Ndërlidhjet

Sa u rrezikohet shëndeti mjekëve gjatë punës?


Sallë operacioni në QKUK - Foto nga arkivi.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në të cilën funksionojnë gjithsej 37 klinika, institute dhe shërbime, nuk është bërë asnjëherë vlerësimi real mbi rrezikshmërinë në punë, thonë përgjegjësit në sektorin për mbrojtje dhe siguri në punë.

Sali Bllaca, shef i sektorit për mbrojtje dhe siguri në punë, në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse ka klinika brenda këtij institucioni që punojnë me orare të ndryshme, në asnjë klinikë, asnjëherë nuk është bërë vlerësimi real mbi rrezikshmërinë e punës.

Varësisht rrezikshmërisë, përcaktohet edhe orari i punës. Kështu që disa prej klinikave, punojnë me nga 30 dhe jo 40 orë pune në javë, si dhe kanë pushim të zgjatur vjetor prej 30 ditësh në vend të 20.

Aktualisht, klinikat që punojnë me orar të shkurtuar, që konsiderohen edhe me rrezikshmëri më të lartë janë ajo e Onkologjisë, Radiologjisë, Anesteziologjisë dhe Mjekimit intensiv, Klinika Infektive, Kirurgjia, Njësia Nukleare dhe Patologjia.

Sali Bllaca shton se brenda vitit 2020, do të bëhet vlerësimi real i klinikave nga persona përgjegjës, por edhe nga ekspertë të jashtëm.

"Atyre klinikave që u është shkurtuar orari i punës, sipas Kontratës kolektive, i kanë përcaktuar vetë oraret, pa një matje reale. Shërbimet e tjera nuk përfshihen këtu, por këtë nuk mund ta përcaktojë askush, e as ne si institucion, pa e bërë një vlerësim të rrezikshmërisë. Andaj, ne kemi filluar ta bëjmë këtë vlerësim dhe është në përfundim të mjekësisë nukleare”.

"Tash jem në procedura të kontraktimit të shërbimit nga institucione përkatëse dhe ekspertë të jashtëm. Do të thotë, në bazë të Kontratës kolektive sektoriale këto shërbime janë përfshirë, por të gjitha do të rivlerësohen, pasi janë masë e përkohshme dhe më pas do të kategorizohen vendet e punës sipas rrezikshmërisë", thotë Bllaca.

Në anën tjetër kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se duke u bazuar në ligjet e Kosovës, domosdo është e përcaktuar edhe rrezikshmëria në vendin e punës. Por, ai shton se sektori për mbrojtje dhe siguri në punë, nuk është duke e kryer punën ashtu si duhet dhe disa klinika e gëzojnë këtë të drejtë, derisa të tjerat jo.

“Ekziston një sektor për siguri dhe mbrojtje në punë, e që nuk është duke e bërë punën, të cilën e ka për obligim. Secili profesion i ka specifikat e veta dhe bazuar në këtë, kemi nxjerrë kontratën kolektive sektoriale ku janë të përcaktuara grupet, të cilat i nënshtrohen rrezikshmërisë në punë. Pra, kemi problem në implementimin e ligjit për shkak të neglizhencës, derisa ne, si sindikatë, do t’i ndërmarrim hapat juridikë dhe menaxherët e klinikave që nuk e respektojnë këtë, do të paraqiten në bazë të akteve juridike”.

"Realisht, në shëndetësi janë të rrezikuar qoftë nga kontaminimet fizike deri tek ato psikike, por për fat të keq Kontrata kolektive nuk zbatohet si duhet dhe si të tillë, punëtorët shëndetësorë nuk i gëzojnë benefitet sa i përket rrezikshmërisë në punë", thotë Syla.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimimit, Nehat Baftiu, thotë se në klinikën ku ai punon, kryesisht në sallat e operacionit, të gjitha barnat që përdoren aty për pacientë, lirojnë gazra, të cilat, sipas tij, i thithin mjekët përmes ambientit, derisa shton se ato gazra të liruara i dëmtojnë të gjitha organet vitale, marrë parasysh se anesteziologët marrin pjesë në tri - katër operacione në ditë.

"Ne punojmë në salla operative dhe aparaturat aty lirojnë gazra si hallotani, serofllorani izofllorani, pra ilaçe që rrezikojnë shëndetin. Ato japin efekte anësore, pra dëmtojnë mëlçinë, organet vitale të organizmit dhe gjithmonë kemi kërkuar që të jemi në kuadër të klinikave që pësojnë rrezikshmëri në punë".

"Janë disa klinika që janë të rrezikuara prej materieve që punojmë, pra prej barnave të gazta e që avullojnë në ambientin e sallës. Pacienti që i merr ilaçet përmes respiratorit, ne i marrim në ambient dhe nëse i bëjmë 3 deri 4 operacione në ditë, na e dëmtojnë organizmin", thekson Baftiu.

Së fundmi edhe Oda e Stomatologëve të Kosovës ka kërkuar zbatimin e Ligjit për respektimin e rrezikshmërisë në punë. Oda e Stomatologëve ka kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit të punës, rrjedhimisht edhe respektimin e Kontratës kolektive që përcakton saktësisht deri në 30 orë punë brenda javës dhe 30 ditë pushim vjetor.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG