Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht
- Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
- Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
- Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
- PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.