Ndërlidhjet

Kumbaro: Politika eklipsoi shfaqjet kulturore


Ministrja e Kulturës në Qeverinë e Shqipërisë, Mirela Kumbaro
Ministrja e Kulturës në Qeverinë e Shqipërisë, Mirela Kumbaro

Mirela Kumbaro është ministre e Kulturës në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kumbaro flet për prioritetet e saj nga fusha e kulturës.

Ndërkohë që inkurajon thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se të dyja vendet nuk mund të krenohen me shkallën e deritashme të këtij bashkëpunimi.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Kumbaro, në programin qeverisës për këtë mandat, cilat janë prioritetet në dikasterin që udhëhiqni ju?

Mirela Kumbaro: Unë kam fatin dhe përgjegjësinë në të njëjtën kohë, barrën e madhe, që të jem ministre e Kulturës për të dytin mandat rresht. Duket sikur është vetëm një shans, por në fakt unë e përjetoj si një përgjegjësi shumë të madhe sepse në mandatin e parë, ndonëse patëm shumë vështirësi në fillim, mendoj që kemi bërë arritje të mëdha, siç ishte ndërtimi i katër muzeve të rinj, siç ishte hapja e katër kantiereve të reja teatrore, siç ishte hartimi – miratimi dhe futja në fuqi tashmë me sukses i një ligji shumë të vështirë për mbrojtjen e të drejtave të autorit, por që është një ligj që na bën të ndjehemi krenarë sepse është krejt në harmoni me standardet evropiane dhe të tjera punë të mira që besoj kemi kryer bashkë me gjithë ekipin e kulturës. Mirëpo, në një mandat të dytë, vështirësia në radhë të parë vjen sepse tashmë na duhet të krahasohemi me vetveten dhe të rrisim standardet dhe cilësinë dhe të sigurojmë stabilitetin e produkteve të politikave tona kulturore.

Edukimi përmes kulturës

Qeveria e Shqipërisë në këtë mandat të dytë i jep një rëndësi shumë të madhe edukimit përmes kulturës. Sepse produktet kulturore, edhe politikat edhe njerëzit e kulturës nuk mund të jenë një produkt luksi vetëm për disa, nuk duhet të jetë një mundësi për disa të zgjedhur; duhet të jetë një mundësi e barabartë për të gjithë. E theksoj që vendet tona në rajonin e Ballkanit kanë një nevojë të jashtëzakonshme për edukim dhe kulturim. Unë besoj që është investimi më i rëndësishëm që mund të bëhet. Investimet ekonomike pa dyshim janë të rëndësishme dhe afatgjata por nuk i japin menjëherë efektet e tyre, dhe janë shumë më të komplikuara. Por, ato nuk do të marrin vlerë në qoftëse nuk kemi njerëz, shoqëri të emancipuara. Dhe emancipimi nuk vjen domosdoshmërish vetëm nga ekonomia. Emancipimi vjen nga investimi mendor, intelektual, kulturor dhe arsimor. Kjo nuk mund të bëhet vetëm në kryeqendrat – Prishtina, Tirana e tjera– kjo duhet të bëhet në gjithë territorin ku jetojnë njerëzit tanë. Dhe si e tillë, si ministër i Kulturës së gjithë shqiptarëve dhe gjithë Shqipërisë, unë nuk mund të mendoj vetëm për Teatrin e Operas dhe Baletit.

Kjo është arsyeja pse Qeveria “Rama 2” mendon që produktet tona kulturore duhet të luajnë një rol të fortë edukativ, një rol emancipues, duke u shtrirë në gjithë territorin dhe duke u dhënë mundësinë të gjithë brezave dhe të gjithë shqiptarëve që të marrin jo vetëm kënaqësi estetike, por të jetojnë kulturalisht çdo ditë. E tillë ndodh jo vetëm duke e parë një film apo duke shkuar në një shfaqje. Kjo ndodh në radhë të parë duke u kujdesur dhe duke investuar që infrastruktura të ketë aspektin e vet estetik.

“Rilindja Rurale”

Në mandatin e parë ne kemi pasur një program shumë të suksesshëm që ishte “Rilindja Urbane”, që konsistoi në një investim të fuqishëm në pothuajse të gjitha qendrat e qyteteve shqiptare, jo vetëm ato që janë të mëdha, por edhe qytete ku praktikisht dukej se nuk kishte më arsye për të jetuar – qytete për të cilat nuk flitet asnjëherë si Erseka, si Lushnja, Shijaku, Kavaja, Përmeti, që në fakt kur i shikon nga afër janë jo vetëm qendra ku banojnë shqiptarët, por janë vende me potenciale të jashtëzakonshme, kulturore, të trashëgimisë kulturore, natyrore, bujqësore që jo vetëm kanë potencial nëse investohet me inteligjencë për ekonominë e këtyre vendeve, por edhe tërheqje në turizëm.

Investimi i “Rilindjes Urbane” bëri që të kthehet vëmendja drejt qyteteve që ishin të harruara nga harta e investimeve shqiptare për 25 vite dhe bën që të kthehet vëmendja edhe e investitorëve privatë. Pra, ne nuk e mendojmë që kultura është vetëm një çështje e shtetit, ne mendojmë që shteti, pra Qeveria ka detyrën të zhvillojë politika të tilla në të cilat të përfshijë qoftë pushtetin vendor, qoftë aktorët lokalë, qoftë bizneset. E konsiderojmë këtë marrëdhënie partneriteti shumë të rëndësishme.

Në këtë mandat të dytë po kalojmë drejtë “Rilindjes Rurale”, pra e shtrijmë këtë program edhe në fshatra. Praktikisht ne shumë afër do të prezantojmë një projekt të madh me Ministrinë e Bujqësisë, me Ministrinë e Turizmit dhe me Ministrinë e Infrastrukturës për rrjetin e 100 fshatrave, modele të integruara zhvillimi ku trashëgimia kulturore, agro-turizmi, promovimi turistik dhe krijimi i rrjetit infrastrukturor do të krijojnë një model të ri zhvillimi edhe në zonat rurale ku ne mendojmë që kemi një potencial shumë të madh njerëzor dhe një potencial shumë të madh turistik të pashfrytëzuar.

Bujqësia në Shqipëri nuk mund të jetë vetëm për mbijetesën e fshatarëve, apo të fermerëve, por duhet të jetë një burim ekonomie dhe e kombinuar me trashëgiminë kulturore, kuptojmë kështu që kultura është ekonomi në vetvete.

Muzeu Historik Kombëtar

Nga ana tjetër, mendojmë se kemi një aspekt shumë të rëndësishëm ku ne duhet të vazhdojmë me investime të cilat i kemi nisur në mandatin e parë. Një nga prioritetet e mëdha në investimet kulturore në këtë mandat është Muzeu Historik Kombëtar që është, le të themi, institucioni më i rëndësishëm kombëtar që ne kemi në fushën muzeale. Duhet ta pranojmë që është i tejkaluar qoftë nga pikëpamja e përmbajtjes, qoftë nga pikëpamja e vetë ngrehinës, qoftë nga pikëpamja e mënyrës se si përdoret dhe se si tregohet historia dhe se si përdoret dhe se si tregohet historia. Se si përdoret apo nuk përdoret për atë që ne e mbajmë prioritet – edukimin. Është një muze i viteve 80, i ndërtuar dhe i organizuar në shërbim të një ideologjie të caktuar dhe të një versioni të caktuar të tregimit të historisë së shqiptarëve, që në pikëpamjen time, nuk është historia e Shqipërisë që unë do të doja t’ua mësoja fëmijëve të mi.

Kjo është arsyeja pse kemi filluar organizimin e një konkursi shumë të madh ndërkombëtar ku duam të ftojmë studio ndërkombëtare me të cilat të ndërtojmë një projekt të rehabilitimit të jo vetëm asaj godine të madhe në mes të Sheshit Skenderbej e cila është e pashfrytëzuar si duhet, për të krijuar një hapësirë komunikuese social-kulturore midis muzeut dhe vet Sheshit Skenderbej, të cilat sot nuk komunikojnë. Në Sheshin Skenderbej ne kemi bërë një investim të madh ku ka tërë kohën jetë social-kulturore dhe një muze që duket si dinozaur. Ideja jonë është që ky muze të hapë dhe të ofrojë mundësi për aktivitete tjera social-kulturore, që nga kënaqësitë më të vogla, siç është të konsumosh një kafe, deri tek blerja e librave, deri te zhvillimi i koncertit, por duke riorganizuar – dhe kjo është, le të themi, zemra e projektit - gjithë hapësirën muzeale në një linjë të re. Në një linjë të tregimit të historisë së qytetërimit të njerëzve që kanë jetuar në këtë vend prej shekujsh. Dhe njerëzit që kanë jetuar në këtë vend prej shekujsh nuk kanë bërë vetëm luftëra, siç të lë përshtypje muzeu sot. Ata kanë punuar tokën, janë zbukuruar, kanë ndërtuar shtëpi, janë veshur, kanë dashuruar, kanë rite mortore, martesore apo fetare. Kanë kryqëzuar fetë, kulturat, kanë folur gjuhë të ndryshme, dhe në fakt është ky diversitet qytetërimesh kulturore që bën historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Teatri i Operës dhe Baletit

Një tjetër projekt i madh investues është padyshim përfundimi i kantierit më të madh të ndërtimit të një teatri, që është Teatri i Operës dhe Baletit që parashikohet të përfundojë në vitin 2020. Edhe ai është një investim gjigant, por edhe shumë i rëndësishëm, sepse projekti që ka filluar të zbatohet propozon standarde shumë të larta për sa i përket kushteve, jo vetëm për artistët, që në fakt është institucioni më i rëndësishëm kombëtar që ne kemi për artin skenik, por edhe për publikun dhe për t’u futur ne këtë hapësirën e madhe të Sheshit Skenderbej, ku midis Muzeut, Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Sheshit Skenderbej, krijohet një qendër e vërtetë kulturore në metropolin shqiptar.

Radio Evropa e Lirë: Me Kosovën keni nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës. Si shkon ky bashkëpunim?

Mirela Kumbaro: Në 2014-n ne morëm iniciativën me Qeverinë e Kosovës që ta forcojmë dhe ta konkretizojmë marrëdhënien kulturore. Marrëdhënien në fakt nuk e krijuam ne, nuk kanë meritë ministrat, as kryeministrat dhe as qeveritë në ndërtimin e marrëdhënieve kulturore. Atë e ndërtojnë njerëzit e kulturës. Detyra jonë është që ne t’i mbështesim marrëdhëniet që ekzistojnë që kur ekziston jeta. Kultura është komunikim dhe komunikimi nuk pyet për vendime politike. Ama, komunikimi nuk duhet të vuaj nga barrierat politike apo nga barrierat e qeverive. Ky ishte vizioni ynë kur propozuam krijimin e një kalendari të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, që në radhë të parë synon lehtësimin e qarkullimit duke vendosur fonde publike, duke hapur institucione publike për mos ta lënë këtë barrë vetëm në përpjekjet individuale të një artisti apo të një regjisori apo të një këngëtari.

E dyta, skenat tona janë të vogla dhe në qoftëse ne ja krijojmë mundësinë një shfaqjeje, një ekspozite, që të qarkullojë përtej Tiranës, rrisim audiencën, rrisim publikun, u japim mundësi artistëve të shtojnë shfaqjet dhe të shtojnë vizibilitetin e tyre.

E treta, krijojmë mundësi për bashkëproduksione. Prapë, jemi vende të vogla, numrin e artistëve nuk e kemi të pafund dhe nuk e kemi luksin që ne të mos bashkëpunojmë. Pra që vlerat kulturore qoftë në njerëz, qoftë në vepra duhet të qarkullojnë lirisht nga Tirana në Prishtinë dhe anasjelltas.

Në fakt, kalendari 2014 ishte vërtetë një sukses dhe ajo që mua mu duk më interesante ishte që përveç kalendarit institucional, na u bashkuan rrugës shumë iniciativa që vinin nga skena e pavarur që në fakt provon këtë: artistët edhe kur prodhojnë vetë, kanë nevojë për këtë kornizë që ne duhet t’ua japim. Kështu filloi historia e kalendarit të përbashkët kulturor i cili ka vazhduar. Më duhet të pranoj që viti 2017 nuk ka qenë një vit i mirë. Unë nuk bëj pjesë te njerëzit që të zbukuroj kur diçka nuk shkon mirë dhe më duhet ta pranoj që politika na dëmtoi.

Pra, gjithë tensionet politike, proceset zgjedhore të vitit 2017, si nga një anë dhe në anën tjetër, në njëfarë mënyre dominuan skenën publike shumë më tepër duke i dhënë publikut në Kosovë dhe në Shqipëri shfaqje jo rrallë shumë të shëmtuara të politikës dhe duke eklipsuar fatkeqësisht shfaqjet e bukura të kulturës.

Kjo është arsyeja që duam t’i japim një tjetër hov kalendarit kulturor 2018, mos të harrojmë që kemi edhe disa faktorë tjerë plus: zëvendësministrja e Kulturës e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Valbona Shujaku, është një “prishtinalie” dhe tashmë zëvendësministre e jona që luan një rol shumë aktiv dhe është plot energji pozitive për ta forcuar këtë urë, dhe kjo është një garanci shumë e mirë sepse punojmë shumë mirë bashkë. Së dyti, jo më larg se dje, ne kemi emëruar drejtorin e ri të Galerisë Kombëtare të arteve, Erzen Shkololli, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës – një figurë shumë e njohur ndërkombëtarisht e skenës së arteve pamore, me një kurikulum shumë të suksesshëm. Unë jam shumë e lumtur që kemi një tjetër urë komunikimi, jo vetëm në kuptimin e standardit artistik pa ngjyra as shtetërore e as kombëtare, por pa dyshim edhe një personazh që njeh shumë mirë skenën e të dy vendeve dhe do të japë një kontribut.

Brenda janarit ne presim edhe një vizitë të ministrit të Kulturës së Kosovës për një dialog për të ndërtuar planin e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë 2018 që besoj se do të kryhet para marsit.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të ketë përsëri ngecje dhe ku ndodhin këto ngecje saktësisht?

Mirela Kumbaro: Shiko, në vendet tona politika vazhdon të jetë “show” më i ndjekur, për fat të keq. Dhe nëse kjo ndodh, kjo ndodh pikërisht sepse niveli i emancipimit të shoqërisë dhe shkalla e investimit kulturor dhe arsimor nuk është atje ku duhet. Unë mendoj që ne do kemi arritur një shkallë të dëshiruar të emancipimit të shoqërisë, ku shoqëria të mund të jetojë të përditshmen e vetë pavarësisht skenës politike. Jemi demokraci shumë të reja, gati foshnjore po ta krahasojmë veten me demokracitë e vjetra, që kanë shekuj që janë ndërtuar. Dhe për sa kohë ne do të vazhdojmë të jemi në këtë stad, gjithmonë mbetet rreziku që incidentet, aksidentet apo manipulimet politike të pengojnë zhvillimin normal të skenës kulturore.

Detyra jonë, e imja në radhë të parë, e kolegut tim të Kosovës dhe duhet të them e të gjithë politikës, dhe në fakt në këtë kontekst Qeveria shqiptare, aq më tepër që ka një kryeministër artist përpiqet të luajë një rol shumë të fuqishëm për të mos e lënë kulturën të kapet peng nga politika. Jemi përpjekur ta bëjmë këtë dhe ja dolëm në Shqipëri edhe në vitin 2017 me ngjarje shumë të rëndësishme kulturore, që kur e filluam vitin dhe deri sa e kemi mbyllur, e tashmë e kemi hapur edhe Vitin e Skënderbeut, që nuk është vetëm vit historik, substancialisht është një vit kulturor. Sepse aty janë vlerat. Qeveritë venë e vinë, kultura mbetet.

Prandaj le të themi që është një tjetër sfidë, për mos ta lënë “show” të shëmtuar politik, ta marr skenën e bukur kulturore.

Radio Evropa e Lirë: Hapësira e integruar kulturore shqiptare, iluzion apo realitet që mund të realizohet një ditë?

Mirela Kumbaro: Jo nuk është iluzion. Është tashmë realitet. Është një realitet që ka filluar të ndërtohet, por nuk është realitet që mund të ndërtohet as në një ditë e as në një vit. Është një kala, jo e Rozafës, e cila do të gjitha forcat ndërtuese që besojnë te ndërtimi i kësaj kalaje që ta vendos secili nga një tullë e nga një gurë për ta rritë murin. Fakti që ne sot shumë shpesh kemi dal në skenën ndërkombëtare me ngjarje të përbashkëta, dhe vet Viti i Skënderbeut bëhet nën kapelën e dy presidentëve, të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, fakti që edhe në shumë ngjarje tjera ndërkombëtare, siç ka qenë stenda e përbashkët në festivalin e Kanës dhe Berlinale për filmin, apo ditë të Shqipërisë që ne kemi organizuar në vendet tjera ku përfshinte diasporën, apo tash krijimi i konsullatave të përbashkëta që janë domosdoshmërish dyer ku hyjnë të gjithë bashkarish, janë prova që ky realitet ekziston.

Ne na duhet vetëm t’i ndërtojmë muret, themelet janë. Përveç kësaj, unë kam shumë besim te vet artistët. Tashmë ata qarkullojnë lirisht. Shfaqjet, programet e tyre artistike fillojnë në Tiranë, vazhdojnë në Shkodër, zgjaten në Prishtinë, Prizren e Gjakovë. Dokufesti është një krenari kombëtare, dhe nuk e kam këtu në kuptimin shtetëror. Por një krenari kombëtare e shqiptarëve nga ambasadorët tonë më të mirë. Dhe jo vetëm kaq, por është një model, një model suksesi. Prandaj unë nuk do flisja për iluzion. Unë po punoj për realitetin, përndryshe s’do të isha këtu.

XS
SM
MD
LG