Ndërlidhjet

Opozita maqedonase kërkon zgjedhje, pushteti kërkon reforma


Partia maqedonase në opozitë, VMRO DMPNE, pret përgjigje nga shumica parlamentare sa i përket kërkesës së tyre për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale, në të kundërtën kanë theksuar se dalja nga institucioni ligjvënës për këtë parti mbetet si veprim i hapur gjersa shumica parlamentare nuk pranon organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së, për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare paraqesin domosdoshmëri.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të domosdoshme për shumë arsye. E para, se kryeministri Zoran Zaev nuk e respektoi vullnetin e popullit të shprehur në referendum por, përmes shantazheve dhe kërcënimeve të deputetëve kaloi ndryshimet kushtetuese".

"E dyta, të gjitha veprimet e qeverisë qoftë në planin politik apo atë ekonomik kanë bërë që Maqedonia si shtet të prek fundin ndërkohë që qytetarët gjithnjë e më shumë jetojnë në varfëri".

"I gjithë procesi duhet të fillojë menjëherë që të respektohen ligjet në bazë të marrëveshjes së Përzhinos, që të formohet paraprakisht qeveria teknike dhe bashkë me zgjedhjet presidenciale të mbahen eedhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë Dimçe Arsovski.

Ai njëherësh ka nënvizuar se kërkesa e partisë maqedonase në opozitë është publike dhe presin përgjigje nga shumica parlamentare, e cila siç thotë, është ajo që i ka numrat.

“Në momentin që do të vendosin për zgjedhje të parakohshme ne menjëherë do t'i përkrahim me votën e deputetëve tanë për shpërbërjen e parlamentit, por tani jemi në pritje të përgjigjes së tyre”, thotë Arsovski.

Nga VMRO DPMNE, njëherësh bëjnë të ditur se shqyrtohet dhe mundësia e bojkotimit të zgjedhjeve presidenciale në rast se Qeveria nuk pranon kërkesën e tyre.

Ndërkohë, nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila kryesohet nga kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, për Radion Evropa e Lirë bëjnë të ditur se në kuadër të organeve të partisë, akoma nuk është diskutuar kërkesa e VMRO DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Konstadin Konstadinov, zëdhënës i Socialdemokratëve, konsideron se nëse shihen interesat e ngushta partiake atëherë për socialdemokratët me shumë interes është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por kjo do të thotë se do të bllokohet realizimi i reformave që është një nga shtyllat kryesore për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

“Organizmi i zgjedhjeve do të bllokojë rritjen ekonomike, do të bllokohet procesi i reformave, megjithatë siç theksoi edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, meqë kjo kërkesë vjen nga opoztita, ia vlen të shqyrtohet”, ka bërë të ditur Konstadinov.

Edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, është shprehur e bindur se në rast të zgjedhjeve të parakohshme do të dyfishojë rezultatin ndonëse thonë se për momentin zgjedhjet do të bllokojnë proceset integruese.

“Çështja e BE-së dhe NATO-së, doemos duhet të rrumbullakohet. Marrëveshja për zgjidhjen e çështjes së emrit nuk ishte vetëm sa për ta mbyllur këtë kontest, por qëllimi më i lartë janë BE-ja dhe NATO. Vlerësoj se e gjithë energjia politike tani duhet të fokusohet në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe viti 2019 le të jetë vit i ekonomisë”, ka thënë Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për çështje të integrimeve, i cili vjen nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e sheh si pozitive mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

“Aleanca për Shqiptarët qysh më herët ka kërkuar që me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare për arsye se ne mendojmë se demokracia ende nuk ka arritur tek shqiptarët, sepse tanimë 17 vite në pushtet është partia shqiptare e cila është futur thellë në krim dhe korrupsion, dhe e cila çdo ditë shantazhohet nga sistemi, gjë që u dëshmua edhe gjatë hapjes së Kushtetutës”, thotë Ilmi Aziri.

Ndërsa, Lëvizja "Besa" e Billal Kasamit, thotë se zgjedhjet si opsion duhet diskutuar pasi Maqedonia të marrë ulëse në Aleancën Veri-Atlantike.

“Ne në aspektin partiak jemi të gatshëm dhe do të kishim dashur që zgjedhje të parakohshme të ketë menjëherë, mirëpo sa i përket çështjeve të interesit më të madh pasi që kemi të bëjmë me një proces që është integrimi në NATO dhe BE, duhet të vlerësojmë të gjithë aktorët politik bashkërisht se cili është aspekti më i mirë për të realizuar këto çështje, të marrim ulëse në NATO dhe pas kësaj të mendojmë për çështje të tjera”, tha Arjanit Hoxha, sekretar i përgjakshëm i Lëvizjes “Besa”.

Ndryshe, pasi u votuan ndryshimet kushtetuese në Parlament, lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristija Mickoski kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidencialet.

XS
SM
MD
LG