Ndërlidhjet

“Dashuri që ushqen, fuqi që rrit”: Murali për gjidhënien në zemër të Prishtinës


Artistja Ermira Murati para muralit të krijuar për gjidhënien.
Artistja Ermira Murati para muralit të krijuar për gjidhënien.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës e kanë përuruar të hënën një mural në kryeqytetin e Kosovës, që ka të bëjë me rëndësinë e gjidhënies.

Murali është punuar nga Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl” para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

“Nuk është vetëm një mural, është një akt ose njëkohësisht është një homazh i forcës, sfidës, i dashurisë që vetëm nëna dinë me e dhënë këtë më së miri”, ka thënë Murati.

Murali është quajtur, “Gjidhënia: Dashuri që ushqen, fuqi që rrit!”

Organizatorët kanë thënë se në kuadër të Javës Botërore të Gjidhënies, që shënohet në periudhën 1-7 gusht, janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera.

“Edhe pse gjidhënia është instinkt, është gjithashtu një aftësi që mësohet”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija.

Ajo ka bërë thirrje që shoqëria t’i mbështesë nënat në të mësuarit dhe vazhdimin e këtij procesi.

Rina Demiri - Spahija para muralit.
Rina Demiri - Spahija para muralit.

Sipas një ankete të cituar nga organizatorët, e vitit 2020, shkalla e ushqyerjes së foshnjave vetëm me gji në gjashtë muaj e parë të jetës ka rënë në 29 për qind në Kosovë, nga 40 për qind sa ka qenë në periudhën 2013-2014.

“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjidhënia është ndër mënyrat më efektive për të siguruar shëndetin dhe mbijetesën e fëmijëve”, është thënë në ceremoni.

Po sipas të dhënave të OBSH-së, gratë që ushqejnë foshnjat me gji kanë rrezik më të ulët nga kanceri i gjirit dhe vezoreve.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka thënë se është duke punuar me Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) dhe Qeverinë e Luksemburgut për t’i edukuar nënat e reja mbi rëndësinë e gjidhënies përmes klasave për prindërim.

Sipas OBSH-së, qumështi i gjirit i mbron foshnjat nga sëmundje të ndryshme dhe promovon zhvillimin e shëndetshëm.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG