Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita thërret në interpelancë gjashtë ministra


Kuvendi i Maqedonisë

Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar thirrjen në interpelanca të gjashtë ministrave të Qeverisë së Maqedonisë, thonë se ky veprim i opozitës ka për qëllim të nxisë debat të ashpër kundër veprimeve të Qeverisë në institucioni ligjvënës, vetëm dy javë para se të fillojë zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale, të cilat janë caktuar të mbahen më 15 tetor.

Partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ka ngritur interpelancë ndaj gjashtë ministrave të Qeverisë së re të Maqedonisë, edhe atë për Ministrin e Financave, të Punës dhe Politikës Sociale, Bujqësisë, Ekologjisë, Kulturës dhe atë të Punëve të Jashtme për kryerje të pandërgjegjshme të detyrës zyrtare, si dhe mostransparencë gjatë punës.

Në seancën parlamentare të së hënës është futur në rend dite interpelanca ndaj tre ministrave, atij të Bujqësisë Lubço Nikollovski, për shkak siç ka theksuar opozita keqmenaxhimit me zjarret, për ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, për shkak siç ka theksuar opozita maqedonase mungesës së transparencës gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Bullgarinë dhe ministren e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carevsk, për shkak të rezolutës kombëtare për migrantët.

Njohësit e çështjeve politike thonë se duke analizuar shkaqet për çka kanë ngritur interpelancë deputetët e VMRO-DPMNE-së ndaj ministrave të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, ende pa u prononcuar ata për punën 100 ditëshe, duke fokusuar marrëveshjen me Bullgarinë, rebalancin për buxhetin, zjarret, menaxhimin e deponive si dhe strategjinë për migrantët, synohet të hapen tema që do të shërbejnë si bazë për fushatën e zgjedhjeve lokale.

Në masë të madhe delegjitimohet vetë mekanizmi interpelancë. Njëkohësisht do të thosha se delegjitimohet edhe vetë puna e Parlamentit, duke e shndërruar debatin politik në një karikaturë politike për qëllime partiake. Kjo në asnjë mënyrë nuk është e lejueshme, aq më pak në një periudhe parazgjedhore”, thekson Stojan Andov, kryetari i përbërjes së parë parlamentare në fillim të viteve të nëntëdhjeta.

Nga ana tjetër, Naser Ziberi, njohës i çështjeve politike thotë partia maqedonase në opozitë dëshiron që para fillimit të fushatës zgjedhore, përmes interpelancës të imponojë tema në interes të kësaj partie.

Si e para, interpelanca është bërë thjesht me motive elektorale që të hapen diskutime, në prag të zgjedhjeve lokale. E dyta, do të fokusoja tendencën që të defokusohet vëmendja nga aktivitet e Qeverisë, në kuptimin e ndryshimit të më shumë ligjeve që kanë rritur mbështetjen ndaj Qeverisë, duke përfshirë këtu dhe aktivitet ndërkombëtare të Qeverisë në raport me relaksimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, po edhe në raport me BE dhe NATOS-s”.

Dhe si e treta, përmes kësaj Nikolla Gruevski dëshiron të forcojë pozitën e tij brenda partisë, e cila qartë duket se është lëkundur dhe gjithnjë e më tepër ka zëra për ndryshime kadrovike në kreun e kësaj partie”, nënvizon për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi ish-deputet.

Ndryshe, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për shtatë vjet, sa ishte në opozitë, kishte thirrur tetë interpelanca.

XS
SM
MD
LG