Ndërlidhjet

Një plan ”B” për t’i shmangur pengesat diplomatike nga Beogradi 


Ilustrim
Ilustrim

Pas dështimit të Kosovës që të pranohet në INTERPOL, çka shihet edhe si rezultat i një ofensive të ashpër diplomatike të Serbisë kundër këtij anëtarësimi, u shtrua sërish çështja e nevojës së arritjes së një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për eliminimin e këtyre pengesave.

Aktualisht, te spektri politik në Kosovë ka mendime të ndryshme nëse Kosova duhet të fokusohet në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, si çështje kryesore të politikës së saj, apo duhet të fokusohet në çështje tjera që ndërlidhen me fuqizimin e shtetit dhe subjektivitetit të brendshëm.

Politologët dhe analistët politikë thonë se politika kosovare në një masë e ka faktorizuar vetë rolin e Serbisë në raport me shtetin e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pa një marrëveshje finale me Serbinë, Kosova do të vazhdojë të ketë pengesa dhe bllokada. Me qasjen e presidentit nuk pajtohen jo vetëm opozita, por edhe kryeministri dhe një pjesë e Qeverisë së Kosovës. Kjo e fundit, si masë kundërveprimi ndaj politikës serbe, vendosi që të rritë taksën ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja nga 10 në 100 për qind. Një masë e tillë, jo vetëm që nuk besohet se e ndihmon dialogun, por edhe e pamundëson atë, përderisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se pa heqjen e taksës, nuk do të ketë më bisedime.

Politologu Ramush Tahiri, thotë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe me Serbinë duhet të sillet dhe të ketë marrëdhënie normale si me shtetet tjera.

"Elitat politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare, jashtë syve të opinionit, i kanë dhënë kompetenca shtesë Serbisë dhe kanë pranuar që pikërisht marrëveshja përfundimtarë me Serbinë, e zgjidh përfundimisht çështjen”, thekson Tahiri.

Tahiri thotë se ka mendime në rrafshin ndërkombëtar se pavarësia e Kosovës, ende nuk është e përmbyllur dhe kjo varet prej marrëveshje që Kosova do të bëj me Serbinë në dialogun politik që është duke u zhvilluar.

"Udhëheqja e Kosovës ka disa vite që ka hy në dialog me Serbinë i ka dhënë një status të veçantë Serbisë dhe tash Serbia e ka shfrytëzuar këtë propagandë që në botë të paraqitet që çështja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë dhe duhet të zgjidhet mes shqiptarëve dhe shtetit serb. Nga një gjendje e tillë, Kosova qe pesë gjashtë vjet është bllokuar në çdo takim ndërkombëtare sepse po kërkohet edhe deklarimi i Serbisë dhe po trajtohet si çështje e cila mund të marrë rrugë edhe për shtete të tjera dhe kështu na ndodhi edhe në INTERPOL", tha Tahiri.

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se procesi i normalizimit të raporteve Kosovë Serbi është një çështje shumë e rëndësishme për Kosovën.

Ajo thotë se Kosova duhet të investojë në dialogun me Serbinë, por në radhë të partë duhet ta qartësojë pozicionin e saj.

"Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të ndërtojë paralelisht edhe një politikë të saj të jashtme, qoftë politike të jashtëm apo të brendshme. Do të thotë nuk duhet të ndalet shteti dhe çdo gjë të fokusohet në dialogun Kosovë-Serbi. Dialogu është vetëm një proces dhe Kosova nuk duhet ta ndërlidh as subjektivitetin e saj ndërkombëtar, as legjitimitetin e brendshme vetëm me këtë proces dhe e dyta është që edhe mund të mos arrihet një marrëveshje. Prandaj, Kosova sipas KDI-së duhet ta ketë edhe një plan B", tha Krasniqi.

Megjithatë, Krasniqi thotë se çështjet e hapura me Serbinë duhet të zgjidhen, ngase kjo është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian, por pa prekur në çështjen e sovranitetit të Kosovës.

"Duhet të shprehet përkushtim për të përmbyllur çdo çështje që kemi me Serbinë, por ne kemi shtet dhe si të tillë duhet të sillemi në arenën ndërkombëtare. Duhet të dimë si të lobojmë, duhet të dimë se si të bëjmë politikë të jashtme më të mirë e më të koordinuar, si brenda apo edhe me aleatët ndërkombëtarë dhe të mësojmë edhe nga disfata të cilat jemi duke i përjetuar", tha Krasniqi.

Ndryshe, bisedimet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka nisur që nga viti 2011, dhe ka për qëllim normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

XS
SM
MD
LG