Ndërlidhjet

Nga Kosova në Kanada në kërkim të punës


Fisnik Kumnova dhe gruaja e tij Dafina në Kanada.
Fisnik Kumnova dhe gruaja e tij Dafina në Kanada.

Fisnik Kumnova në fillim të vitit 2017, së bashku me gruan e tij Dafinën e braktisi qytetin e tij të lindjes, Mitrovicën, për të kërkuar një jetë më të mirë në Kanada.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë të dhënë në atë kohë, Fisniku, i cili është i diplomuar në Ekonomi ndërkaq gruaja e tij për Menaxhment ndërkombëtar, pati thënë se po e lëshon Kosovën për shkak të mungesës së punës dhe gjendjes sociale dhe ekonomike.

Përmes një programi kanadez që kërkon persona të kualifikuar, ka arritur që t’i sigurojë vetes punë para se të arrijë në Kanada, dhe e njëjta ka ndodhur edhe me gruan e tij.

Fisniku, aktualisht, ndodhet për pushime në Kosovë. Ai thekson se që nga dita e parë që ka mbërritur në Vankuver, e ka kuptuar se çfarë do të thotë të jesh në një shoqëri të zhvilluar nga aspekti i teknologjisë, arsimit, shëndetësisë dhe të një perspektive të qartë.

Kontakti i parë me kanadezët, mirëseardhja e tyre e parë në aeroport flet shumë për atë shoqëri të zhvilluar dhe lë një përshtypje të parë të këndshme tek ai.

Fisnik Kumnova
Fisnik Kumnova

“Në Kanada nuk ka diskriminime në aspektin gjinor, racor, fetar do të thotë këto koncepte të dallimeve siç ekzistojnë në Ballkan, nuk vërehen dhe nuk janë as të tolerueshme këto diskriminime në Kanada. Në Kanada ka etnitete të ndryshme që vijnë prej Azisë, Evropës apo qoftë edhe vendas, të cilët jetojnë së bashku për të krijuar një ‘të përbashkët të mirë’ ku të gjithë do të përfitojnë nga puna e të gjithëve. Domethënë kjo është Kanadaja që unë e kam gjetur në muajt e parë”, thotë Kumnova.

Ai thekson se shoqëria kanadeze është e tillë që të ndihmon të përparosh dhe të ofron mundësi:

“E rëndësishme është atje që të jesh profesional, të jesh i drejtë, të kesh njohuri për atë që thua e di. Nuk jam fare i zhgënjyer, unë çdo ditë befasohem me të mirat dhe mundësitë që atje shfaqen”.

Pas mbërritjes në Kanada, Fisniku menjëherë ka filluar të punojë në një kompani lokale si menaxher për zhvillimin e biznesit, dhe para ardhjes për pushime vjetore në Kosovë, është punësuar në Universitetin prestigjioz të Kanadasë, Simon Fraser.

Në të njëjtën kohë ai po përfundon studimet master në “Royal Roads University”. Qeveria kanadeze në kuadër të pakos së ndihmës për imigrantët e rinj, i ka ofruar një grant në mënyrë që ta pajisë atë me lejen për menaxher të projektit, e cila sipas tij është mjaft e kërkuar në Kanada.

Gruaja e tij, Dafina, punon me orar të shkurtuar dhe në të njëjtën kohe studion për kontabilitet dhe planifikon që më vonë të fitojë licencën si kontabiliste profesionale.

Sipas Fisnik Kumnovës, vështirësitë e jetesës në Kanada janë të një natyre tjetër.

“Natyrisht, që vështirësitë janë prej të ndryshmeve në kuptimin që personat që dëshirojnë të integrohen, duhet ta njohin gjuhën angleze shumë mirë në mënyrë që të integrohen me kulturën kanadeze sepse dallon kultura evropiane me kulturën e Amerikës Veriore. Ata e kanë një kulturë më unike të punës dhe të të bërit biznes. Duhet të përshtatemi me kriteret, vlerat dhe mënyrën se si ata komunikojnë dhe bëjnë biznes të përditshëm. Ka qenë një përvojë shumë e mirë puna e parë e imja ku i kam mësuar rregullat e lojës dhe kam përparuar në mësimet që unë i kam pasur gjatë asaj periudhe”, tregon Fisniku.

Ai thotë se më e vështira është dëshira për familjen, e cila është konstante.Por, ajo që është lehtësuese është afërsia e njerëzve kanadezë dhe të njohurve të cilët janë gjithmonë aty kur ty të duhen. Sa i përket komunitetit shqiptar ai thotë se janë të organizuar, por jo në nivel të duhur, megjithatë ata e ndihmojnë njëri – tjetrin.

“Ardhja jonë e shpeshtë dhe ngulmimi që fëmijët tanë nesër - pasnesër t'i sjellim në Kosovë dhe ta forcojmë lidhjen, kjo tregon shumë për nevojën që kemi për Kosovën dhe mallin për familjen”.

Por, Fisniku thekson se kur e ka braktisur Kosovën, nuk ka qenë temë aktuale ndryshimi i kufijve, temë e cila tash e shqetëson. Ai thotë se perspektiva e të rinjve është ende e zbehtë dhe se i vjen keq për këtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG