Ndërlidhjet

Whyte: Republika Srpska nuk do të jetë model për Asociacionin


Nicholas Whyte.
Nicholas Whyte.

Serbia nuk ka alternativë tjetër pos pranimit të pavarësisë së Kosovës, por edhe kjo e fundit duhet të ofrojë garanci shtesë për minoritetin serb, thotë Nicholas Whyte, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare që ka këshilluar Kosovën në rrugën drejt pavarësisë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Whyte thotë se Kosova nuk ka arsye të frikësohet nga autonomia e gjerë për serbët, pasi nuk mund të ketë model të ngjashëm me Republika Srpskan në Bosnjë e Hercegovinë. Ai nuk pret që marrëveshja finale të arrihet së shpejti, por beson që BE-ja dhe SHBA-ja do të punojnë krah për krah drejt zgjidhjes afatgjate të mosmarrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nicholas Whyte aktualisht drejton organizatën APCO, me seli në Bruksel, që është grup këshillues dhe avokues për komunikim dhe konsulecë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Whyte, Kosova ka shpallur pavarësinë qe 12 vjet, por mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi vazhdojnë. Cilat janë pritjet tuaja nga dialogu që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian? A mundet BE-ja e vetme të arrijë sukses në këtë proces?

Nicholas Whyte: BE-ja e vetme natyrisht që nuk mundet të arrijë sukses në këtë proces, pasi ky është një proces që më së paku përfshin vetëm Kosovën dhe Serbinë, pasi edhe interesi i Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbetet shumë i fuqishëm dhe shumë i rëndësishëm. Në fakt, ne kemi parë probleme në vitet e fundit, pasi e pamë që BE-ja dhe SHBA-ja kishin qasje të ndryshme. BE-ja e di se nuk mund ta bëjë këtë e vetme. Në anën tjetër, BE-ja nga aspekti gjeografik dhe strategjik, do të jetë organizata që e mban çelësin e përgjegjësisë për rezultatin. Pra, BE-ja nuk mund ta bëjë e vetme, por ky institucion duhet të udhëheqë.

Radio Evropa e Lirë: Kosovës aktualisht po i kërkohet që t’i përmbahet premtimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si e shihni këtë Asociacion?

Nicholas Whyte: Shikoni, fakti është se kur arrijmë në fund të këtij procesi, kur Serbia ta ketë pranuar pavarësinë e Kosovës, do të ketë nevojë që komunitetet joshumicë, sikurse në secilin shtet, të kenë garanci. Kjo nevojë ekziston edhe tani, por do të jetë edhe më e fuqishme, kur e arrijmë fazën finale. Mua më duket shumë e arsyeshme që do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse për komunat serbe në Kosovë. Nëse Kosova dëshiron që ta pranojë dhe ta ketë pjesë të saj komunitetin serb, atëherë duhet të zgjohemi dhe të shohim realitetin, se një lloj marrëveshje duhet të ribëhet. Kjo nuk do të thotë se zgjidhja e duhur është diskutuar deri më tash, por do të thotë se një zgjidhje që do të funksionojë, do të përfshijë një marrëveshje të veçantë për komunat me shumicë serbe.

“Koncesioni më i madh, pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia”

Radio Evropa e Lirë: Si një ekspert që e keni këshilluar Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë, a mendoni se Kosova duhet ende të bëj koncesione? Dhe nëse po, çfarë koncesionesh?

Nicholas Whyte: Shikuar nga aspekti strategjik, mendoj se të gjithë duhet ta kemi parasysh se koncesioni më i madh është nga Serbia, që ka të bëjë me pranimin e pavarësisë së Kosovës. Unë nuk e them shprehimisht njohje, por them pranim. Kur kjo të ndodhë, mendoj se Kosova ka mjaft çfarë të ofrojë, pa e rrezikuar pozicionin e saj strategjik. Por, mendoj se është çmenduri të flitet për koncesionet e Kosovës, kur e kemi parasysh se koncesioni më i madh që kërkohet është pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po insiston se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet vetëm pasi Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Si e lexoni ju këtë qëndrim, apo është pak a shumë në përputhje edhe me atë çfarë ju thatë më parë?

Nicholas Whyte: Mendoj se nuk duhet parë këtë çështje në formë të sekuencave. Të dyja këto janë të rëndësishme për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme dhe nuk mendoj se duhet të jemi dogmatik për kohën se kur dhe cila ndodh më parë.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë ka shqetësime se nëse ndodh autonomia e gjerë për komunat me shumicë serbe, atëherë do të krijohet një Republika Srpska dhe se shteti do të jetë jofunksional. A mendoni se ka vend për shqetësime të tilla?

Nicholas Whyte: Nuk kam parë asnjë propozim që i afrohet Republika Srpskas. Kam jetuar në Banja Llukë për një vit e gjysmë nga viti 1997-98 dhe kam parë drejtpërdrejtë dallimet që ekzistojnë mes këtyre dy rasteve, prandaj nuk duhet të marrim si shembull këtë. Nëse do të isha në Kosovë, gjëja për të cilën do të insistoja është në të vërtetë krejt tjetër. Do të insistoja që Beogradi të mbajë premtimet dhe të përmbushë angazhimin për kthimin e regjistrit kadastral të Kosovës. Për mua, kjo është një gjë që e bën pavarësinë e Kosovës të pakthyeshme, pasi kur e pranon që prona menaxhohet nga njerëzit që e kanë atë në pronësi, atëherë s’ka kthim prapa nga kjo. Mendoj se njerëzit duhet t’i kushtojnë pak më shumë rëndësi kësaj çështjeje.

Pranimi i Kosovës nga Serbia “pa njohje të plotë diplomatike”

Radio Evropa e Lirë: Platforma dialoguese e BE-së synon arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim raportesh, por nuk përmend njohjen reciproke. A mund të sjellë kjo formulë zgjidhje për paqe afatgjate?

Nicholas Whyte: Mendoj se me siguri ka pak hapësirë për manovrim për njohje të ndërsjellë, por ne duhet të jemi të qartë se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, Serbia duhet ta pranojë se Kosova nuk është më pjesë e juridiksionit të saj. Ka mënyra për ta bërë këtë, pa njohje të plotë diplomatike, por unë do të pyesja, se çfarë rëndësie ka se si e emërtojmë këtë?

Radio Evropa e Lirë: Para se të kaloj në detaje, dëshiroj t’iu pyes për vlerësimin tuaj lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik. A është historike siç është proklamuar?

Nicholas Whyte: Është një fillim ri interesant kur sheh liderët e të dyja vendeve që qëndrojë bashkë në një ceremoni të tillë. Prandaj, mendoj se ishte rëndësishme. A është historike do të shihet, por mendoj se është lehtë të thuhet kur nuk je prezent atje vet. Në përgjithësi, mendoj se ishte e rëndësishme.

Ujmani, “koncesion për të mirën e përgjithshme”

Radio Evropa e Lirë: Opozita në Kosovë e ka kritikuar ashpër kryeministrin Hoti për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, pasi pos tjerash aty përfshihet një studim fizibiliteti për një pikë strategjike të Kosovës, Liqenin e Ujmanit, për mënyrën e përdorimit të ujit nga Kosova dhe Serbia. A është ky koncesion, apo ndoshta fillim i koncesioneve të reja?

Nicholas Whyte: Ky është koncesion për të mirën e përgjithshme, nuk është koncesion i Kosovës për Serbinë. Kosova ka një popullatë në rritje, do të ketë nevojë për më shumë furnizim me rrymë. Po, ka elemente politike aty, por në këto raste gjithmonë ka elemente politike. Ata që po e kundërshtojnë këtë, duhet të ofrojnë alternativa se nga ku do të sigurohet energjia elektrike, e jo të flasin për histori.

Radio Evropa e Lirë: Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) i ka kërkuar BE-së që të mos kufizojë opsionet në tavolinën e dialogut, duke sugjeruar se edhe shkëmbimi territorial mund të ndodhë, nëse pajtohen palët. A mendoni se akterët ndërkombëtarë, të përfshirë në proces, e konsiderojnë ende si opsion shkëmbimin e territoreve?

Nicholas Whyte: Hisedarët ndërkombëtarë në dialog nuk do të imponojnë shkëmbimin territorial në asnjërën palë. Por, nëse (kërkesa) vjen direkt nga rajoni, nëse qeveritë e Kosovës dhe Serbisë e thonë qartë se mund të pajtohen me të, është shumë e vështirë për ndërkombëtarët që të shprehen ndryshe. Këtë realisht, GNK e ka thënë edhe 13 vjet më parë kur unë kam punuar në këtë organizatë dhe këtë po e thonë edhe tash pasi kam lexuar raportin e tyre te fundit. Për mua, kjo është deklarim i asaj çfarë është më se e qartë.

“Jemi larg nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi”

Radio Evropa e Lirë: Duke marrë parasysh se Kosova ka një qeveri në limit të shumicës parlamentare, e po ashtu po përballet me valën e akuzave nga Gjykata Speciale, si e shihni fuqinë e Kosovës në këtë dialog?

Nicholas Whyte: Është fakt se Kosova në të vërtetë ka arritur mjaft deri më tash, ka shpallur pavarësinë. Ju thatë qe 12 vjet, por unë do të thosha që ka mbetur si vend i plotë qe 21 vjet, që pas bombardimeve dhe instalimit të UNMIK-ut. Prandaj, Kosova ka mjaft suksese të rëndësishme, te të cilat mund të shikojë prapa, por ajo që duhet të adresohet është se ku do të përfundojë kjo. Dhe kjo do të përfundojë me atë se Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe normalizimin e plotë të raporteve ekonomike dhe çështjeve të tjera. Mendoj se duhet të jemi të qartë se si të arrijmë atje dhe nuk është e mençur që të merremi me detaje se si do të arrijmë atje, pasi duhet të fokusohemi se ku do të arrijmë në fund të këtij procesi.

Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, a e shihni marrëveshjen finale të shkruhet në Uashington sërish, apo do të jetë ekskluzivitet evropian?

Nicholas Whyte: Le të mos e harrojmë se është shumë e mundur që së shpejti mund të kemi administratë të re në Uashington, nëse po i lexoj saktë lajmet nga SHBA-ja. Dallimi është se një administratë (e kandidatit demokrat për president, Joe) Biden do ta lejonte Evropën që të merrte lidershipin, pasi ata janë më pak të obsesionuar dhe nuk kanë qasje siç kishte (presidenti aktual amerikan, Donald) Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare. Prandaj, pres që marrëveshja të nënshkruhet diku në Evropë, do të gjejnë një vend, por po ashtu mendoj se ende jemi larg asaj dite.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG