Ndërlidhjet

Haxhiu e merr pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, pasi Osmanit i mbaroi mandati

E përditësuar
Presidentja ia dorëzon kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pasi asaj i mbaroi mandati, më 4 prill 2026.
Presidentja ia dorëzon kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pasi asaj i mbaroi mandati, më 4 prill 2026.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, pasi presidentes së deritanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati sonte në mesnatë.

Osmani ia dorëzoi Haxhiut detyrën të shtunën pasdite në një ceremoni në zyrën e saj në Prishtinë.

Osmani tha se ishte e lumtur që detyrën po ia lë në dorë një gruaje dhe se shpreson se presidenti i ardhshëm i vendit të jetë grua po ashtu.

“Të jesh kreu i shtetit dhe njëkohësisht ta udhëheqës politikën e jashtme të vendit, ushtrinë e shtetit dhe ta përfaqësosh unitetin e popullit, janë përgjegjësi të jashtëzakonshme”, tha Osmani.

Haxhiu e falënderoi Osmanin për punën e bërë në mandatin e saj pesëvjeçarë dhe tha se uron që Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri sa më parë.

“Unë e kuptoj përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese dhe zotohem se do të veproj në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, tha Haxhiu teksa e pranoi detyrën.

Ajo e mori pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, për shkak se Kuvendi dështoi ta zgjidhte një president të ri në kohë dhe Osmani nuk e gëzoi mbështetjen e ligjvënësve për një mandat të dytë.

Sipas Kushtetuta së Kosovës, nëse presidenti nuk zgjidhet në kohë ose posti mbetet vakant, kryetari i Kuvendit emërohet ushtrues detyre për një periudhë jo më të gjashtë se gjashtë muaj, deri sa vendi ta zgjedhë një president të ri.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha kohë ligjvënësve deri më 28 prill për ta zgjedhur një president të ri. Nëse ata dështojnë ta bëjmë këtë brenda afatit kushtetues, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Megjithëse afati kushtetues filloi të rrjedhë qysh javën e kaluar, partitë parlamentare nuk kanë bërë lëvizje drejt arritjes së pajtueshmërisë për një emër që do të gëzonte mbështetjen e nevojshme për t’u bërë president i ri i vendit.

Kandidatët e paraqitur më herët nga partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Megjithatë, Kurti tha të premten se për çështjen e presidentit është në kontakt me dy udhëheqësit e partive më të mëdha opozitare dhe ka paralajmëruar takime me ta në javën e ardhshme.

“Jam në komunikim dhe në kontakt me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Do të ketë takime javën e ardhshme”, tha Kurti për RTV 21.

Edhe më herët Kurti kishte paralajmëruar takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe Abdixhikun edhe para se çështja e zgjedhjes së presidentit të dërgohej në gjykatën më të lartë të vendit, por palën nuk arritën pajtueshmëri.

Mandati i Osmanit

Osmani u zgjodh presidente në prill të vitit 2021, pas fitores bindëse të partisë së Kurtit në zgjedhjet e atij viti, e cila kishte garuar në një listë të përbashkët me Osmanin.

Ajo ishte presidentja e gjashtë e Kosovës.

Disa muaj para se t’i përfundonte mandati pesëvjeçar, Osmani i tha Radios Evropa e Lirë në dhjetor se synonte edhe një mandat të dytë.

Por, përçarja me Kurtin e bëri të pamundur rizgjedhjen e saj.

Ajo nuk e gëzoi këtë herë mbështetjen e Kurtit, i cili në dhjetor korri fitore edhe më të madhe se më 2021, duke i fituar 51 për qind votave, apo 57 vende në Kuvend.

Kurti u arsyetua se Osmani nuk do t’i merrte 80 votat e nevojshme nëse do të hidhej në votim në Kuvend si kandidatja kryesore e partisë së tij.

Partitë opozitare nuk e mbështetën Osmanin duke e akuzuar se nuk ka qenë figurë unifikuese gjatë mandatit të saj dhe se ia mbante anën Kurtit. Më vonë, LVV-ja tha se i kishte ofruar asaj nënshkrime për të garuar, pasi e paraqiti Glauk Konjufcën, ministrin e Jashtëm, si kandidat për president.

Ekipi i Osmanit e mohoi këtë fillimisht dhe më vonë tha se LVV-ja nuk ia kishte premtuar edhe votat.

Osmani e ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë nga politika pavarësisht dështimit për t’u rizgjedhur presidente.

Dhe, duke ditur se shanset janë shumë të mëdha që vendi të shkojë në zgjedhje së shpejti, ajo pritet të jetë pjesë e zgjedhjeve parlamentare.

Gjatë mandatit të saj, Osmani do të mbahet mend mbase për njohjet që ia solli vendit në vitin 2025.

Katër vende e njohën pavarësinë e Kosovës gjatë atij viti: Bahamet, Sudani, Kenia dhe Siria.

Njohjet erdhën pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

XS
SM
MD
LG