegjësi. Krimi trajtohet si krejt i zakonshëm. Udhëhiqemi nga njerëz që gojën e kanë plot me fjalë për drejtësi, por rreth vete mbajnë njerëz me aktakuzë për krim e ndikim parapolitik. Niveli përfaqësues i yni s’ka qenë kurrë më i ulët se kaq”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Në kuadër të angazhimeve për fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, të premten Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt Kodin e ri Penal të Kosovës me të cilin janë paraparë dënime më të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike.

Me ndryshimet e bërë ministri i Drejtësisë, Abelarad Tahiri thotë se i është dhënë një përgjigje e fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive në nivelin e ushtrimit të detyrës zyrtare.

“Pra, kemi të bëjmë më një politikë e cila është mjaft ndëshkuese ndaj çdo dukurie që ndërlidhet me keqpërdorimin e parasë publike. Kodi i ri Penal ka të bëjë me zgjatjen e parashkrimit të afateve të lëndëve që lidhen me keqpërdorimin e parasë publike, me avancimin e të drejtave të njeriut... Po ashtu çështja e terrorizimit është trajtuar në këtë kod, janë 20 nene të reja që e trajtojnë këtë çështje”, thotë Tahiri.

Megjithatë, sipas Betim Musliut në Kosovë se nuk është problemi tek legjislacioni për luftimin e korrupsionit, problemi është tek bartësit e funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, të cilët, siç thotë ai, janë të ndikuar nga politika’.

“Projekt Kodi i ri Penal ka ashpërsuar politikën e dënimeve, por ajo që ne kemi gjetur vazhdimisht si rezultat i monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë është se nuk ka faj aspekti legjislativ por faktori njeri, pasi që edhe me këto dënime që janë sot do të mund të ndiqej dhe gjykohet kushdo që përfshihej në vepra penale të korrupsionit”, thotë Musliu.

Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion me Kodin e ri Penal i cili pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2019, janë rritur dhe janë propozuar amendamente të reja që i ndalojnë personave të dënuar për korrupsion që të ushtrojnë pozita dhe funksione në administratën publike, në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e aktgjykimit dënues.

XS
SM
MD
LG