Ndërlidhjet

Osmani: “Gjeopolitika mbetet kyçe drejt BE-së” 


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

“Gjeopolitika është element shumë i rëndësishëm në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar bllokadën edhe të Shqipërisë e cila trajtohet në pako me Maqedoninë e Veriut, proces ky që u bllokua pas vetos bullgare, për shkak të kontestit për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

“Bashkimi Evropian në teori, në letër, është proces meritokracie, ku secili vend ec në mënyrë individuale. Mirëpo, gjeopolitika është shumë e rëndësishme në këtë rrugëtim, andaj nëse mbahemi bashkë, nëse e ndihmojmë njëri tjetrin si shtete, bashkëpunojmë dhe e japim mesazhin se ne jemi pjekur që të mos e luftojmë njëri tjetrin në këtë rrugë, por ta ndihmojmë njëri tjetrin, po në këtë rrugë do të tregohemi edhe më serioz para bashkimit Evropian, po do të jemi edhe më bashkëpunues këtu brenda në rajon”, thotë Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.

Ai vlerëson se Bullgaria si shtet e ka keqpërdorur vendimmarrjen konsensuale, megjithëse shton se Bashkimi Evropian, mbetet edhe më tek alternativa e vetme për vendin.

“Maqedonia e Veriut po edhe Shqipëria, në një mënyrë ka vënë në shprehje problemin që ka Bashkimi Evropian në vendimmarrjen e vet. Por kjo nuk do të thotë se e zbeh atraktivitetin që ka Bashkimi Evropian për ne, qëllimin final që ne një ditë të jemi anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk duhet të ketë alternativë. Nuk ka alternativë as për Bashkimin Evropian, për shkak se ne jemi një ishull në Bashkimin Evropian. Ne nuk jemi anash BE-së, por jemi të rrethuar me vende anëtare dhe as nga faktorët gjeografikë as nga ata ekonomikë, ata kulturorë dhe historikë, nuk mund te kemi një alternativë tjetër përveç se Evropa të kompletohet edhe me këtë pjesë të munguar të Ballkanit perëndimor.

Andaj ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe Evropa duhet të reflektojë për funksionalitetin e saj, për sa i përket mënyrës së vendimmarrjes”, thotë Osmani.

Duke komentuar rezultatet e Institutit Ndërkombëtar Republikan IRI-it, që nxorën në pah shqetësimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, për sa i përket shpejtësisë me të cilën po ec procesi i aderimit të vendit në BE, shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, thotë se në parim cdo njëri zhgënjehet me atë që edhe do më së shumti.

“Mendoj se ky euroskepicizëm nuk mendoj se ka kapur rrënjë. Mendoj se kemi të bëjmë me emocione të momentit, frustrime të momentit, ku njerëzit shprehin mllefin pikërisht sepse e duan Evropën. Ju e dini se njerëzit zhgënjehen më shumë nga ata që i duan, sesa nga ata që nuk i duan. Unë mendoj se ky është një raport dashurie mes njerëzve dhe idesë evropiane. Mirëpo, nuk besoj se njerëzit janë të lëkundur në përcaktimin e tyre për Bashkimin Evropian, prandaj ne si politikanë, jemi të detyruar që ta përkthejmë këtë vullnet dhe këtë entuziazëm të qytetarëve në hapa konkret” thotë Osmani.

Pa dashur të shpalos më shumë detaje rreth propozimit të Portugalisë, edhe pse ky propozim nuk mori dritë të gjelbër gjatë presidencës portugeze, shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, nënvizon se kjo paraqet një bazament ët mirë për tejkalimin e tri çështjeve që mbetën kontestuese për Bullgarinë edhe atë emrin, gjuhën dhe garancitë për implantimin e Marrëveshjes bilaterale mes dy vendeve.

Bujar Osmani, thotë se shatori mund të paraqes pikë kthese për sa i përket vendimit për caktimin e fillimit të bisedimeve.

“Epo, tani me të vërtetë mendoj se nuk është falënderuese që të jepen data, për shkak se qytetarët u lodhën nga kjo jetë e shpresimeve dhe dëshpërimeve ciklike. Këtë e kanë mbase qe 15 vjet, ndoshta edhe 20 vjet. E, ndoshta edhe ne kontribuojmë që qytetarët të kalojnë, nëse mund të them, (nëpër një) torturë të tillë psikologjike – duke dhënë data, duke dhënë shpresa... Por, ja, që t’i përgjigjem pyetjes: qershori i ri është – shtatori”, ka nënvizuar Osmani.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG