Ndërlidhjet

Dhjetëra të vdekur nga përmbytjet në Brazil


Dëmet e shkaktuara nga reshjet e forta në Ilhabela, Brazil, 19 shkurt 2023 (Foto e marrë nga mediat sociale).
Dëmet e shkaktuara nga reshjet e forta në Ilhabela, Brazil, 19 shkurt 2023 (Foto e marrë nga mediat sociale).

Autoritetet në shtetin brazilian të San Paulos thanë se së paku 36 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut.

Video-pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë lagje nën ujë, autostrada të përmbytura dhe grumbuj të mëdhenj mbeturinash.

Ekipet e shpëtimit janë duke bërë përpjekje për të arritur te të mbijetuarit dhe për t’i zhbllokuar rrugët.

Më shumë se 600 milimetra shi ranë në disa zona të dielën - dyfishi i sasisë së pritur për muajin shkurt.

“Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nuk po arrijnë në disa vende. Është situatë kaotike”, tha Felipe Augusto, kryebashkiak i qytetit të goditur rëndë, San Sebastiao.

Sipas zyrtarëve, qindra familje kanë mbetur pa strehë.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, tha se do t’i vizitojë zonat e prekura gjatë ditës së sotme.

“Ne do t’i bashkojmë të gjitha nivelet e qeverisjes dhe, me solidaritetin e shoqërisë, do t’i trajtojmë të prekurit, do t’i kërkojmë të zhdukurit, do t’i rregullojmë autostradat, lidhjet e energjisë dhe telekomunikacionet”, shkroi da Silva në Twitter.

Në zonë priten reshje të tjera të dendura shiu, të cilat rrezikojnë t’i përkeqësojnë kushtet për ekipet e emergjencës.

Ngjarjet ekstreme të motit, të tilla si përmbytjet, pritet të bëhen më të zakonshme gjetiu, për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike.

Vitin e kaluar, shiu i rrëmbyeshëm në qytetin juglindor të Petropolisit në Brazil la më shumë se 230 njerëz të vdekur.

XS
SM
MD
LG