Të fshehura në një rrugë të vogël në një lagje qendrore të qytetit, rrënojat e luftës shaqen si një lloj surprize. Në rrugët përreth, hipsterët mbushin kafenetë në ambient të hapur, skuterët Lime mbulojnë trotuaret dhe fëmijët luajnë nëpër parqe. Por mjafton të kthesh një qoshe dhe do të shohësh mure të nxira, dritare të thyera dhe makina të mbuluara me rrënoja.
Ky është pothuajse i vetmi vend në Tel Aviv që mban shenja të luftës, pas një sulmi iranian në natën e parë të konfliktit. Si i tillë, ai dëshmon fuqinë shkatërruese të raketave balistike të Teheranit. Por mungesa e vendeve të tjera të tilla nënvizon aftësinë e Izraelit për t’i rrëzuar ato.
Ky është një aspekt i luftës deri më tani që po ndikon thellësisht në mënyrën se si Izraeli i qaset asaj që vjen më pas.
“Pikëpamja izraelite është se, mirë, gjërat po kthehen pak a shumë në normalitet këtu. Ne thjesht kemi disa sirena në ditë. Dua të them, jemi mësuar me këtë. Mund ta tolerojmë”, i tha Radios Evropa e Lirë ish-deputetja Ksenia Svetlova.
Implikimi? Për Izraelin, strategjia afatgjatë është një zgjedhje e lehtë.
“Iranianët tani po u mbarojnë raketat balistike dhe veçanërisht lëshuesit, por ata ende kanë dronë. Dronët nuk mund ta dëmtojnë shumë Izraelin. Ne dimë si t’i kapim”, tha Svetlova, tani drejtoreshë ekzekutive e një OJQ-je të quajtur ROPES – Organizata Rajonale për Paqe, Ekonomi dhe Siguri.
Ka vërtet më shumë një atmosferë rutine sesa alarmi ndërsa njerëzit këtu zbresin drejt strehimoreve nëntokësore sa herë që alarmet bien në aplikacionet e tyre në telefon.
Kapaciteti i Izraelit për të kapur dronët dhe raketat hyrëse mund të matet nga numri i viktimave civile, me 12 të vdekur pas një jave konflikti. Ndërkohë, forcat izraelite dhe amerikane kanë “prerë kokën” e udhëheqjes iraniane dhe duket se e kanë ulur në mënyrë drastike kapacitetin ushtarak të Teheranit.
“Ne po godasim armikun, udhëheqjen e tij, regjimin e tij shtypës dhe objektiva të ndryshme”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më 6 mars, gjatë një vizite në Beersheba, ku rreth 20 persona u plagosën në një sulm iranian më herët gjatë javës.
Toni i vendosur në komentet e tij për përparimin e luftës përputhej me simbolikën e vendosmërisë që shfaqet në rrugët këtu: flamujt izraelitë dhe amerikanë mund të shihen kudo, ashtu si edhe billboardet që paraqesin një Luan Ulërues — emri kod ushtarak i këtij vendi për operacionin që Uashingtoni e quan Epic Fury.
Netanyahu prej kohësh ka bërë thirrje për ndryshim regjimi në Iran, si dhe për shkatërrimin e programeve të tij bërthamore dhe të raketave. Ai ka thënë se qëllimi i këtij operacioni është “ta shtypë plotësisht regjimin e terrorit”.
Sondazhet e opinionit tregojnë se izraelitët në masë dërrmuese e mbështesin luftën. Edhe kritikët e kahershëm të Netanyahut mendojnë të njëjtën gjë.
Politikani veteran i opozitës, Avigdor Liberman, i tha Radios Evropa e Lirë se lufta po shkonte “shumë mirë”, por se “rezultati përfundimtar” ishte çështja kryesore. Sipas tij, ky rezultat duhet të jetë “rrëzimi i këtij regjimi”.
Liberman, i cili ndër vite ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes, i Punëve të Jashtme dhe i Financave në qeveri të ndryshme, tha se ishte i bindur se kjo mund të arrihej, por nuk shpjegoi se si.
“Skenari më i keq” do të ishte që Irani të zhytej në “kaos”, tha ai.
“Është vërtet një pyetje e madhe, sepse ajo që pamë në Libi, Irak, Siri është trazirë e vërtetë. Por nga të gjitha alternativat… alternativa më e keqe është nëse [autoritetet klerikale] do të vazhdojnë ta qeverisin Iranin”, tha ai.
Por gjeneralmajori në rezervë Yaakov Amidror, një ish-këshilltar për siguri kombëtare i Netanyahut që është përplasur me të për politikat ndaj Bregut Perëndimor, sugjeroi se bisedat për ndryshim regjimi mund të mos jenë serioze.
“Qëllimi i luftës është një marrëveshje shumë e fortë” mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, tha ai në një aktivitet të organizuar këtë javë nga Instituti i Jerusalemit për Strategji dhe Siguri (JSIS).
“Së pari, të eliminohet plotësisht çdo aftësi që lidhet qoftë me raketat, qoftë me projektin bërthamor. Çdo person që ishte i përfshirë, çdo ndërtesë që ishte e lidhur, çdo vend që ishte i lidhur, çdo kapacitet që nevojitet — gjithçka duhet të shkatërrohet plotësisht…. Mendoj se të dyja palët e kuptojnë se ndryshimi i regjimit është diçka që nuk mund të garantohet”, tha ai.
Duke pasur parasysh këtë, shtoi ai, qëllimi kryesor është thjesht të shkaktohet sa më shumë dëm që të jetë e mundur.
“Ajo që duhet të sigurohet nga operacioni, nga lufta, është që çdo regjim, ky apo një tjetër, të jetë shumë, shumë i dobët”, tha Amidror.
Qeveria izraelite gjithashtu nuk ka shpjeguar në detaje se si mund të arrihet ndryshimi i regjimit. Ditët e fundit ka pasur spekulime për milici kurde nga Iraku që mund të kalojnë kufirin dhe të nxisin një kryengritje.
Svetlova, e cila si ligjvënëse në Knesset ishte e angazhuar nga afër në marrëdhëniet me grupet kurde, tha se ato do të ishin “skeptike” ndaj kësaj ideje, të paktën në afat të shkurtër.
Kjo na kthen te strategjia afatgjatë. Më 6 mars, presidenti amerikan Donald Trump dha një afat prej katër deri në gjashtë javësh për arritjen e “dorëzimit të pakushtëzuar” të Iranit.
Qeveria izraelite shpreson “që lufta, para së gjithash, të zgjasë mjaftueshëm” për ta dobësuar në mënyrë të mjaftueshme kapacitetin mbrojtës dhe të sigurisë të Iranit, tha Svetlova.
“Në fund të ditës, ndoshta do të ketë një fillim të luftës civile në Iran, mes milicive të ndryshme të pakicave, forcave të Basijit, Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) natyrisht; protestat në Iran do të rifillojnë, dhe më pas regjimi do të duhet të luftojë në shumë fronte e jo vetëm në një… Mendoj se kjo është shpresa.”