Ndërlidhjet

Nuk zbatohet Ligji për punësimin e personave me nevoja të veçanta


Foto nga arkivi, Shoqata Down Syndrome Kosova

Bazuar në të dhënat aktuale, në Kosovë vetëm 0.1 për qind e personave me nevoja të veçanta janë të punësuar. Ky numër simbolik i të punësuarve ka shqetësuar në vazhdimësi organizatat që merren me të drejtat e personave me nevoja të veçanta.

Megjithëse Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara i obligon institucionet që çdo i 50-ti i punësuar të jetë një person me nevoja të veçanta, ligji besohet se nuk po gjen zbatimin e synuar.

Bujar Kadriu, kryetar i Forumit për personat me aftësi të kufizuara, i tha Radios Evropa e Lirë se qytetarët ende nuk e kanë kuptuar që shumë njerëz me nevoja të veçanta janë të aftë për tregun e punës. Marrë parasysh gjendjen aktuale, ai thotë se punësimi për ta është tepër i vështirë, ose i pamundur.

“Në Kosovë as 0.1 për qind nuk është i punësuar si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuara, mendoj që është ende një sfidë shumë e madhe pasi legjislacioni në fuqi nuk ka gjetur zbatueshmëri të plotë. Kjo paraqet problem serioz pasi këta persona nuk mund të jenë pjesë e tregut të punës”.

“Punësimi si tërësi është për gjithë qytetarët, por sidomos për personat me aftësi të kufizuara, duke i marrë parasysh paragjykimet për këta qytetarë. Mendoj se ende nuk kanë arritur qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se kjo kategori e shoqërisë mund të jetë pjesë e tregut të punës dhe mund të kontribuojë në shoqëri dhe janë të vlefshëm”, tha Kadriu.

Klubi “Dëshira”, është një qendër ditore që shërben për rehabilitimin e personave me probleme në sferën e shëndetit mendor. Nusret Shillova, drejtor i kësaj qendre, thotë se edhe pas shumë përpjekjeve për punësim të personave me nevoja të veçanta, kjo mbetet sfidë në vete.

“Sfidat e arritjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara janë shumë të mëdha, për arsye se ligji aktual i cili parasheh që nga 50 persona të punësuar, një prej tyre të jetë me aftësi të kufizuara, nuk po zbatohet. Institucionet tona nuk po e respektojnë këtë ligj”.

“Gjatë vitit 2018 ne si organizatë kemi tentuar vazhdimisht t’i punësojmë në institucione këta persona të cilët janë të aftë për punë, por kemi hasur në vështirësi pasi kanë thënë se nuk kanë vija buxhetore për punësimin e tyre. Kemi hasur në mirëkuptim me kompani private, të cilat me anë të kontratave të kohë pas kohe kanë punësuar persona, por që numri ka qenë simbolik dhe kontratat ndërkohë ndërpriten “, tha Shillova.

Edhe zyrtarë qeveritarë thonë se punësimi i personave nga kjo kategori mbetet sfidë e vazhdueshme. Armenda Berani nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka thënë se ndonëse punohet në aftësim dhe riaftësim të personave me nevoja të veçanta dhe ekziston ligji për mbështetjen e tyre, punësimi gjithmonë ka qenë i vështirë.

“Kemi Ligjin për aftësi të kufizuara e që prek edhe financiarisht këta persona, por që është shumë simbolike prej 75 euro. Ndryshimet rrënjësore i presim me ligjin për gjithpërfshirje që e analizon nevojën reale për këtë kategori të shoqërisë. Aktualisht jemi duke punuar në këtë ligj”.

“Nuk jemi të kënaqur me vlerat e punësimit, por kemi tentativë dhe është një proces në rritje i vetëdijesimit, si në sektorin publik po ashtu edhe në atë privat, për punësimin e kësaj kategorie të shoqërisë”, ka thënë Berani.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta se sa persona me nevoja të veçanta ka në Kosovë, të dhënat kryesisht bazohen në statistikat e përgjithshme që i jep Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, në Kosovë mund të ketë rreth 170 mijë deri në 255 mijë persona që i takojnë kësaj kategorie.

Bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë e përbëjnë personat me nevoja të veçanta.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG