Ndërlidhjet

Osmani: Afati i aplikimit për statusin e viktimës së dhunës seksuale të jetë i pakufizuar


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka inkurajuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të aplikojnë në Komisionin shtetëror për njohje të statusit, duke përmendur rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës.

Në një takim me anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, Osmani ka kërkuar që në të ardhmen të mos ketë kufizime në afatin e aplikimit për ta marrë këtë status.

Më 10 korrik, komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës i kanë miratuar në shqyrtim të dytë ndryshimet në ligjin që mes tjerash trajton edhe statusin dhe të drejtat e personave të dhunuar gjatë luftës.

Afati për aplikim është shtyrë për dy vjet, përkatësisht deri më 15 maj 2025.

Në vitin 2014, Kosova e pati miratuar një ligj për t’ia njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të dhunuar, duke ua mundësuar atyre një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

Deri më tani, këtë status e kanë 1.451 persona.

Numri i saktë i viktimave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Kosova ka shpallur 14 Prillin Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës së fundit.

XS
SM
MD
LG