Ndërlidhjet

QKSS: Rusia e lufton Kosovën nga brenda dhe jashtë


Një person kalon pranë një grafiti me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Zveçan, dhjetor, 2018.
Një person kalon pranë një grafiti me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Zveçan, dhjetor, 2018.

Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi saj bëhet në disa forma të tjera, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas këtij raporti, operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare.

Rusia mbetet aleatja më e besuar e Serbisë dhe të dyja shtetet nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Rusia e përdor krejt arsenalin e saj për të parandaluar pjesëmarrjen ose anëtarësimin e Kosovës në shumë forume dhe institucione ndërkombëtare si anëtare e barabartë e komunitetit botëror, sigurimin e njohjeve nga vende të tjera dhe të një ulëseje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në raportin e QKSS-së, të autorit Elis Vllasi.

“Ndikimi i Rusisë në Kosovë mund të interpretohet si keqdashës, armiqësor”, thuhet në raport.

Lidhjet “dashamirëse dhe armiqësore”

Sipas QKSS-së ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor shprehet në dy forma: dashamirëse dhe armiqësore.

Shtrirja e ndikimit rus në vendet tjera është e bazuar në lidhjet etnike dhe fetare, historinë e përbashkët, shitjet e naftës dhe gazit dhe përmes investimeve të huaja direkte. Asnjëra nga këto nuk ka ndonjë efekt në Kosovë.

Rusia nuk ka asnjë lidhje ekonomike me Kosovën, investimet direkte në Kosovë janë të papërfillshme si dhe produktet ruse nuk shihen askund në treg. Lojaliteti i Kosovës është i orientuar kah Perëndimi dhe synimet e saja janë të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian.

Sipas statistikave të Kosovës në vitin 2016, investimet e Rusisë ishin rreth 2 milionë dollarë, kurse eksportet vetëm 7 milionë dollarë.

Sipas QKSS-së, Rusia në Kosovë synon ta pengojë zgjerimin e NATO-s dhe integrimin në BE, të ndërtojë imazhin e Rusisë si një fuqi globale, të përdorë Kosovën për pazaret e veta me SHBA-në dhe BE-në në arritjen e ujdive në hapësirat ish-sovjetike si dhe ta ketë në dorë Serbinë duke mbrojtur pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës.

“Në Kosovë, rusët nuk kanë dorë të lirë të bëjnë si të duan, marrë parasysh mjedisin armiqësor në të cilin veprojnë, kështu që shumica e aktiviteteve të tyre drejtohen në nivelin global”, thuhet në raport.

Kosova mbetet njëra nga vendet më pro-amerikane në botë. Në një anketë të Gallupit të publikuar në korrik të këtij viti, thuhet se kosovarët i besojnë më së shumti në botë punës së administratës amerikane, me 82 për qind që e aprovojnë, dhe vetëm 11 për qind që nuk pajtohen.

Një nga ndërhyrjet më të rënda ruse në Ballkan, ka ndodhur në vitin 2016 në Mal të Zi, kur një grup komplotistësh me rusë dhe serbë tentuan ta rrëzojnë qeverinë e Podgoricës, për të penguar anëtarësimin e këtij shteti në NATO.

“Politikanët e lartë kosovarë dhe serbë e shohin ndikimin rus si pjesë të lojës gjeopolitike të stilit të shekullit 21. Rusët nuk janë në Kosovë sepse ju intereson vetë vendi, por për ta synuar Ballkanin në tërësi”, thuhet në raport.

Kosovë-Rusi: Një histori marrëdhëniesh të tensionuara

Marrëdhënie të tensionuara mes dy vendeve kanë qenë të vazhdueshme që nga viti 1989, kur Kosovës i u hoq autonomia nga Beogradi. Kur lufta përfundoi në vitin 1999, forcat ruse ishin ushtarët e parë ndërkombëtarë që arritën në Prishtinë para se trupat e NATO-s të fillonin zbarkimin. Ushtarët rusë u larguan përfundimisht nga Kosova në vitin 2003.

Sipas QKSS-së edhe pse trupat ruse u larguan nga Kosova, ndikimi ka vazhduar edhe më tutje.

“Gjatë viteve rusët janë akuzuar dhe nganjëherë janë kapur për përfshirje në operacione ndikimi. Çështja e zyrtarit të UNMIK-ut të kapur duke u ndihmuar protestuesve serbë në Zubin Potok për të parandaluar Policinë e Kosovës nga ushtrimi i detyrës së tyre, ka fituar vëmendje më të madhe për shkak të arrestimit dhe dëbimit të tij”, thuhet në raport.

Në maj të vitit 2019, një punëtor i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, kishte parkuar veturën e tij të OKB-së para një barrikade të vendosur nga serbët lokalë në veri të vendit. Qëllimi i tyre ishte për të ndaluar policët e Kosovës derisa ishin duke kryer një operacion në atë pjesë për arrestimin e disa të dyshuarve.

Sipas QKSS-së, rritja e ndjenjave mes shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, që duan të jenë së bashku në një shtet, u ka shërbyer interesave ruse për të lobuar kundër Kosovës duke pretenduar se shqiptarët duan të krijojnë “Shqipërinë e Madhe”.

Numri i madh i kosovarëve që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak, në anën e grupeve terroriste, është shfrytëzuar nga Moska si pretendim se Kosova shërben si vendstrehim i terroristëve.

“Rusia në mënyrë të rreme akuzon shqiptarët e Kosovës për një sërë të këqijash, siç janë aspirata për të formuar një bashkim me Shqipërinë dhe krijimin e të ashtuquajturës ‘Shqipëri e Madhe’, kërcënimin e shteteve fqinje me plane për të krijuar një ushtri të Kosovës dhe kthimin e vendit në një bazë për terrorizëm ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Raporti konkludon se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO si një nga mënyrat e vetme për të garantuar sigurinë e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG