Ndërlidhjet

OCCRP ndalon punën brenda Rusisë


Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit
Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit

Grupi për gazetarinë hulumtuese “Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit" (OCCRP) njoftoi se ka ndaluar veprimtarinë brenda Rusisë.

Vendimi është marrë për të mbrojtur gazetarët nga goditja e vazhdueshme e qeverisë ndaj mediave të pavarura në vend.

OCCRP tha se shumica e partnerëve rusë të grupit janë shpallur si “agjentë të huaj” apo “organizata të padëshirueshme” dhe duke marrë parasysh kushtet aktuale kjo i vë ata përballë rrezikut.

Organizata tha se ka propozuar që punonjësit e saj në Rusi të lëvizin në vende të tjera.

"Ne nuk do të ndalemi së raportuari për kleptokracinë, por ka rreziqe të mëdha për lirinë e punonjësve. Ne do të punojmë me gazetarë jashtë", tha në Twitter bashkëthemeluesi dhe redaktori i grupit, Drew Sullivan.

Në kuadër të OCCRP-së veprojnë më shumë se 50 media të pavarura në të gjithë botën. Çdo vit, ky grup publikon më shumë se 100 raporte hulumtuese.

Një ligj për agjentët e huaj, i miratuar më 2012 dhe i përditësuar disa herë deri më tani, sipas kritikëve, po përdoret nga autoritetet ruse për të goditur zërat e pavarur.

Kjo po ndodhë më shumë gjatë muajve të fundit kur po afrohet mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Rusi të cilat janë planifikuar për 17 deri 19 shtator.

Në bazë të këtij ligji, organizatat joqeveritare që marrin ndihmë nga jashtë dhe janë të angazhuara në aktivitete politike duhet të regjistrohen dhe të identifikohen si agjentë të huaj, si dhe t'i nënshtrohen kontrolleve.

Në korrik, Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, i cili përbëhet nga ekspertë të pavarur në fushën e së drejtës kushtetuese, i bëri thirrje Rusisë të refuzojë pjesët e ligjit për "agjentët e huaj" duke thënë se ato kanë një "efekt minues në ushtrimin e të drejtave civile dhe politike të cilat janë thelbësore për një demokraci efektive”.

Derisa Moska ka thënë se ndryshimet e reja janë krijuar për të rritur transparencën dhe sigurinë kombëtare, Komisioni i Venecias tha në raportin e tij se rezultatet do të jenë pikërisht e kundërta.

Radio Evropa e Lirë (REL) dhe disa nga faqet e saj të lajmeve në gjuhën ruse, janë përfshirë në regjistrin e agjentëve të huaj.

REL-i ka refuzuar të etiketojë përmbajtjen e saj. Ministria e Drejtësisë e Rusisë ka vendosur dhjetëra miliona dollarë gjobë. REL-i i ka apeluar dënimet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjithashtu ka ndërmarrë masa për të zhvendosur disa nga punonjësit dhe operacionet e saj në Kiev dhe gjetkë.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, ka thënë se përmes dënimeve Rusia po përpiqej ta mbyllë byronë e Radios Evropa e Lirë në Moskë.

XS
SM
MD
LG