Ndërlidhjet

Nju Delhi prezanton masa të reja në komunikacion si pasojë e ndotjes së ajrit


Nju Delhi, fotografi nga arkivi.
Nju Delhi, fotografi nga arkivi.

Kryeqyteti i Indisë, Nju Delhi ka prezantuar një sistem të ri të lëvizjes së makinave, teksa ky shtet përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit.

Veturat private, varësisht prej numrit me të cilin përfundojnë targat, çift apo tek, do të lejohen për qarkullim në ditë alternative nga katër deri më 15 nëntor, kanë thënë zyrtarët.

Ky sistem ishte bërë publik edhe më 2016 dhe 2017, mirëpo nuk është bërë e qartë nëse ky plan ndihmon në zvogëlim të ndotjes.

Niveli i copëzave të rrezikshme në ajër, të njohura si PM2.5, është shumë i madh sesa rekomandohet.

Ky nivel i ndotjes përbën kërcënim për miliona njerëz nga sëmundjet që lidhen me frymëmarrje.

Zyrtarët shëndetësorë u kanë kërkuar njerëzve të qëndrojnë brenda dhe të mos kenë aktivitet fizik në ambiente të jashtme.

Shkollat janë mbyllur deri në ditën e martë, mirëpo planifikohet që kjo masë të vazhdohet deri të premten, teksa ky qytet vazhdohet të jetë i përfshirë nga smogu i dendur.

Shefi i ministrave në Delhi, Arvind Kejriwal ka thënë se plani që veturat të qarkullojnë varësisht sipas numrit të targave, do të rezultojë me qindra mijëra vetura më pak në rrugë.

Ata që do ta injorojnë dekretin do të ndëshkohen me rreth 56 dollarë, apo 4,000 rupe.

Kjo masë nuk do të vlejë për transportin publik, veturat e emergjencës, taksitë, makinat me dy rrota dhe gratë që drejtojnë vetë makinën.

Megjithatë ka dyshime se kjo skemë do të ndikojë në ulje të nivelit të ndotjes së ajrit. Masa të ngjashme në të kaluarën kanë ndikuar shumë në komunikacion në Delhi, mirëpo jo edhe në cilësinë e ajrit.

Çfarë ka shkaktuar ndotjen?

Ekspertët thonë se emetimet e veturave janë vetëm një prej faktorëve që kanë kthyer qytetin, sipas fjalëve të Kejriwalit, në “dhomë gazi”.

Një shkaktar i madh i nivele të larta të ndotjes në këtë kohë të vitit janë edhe fermerët në disa lagje, të cilët djegin mbetjet gjatë pastrimit të tokave.

Përveç kësaj, situatës i kontribuojnë edhe emetimet e ndërtimeve dhe ato industriale.

Ndotja e lartë e ajrit në Nju Delhi
Ndotja e lartë e ajrit në Nju Delhi

Identifikimi i shkaktarit të ndotjes ka nxitur konflkt në mes të politikanëve shtetërorë dhe atyre federalë, meqë Kejriwal u ka bërë thirrje shteteve fqinje si Punxhabi dhe Harjana, që të ndalin djegien e kashtës.

Kjo thirrje ka nxitur ministrin federal të Ambientit, Prakash Javadekar, të akuzojë Kejriwalin për politizim të çështjes dhe paraqitje të fqinjëve si “kriminelë”.

Ndërkohë qytetarët e rëndomtë janë duke shpresuar që ndonjë shi i rrëmbyeshëm në javët në vijim do të pastrojë ajrin.

Sa i keq është smogu?

Siddharth Singh, hulumtues i politikave për klimën dhe autor i librit, Smogu i madh në Indi, aktualisht ajri në Delhi “mban erën e gjetheve të djegura”.

“Është tymë. Sytë të ngacmojnë. Fyti po ashtu. Secili po e vëren atë”, ka thënë ai për BBC-në.

Sipas matësve zyrtarë, nivelet e copëzave të rrezikshme në ajër, janë shumë më të larta sesa rekomandohet, apo rreth shtatë herë më të larta në krahasim me kryqytetin kinez, Pekin, i cili është përballur me probleme të ngjashme të ndotjes së ajrit në vitet e fundit.

Ministria indiane e Shëndetësisë ka thënë se vëzhguesit e ndotjes së qytetit nuk kanë pasur shifra për të matur saktësisht nivelet e ndotjes së ajrit, të cilat ai i ka cilësuar “katastrofale”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë se një e treta e vdekjeve nga sulmi, kanceri në mushkëri dhe sëmundjet në zemër, janë të lidhura me ndotjen e ajrit.

“Këto nivele kanë efektin e njëjtë të pirjes së duhanit”, ka thënë kjo Organizatë në faqen e saj zyrtare.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG