Ndërlidhjet

Çështjet e mosmarrëveshjeve ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë


Kryeministri bullgar, Boyko Borisov dhe kryediplomati serb, Ivica Daçiq.

Disa ditë pas porosive të ashpra, të cilat shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ia kishte dërguar kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borisov, për shkak të qëndrimeve të kundërta për Kosovën, Serbia dhe Bullgaria i kanë ulur “shtizat” dhe i kanë vënë pikë tensioneve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri i Bullgarisë, Borisov dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nga samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Jahorinë të Bosnjë e Hercegovinës, kanë dërguar porosi se të gjitha mosmarrveshjet janë sqaruar. Menjëherë pas kësaj, nga kabineti i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, është komunikuar se deklarata e Borisovit për Kosovën është “interpretuar gabimisht”.

Kryeministri bullgar, Borisov dhe kryeministrja serbe, Bërnabiq gjatë një takimi me presidentin turk, Erdogan.
Kryeministri bullgar, Borisov dhe kryeministrja serbe, Bërnabiq gjatë një takimi me presidentin turk, Erdogan.

Me dorën e hedhur mbi supet e koleges nga Serbia, Borisov dhe Bërnabiq, para kamerave në Jahorinë kanë porositur që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të mira dhe nuk ka nevojë për tensione.

“I kemi vënë pikën rrëfimit”

Rrëfimi, për të cilin flasin ata, është fronti diplomatik, të cilin Serbia e ka hapur në marrëdhëniet me vendet fqinje, për shkak të Kosovës. Gjithçka kishte filluar kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq, me fjalor jodiplomatik i është përgjigjur ndaj deklaratës së kryeministrit bullgar Borisov, i cili kishte thënë që shefi i ri i diplomacisë evropiane, spanjolli Josep Borrell duhet t’i përfaqësojë interesat e Bashkimit Evropian lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe jo të vendit të tij, i cili nuk e ka njohur këtë shtet.

Daçiq, duke iu drejtuar Borisovit me “ti”, e ka porositur që “duhet të respektojë qëndrimin e Bashkimit Evropian”.

“Boyko, më duhet të të them një gjë. Qëndrimi i BE-së nuk është që Kosova është shtet i pavarur. Ti, Boyko, ke për ta respektuar qëndrimin e BE-së dhe jo që t’i mbash leksione Borrellit”, ka thënë Daçiq në intervistën për radiotelevizionin publik të Serbisë, duke shtuar edhe pyetjen “çfarë do të thotë kjo pafytyrësi dhe në çfarë përngjan kjo?”.

Kornizat diplomatike të Daçiqit

Menjëherë pas kësaj, pasoi thirrja e ambasadorit të Serbisë në Sofje, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, prej nga është komunikuar që komenti i shefit të diplomacisë së Serbisë është i papranueshëm dhe që nuk u përgjigjet pritjeve të Bullgarisë në kuptimin e mbajtjes së marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësore ndërmjet dy vendeve. Serbia bëri të njëjtën gjë, duke e thirrur të ngarkuarin me punë të Bullgarisë në Beograd. Disa ditë më pas, Daçiq ka thënë se është krijuar mosmarrëveshje dhe është bërë interpretim i gabuar i deklaratave të Borisovit.

“Nga ajo që është publikuar në mediat tona, ka mundur të arrihet në përfundim që Bullgaria po i tërheqë vërejtjen Borrellit që duhet ta respektojë qëndrimin e BE-së për atë që Kosova është e pavarur. Kjo për anën tonë është deklaratë mjaft kontestuese”, tha Daçiq pas takimit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të OSBE-së në Sllovaki.

Siç ka theksuar ai, esenca e deklaratës së Borisovit është që ai i është përgjigjur pyetjes lidhur me njëanshmërinë eventuale të tij, marrë parasysh që Spanja nuk e ka njohur Kosovën dhe se ai ka thënë që diplomati spanjoll do t’i respektojë edhe qëndrimet e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Daçiqi ka shtuar që kjo “në mënyrë esenciale e ndryshon atë e cila është transmetuar” dhe se mendon që situata është “pastruar”.

Kjo nuk është hera e parë që Daçiq del nga kornizat e praktikës diplomatike. Igor Novakoviq nga Qendra për punë ndërkombëtare dhe të sigurisë (ISAC fond) thotë se e gjithë kjo flet për raportin e ndryshëm që Serbia ka ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Në një moment e kemi adoptuar një qasje pragmatik, e cila bazohet në respektimin e dallimeve në qëndrime dhe fokusimin në interesat e përbashkëta, derisa çështja e Kosovës, kryesisht, është lënë anash. Më duket se ndaj të gjitha anëtareve të Bashkimit Evropian, Serbia duhet të ketë qëndrim të njëjtë. Pra, nëse sillet në një mënyrë tjetër me Francën ose Gjermaninë (të cilat e kanë njohur Kosovën), në të njëjtën mënyrë duhet të sillet edhe ndaj anëtareve tjera. Ndoshta këtu është vlerësimi që reagimet e tilla nuk sjellin shumë dëme, e në të njëjtën kohë janë të dobishme për cirkun vendor”, tha Novakoviq.

Kosova si një gur pengues

Ndonëse, sikurse edhe me vendet tjera fqinje, burimi i problemit mbetet qasja e ndryshme ndaj Kosovës, marrëdhëniet diplomatike të Serbisë dhe Bullgarisë, deri më tash, sipas vlerësimeve të autoriteteve, kanë qenë relativisht të mira. Të dyja vendet janë pjesë e disa organizatave dhe marrëveshjeve rajonale, të cilat përfshijnë edhe Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Pakti për stabilitet, Inisiativa e Evropës Qendrore dhe Organizata për bashkëpunim ekonomik të Detit të Zi.

Hulumtuesi i Këshillit Atlantik, Dimitar Bechev, thekson që Serbia dhe Bullgaria që moti janë pajtuar që rreth Kosovës nuk pajtohen dhe se përveç shpërthimeve diplomatike të Daçiqit, nuk sheh çështje serioze që do t’i ndante këto dy shtete.

“Bashkëpunimi ndërkufitar në fushën e infrastrukturës është kyç, sepse Serbia, për Bullgarinë, mbetet rruga më e shkurtë deri në zemër të Evropës, përfshirë edhe partnerët kryesorë të eksportit, siç janë Gjermania dhe Italia”, tha Bechev.

Rëndësia e marrëdhënieve është duke u rritur edhe për palën serbe, sepse siç thotë Igor Novakoviq, në disa vitet e fundit Serbia po përpiqet që të dalë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht që të zgjerojë bashkëpunimin edhe në fqinjët lindorë.

“Ekziston një varg i përfitimeve praktike me Bullgarinë, që nga zhvillimi i infrastrukturës, qoftë rrugore, qoftë energjetike, e deri te shkëmbimi tregtar dhe çështja e pakicave, që është me rëndësi të veçantë. Më pas edhe për përparimin e lidhjeve kulturore, të cilat edhe në këtë moment janë mjaft të fuqishme. Kështu që, ekzistojnë interesa ta dukshme dhe sinqerisht më ka habitur kogja shumë kjo qasje ndaj Bullgarisë”, tha Novakoviq.

Serbia llogaritë në Bullgarinë edhe kur bëhet fjalë për ndërtimine gazsjellësit “Rrjedha Turke”, sepse pa fqinjin lindor, ky projekt infrastrukturor, i cili do ta zëvendësonte “Rrjedhën e Jugut”, nuk është i mundur. Trasenë e gazsjellësit në Serbi është duke e ndërtuar kompania e përzier ruse-serbe, në të cilin “Gasprom-i” rus ka pjesën më të madhe të pronësisë. Ndonëse në Serbia tashmë po arrijnë gypat, Bashkësia energjetike ka theksuar një varg vërejtjesh dhe sugjerimesh që projekti të koordinohet me rregullat e Bashkimit Evropian, të cilat Serbia i ka injoruar.

“Bullgarëve ju nevojiten garancitë se do të ketë gaz të mjaftueshëm që kjo ndërmarrje të jetë fitimprurëse. (Presidenti i Rusisë, Vladimir) Putin i thotë edhe Gasprom-it se nuk mund të obligohen, ndërkaq më së paku që mund të garantojë Bashkimi Evropian është që nuk do të ketë pengesa rregullatore sikurse në rastin e ‘Rrjedhës së Jugut’”, theksoi Bechev.

Pakica bullgare në margjina

Në Serbi, sipas regjistrimit të vitit 2011, jetojnë rreth 18 mijë pjesëtarë të pakicës kombëtare bullgare. Siç thotë Ivan Nokolov, kryetar i Qendrës kulturore- informative nga Bosilegradi, gjatë viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, në vendbanimet afër kufirit, kanë qenë më shumë se 60 mijë.

“Në qoftë se e marrim që Bosilegradi dhe Dimitrovgradi, ku praktikisht jeton pakica kombëtare bullgare, janë më të pazhvilluarat në Serbi, që emigrimi nga këto komuna është i madh, nëse shohim të gjitha mossukseset në arsimimin në gjuhën amtare dhe të gjitha të drejtat tjera të garantuara, por të cilat qëndrojnë në letër, atëherë ky është problemi i vërtetë ndërmjet dy vendeve, që po mbulohet në interesin e marrëdhënieve të mira. Kjo që tashmë ka dalë në pah, për shkak të disa deklaratave të pashembullta, do të heshtet për disa ditë dhe sërish do të nisin në rrugën e njëjtë”, tha Nikolov.

Ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë, ndryshe nga çështja e Kosovës, ka mbetur edhe një pikë kontestuese, e cila aktualisht është jashtë fokusit. Ndonëse Bullgaria, që nga viti 2014 i ka dërguar kërkesën Serbisë që të ekstradojë shtetasin e vet, Cvetan Vasilev, i cili gjendet në fletarrestim e kuq të INTERPOL-it, Beogradi deri më sot nuk ka reaguar.

Vasilev jeton në Serbi që nga viti 2014 dhe ndaj tij, në Bullgari është hapur procedurë për shkak të dyshimit se ka keqpërdorur paratë dhe ka kontribuar për krizën më të madhe bankare në këtë vend.

Në Serbi nuk i është përcaktuar paraburgimi për ekstradim, por vetëm i është marrë pasaporta. Në përshpejtimin e vendimit për ekstradim nuk ka ndikuar as fakti që prokurori bullgar, në fillim të vitit 2018, i është ankuar Këshillit të Evropës për shkak të mungesës së informacioneve që është dashur t’i kthejë Beogradi.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG