Ndërlidhjet

Opozita ruse: Rrugët duhet të flasin


Policia ruse duke arrestuar një grua gjatë një tubimi në mbështetje të udhëheqësit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny, 23 janar, 2021.

Udhëheqësi rus i opozitës, Aleksei Navalny, i cili ndodhet në burg në Rusi, bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare në fundjavë - të dytat me radhë.

Në një letër të postuar në ueb-faqen e tij, pasi gjykata i refuzoi apelin kundër arrestimit, Navalny kërkoi nga rusët që të lënë mënjanë frikën dhe të organizojnë protesta të reja.

“Dilni, mos kini frikë nga asgjë. Askush nuk dëshiron të jetojë në një vend ku mbretëron tirania dhe korrupsioni. Shumica është në anën tonë”, tha Navalny.

Ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke planifikuar protesta më 31 janar, pas atyre të fundjavës së kaluar, që kanë nxjerrë qindra mijëra njerëz në rrugë, me gjithë shtypjen brutale të policisë. Autoritetet e rendit kanë ndaluar gati 4,000 njerëz në ato protesta.

Navalny është arrestuar më 17 janar, pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është rikuperuar nga helmimi me një agjent nervor. Navalny ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për urdhërimin e sulmit me helm - akuzë që është hedhur poshtë nga Kremlini.

Të enjten, një gjykatë ruse e konfirmoi paraburgimin e tij prej 30 ditësh, duke refuzuar apelin e avokatëve për ta lënë të lirë.

Një gjyq që do të mbahet më 2 shkurt, do të përcaktojë nëse një dënim i mëhershëm me kusht i Navalnyt do të shndërrohet në burgim për tre vjet e gjysmë. Ky dënim ka të bëjë me një rast të përvetësimit të fondeve, që konsiderohet gjerësisht si i trilluar dhe i motivuar politikisht.

Prokurorët thonë se Navalny ka shkelur termat e lirimit me kusht derisa ka qenë duke u trajtuar në Gjermani.

Navalny, i cili mori pjesë në seancën dëgjimore përmes një video-lidhjeje, tha se arrestimi i tij është një shenjë e “paligjshmërisë”, që është bërë e zakonshme në Rusi. “Kjo ka për qëllim të më trembë mua dhe të gjithë të tjerët”, tha Navalny.

Video: Protestat e opozitës në Rusi, më 23 janar, 2021:

Mijëra persona kërkojnë lirimin e Navalnyt
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Përpara protestave të planifikuara këtë fundjavë, disa prej aleatëve dhe mbështetësve të Navalnyt u arrestuan gjatë bastisjeve, ndërsa policia paralajmëroi se do të reagojë ashpër ndaj çdo ngjarjeje të paautorizuar publike.

Mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve në Rusi, Roskomnadzor, tha se do të gjobisë Facebook-un, Instagram-in, Twitter-in, TikTok-un, YouTube-in dhe dy rrjete sociale ruse, për dështimin e tyre për të bllokuar thirrjet ndaj të miturve, për t'iu bashkuar protestave.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se shteti nuk dëshironte që rrjetet sociale të bëheshin “platforma për të njoftuar protesta të paligjshme”.

Protestat në Rusi janë të ndaluara nëse ato nuk miratohen nga autoritetet. Të ndaluara janë edhe thirrjet për personat nën 18 vjeç që t'iu bashkohen protestave.

Facebook, Google dhe TikTok nuk iu përgjigjën kërkesave për komente, në lidhje me paralajmërimin e autoriteteve ruse. Twitter refuzoi të komentojë për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Komiteti Hetues i Rusisë tha se ka hapur hetime penale kundër strategut të lartë të Navalnyt, Leonid Volkov, duke e akuzuar atë për inkurajimin e të miturve për të marrë pjesë në tubime të paautorizuara. Volkov, i cili aktualisht qëndron jashtë vendit, i hodhi poshtë akuzat.

“Rrugët duhet të flasin tani. Nuk ka mbetur asgjë tjetër”, shkroi Volkov në Twitter, duke përsëritur thirrjen për rusët që të dalin në protesta.

Për të sfiduar Putinin, dy ditë pas arrestimit të Navalnyt, organizata e tij ka publikuar një film dyorësh, i cili pretendon se presidenti rus zotëron një pallat në vlerë prej 1.36 miliard dollarësh në Detin e Zi.

Videoja është shikuar më shumë se 100 milionë herë, duke e rritur edhe më shumë zemërimin e publikut. Putin ka thënë se prona nuk i takon atij.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG