Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mohuar të enjten se mbrojtja e saj e afërt e kishte arrestuar kameramanin e një mediumi lokal pranë një shkolle private ku ndjekin mësimet vajzat e saj në Prishtinë.
Kameramani i portalit Paparaci, Jetmir Muji, ishte mbajtur për disa orë në qendrën policore në kryeqytet, pasi ishte ndaluar derisa po xhironte për një raportim për shkollimin e vajzave të presidentes të mërkurën.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehi alarmim dhe shqetësim me ndalimin e tij, duke e cilësuar “arbitrar”.
Osmani i thirri në takim gazetarët të enjten, ku dha sqarime për ngjarjen, duke thënë se është “gënjeshtër tjetër se kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar një gazetar”.
“Unë vetë kam kërkuar nga mbrojtja ime e afërt që të mos i prekin [gazetarët] me dorë. Ata nuk arrestojnë gazetarë, kanë qenë në kryerjen e detyrës zyrtare”, tha ajo.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Ajo tha se “incizimi i paautorizuar është vepër penale”, duke shtuar se te shkolla private ku vajzat e saj ndjekin mësimin, “ka qenë shenja që ndalohet incizimi i paautorizuar”.
Portali Paparaci tha se nuk ka publikuar pamje të dy vajzave të presidentes.
Prokurori i cili hetoi këtë rast dhe urdhëroi lirimin e Mujit, Rrahim Podvorica, tha për Kallxo.com se ky rast nuk ndërlidhej me vepër penale.
“Mua, kur më kanë njoftuar ma kanë shpjeguar gjendjen. Më kanë thënë që këtu nuk ka vepër penale, sepse e ka bërë incizimin në vend publik. Në këto rrethana unë iu kam thënë që ta lirojnë personin në fjalë. Për momentin nuk ka pasur elemente që të hapet rast. Në ato rrethana nuk ka pasur elemente të veprës penale”, tha Podvorica.
Osmani theksoi të enjten se i ka dërguar vajzat në shkollë private për shkak se ajo publike, “Ismail Qemali”, ku deri tani ndiqnin mësimet ato, nuk plotësonte kushtet e sigurisë të kërkuara nga organet kompetente.
“Është ndryshe kur një shkollë ka vetëm një hyrje, ndryshe kur janë shumë hyrje. Madje ju vetë keni raportuar për rreziqet e ndryshme në shkolla, për armët, thikat, drogën", tha Osmani.
Ajo gjithashtu pretendoi se ka marrë shumë kërcënime dhe e kritikoi gjyqësorin për “mosndërmarrjen e masave”.
“Ka një kërcënim që ka ardhur nga serbët në Twitter (tani X) dhe shumë e shumë kërcënime të tjera që zakonisht drejtohen për fëmijët e mi. Është hera e vetme që në historinë e Kosovës, nuk kanë marrë asnjë masë. Ju e dini që shumë mirë që çdo politikan kur kërcënohet i shohim shumë shpejt të akuzuarit para gjykatës. Dhe unë i përgëzoj institucionet që bëjnë një gjë të tillë, mirëpo është hera e vetme që në historinë e vendit tonë që një president ka dhjetëra kërcënime dhe asnjë person nuk është arrestuar”, deklaroi ajo.
Në fillim të këtij viti, këshilltari i Osmanit për media, Bekim Kupina, tha se ajo ishte kërcënuar me jetë.
Në një njoftim për media, ai kishte thënë se “kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj presidentes Osmani”.
Kupina i kritikoi autoritetet e drejtësisë për “mosveprimin” e tyre në këto raste.
“Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë”, tha ai.