Ndërlidhjet

Për çfarë këmbimesh dyshohet se është diskutuar në samitin Trump-Putin?


William Browder.

Investitori britanik dhe aktivisti për të drejta të njeriut, William Browder ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump mund të ketë bërë një marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë samitit në Helsinki, për t’iu ndihmuar autoriteteve ruse të zbatimit të ligjit për ta ndjekur atë.

Në një postim në Twitter dhe një koment të publikuar në revistën Time më 17 korrik, Browder ka thënë se Putin kërkon atë dhe në këmbim është i gatshëm të lejojë agjencitë amerikane të kenë qasje në 12 agjentët e inteligjencës ruse, të cilët janë akuzuar javën e kaluar nga autoritetet amerikane për ndërhyrje dhe publikim të dokumenteve të demokratëve në SHBA, duke tentuar të rrisin mundësitë për fitore të Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

“Putin kërkon të këmbejë 12 agjentë rusë që kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane me mua”, ka thënë Browder në Twitter.

Sipas tij, Trump duket se është pajtuar për këtë ide në samitin e 16 korrikut, duke treguar fillimisht dyshime dhe më vonë propozimin e ka cilësuar “të pabesueshëm”.

“Ky nuk është kërcënim koti. Në 10 vjetët e fundit kam tentuar t’i ik vrasjes nga regjimi i Putinit”, ka thënë Browder, i cili është cilësuar “kundërshtar i Putinit” pasi ka shtyrë me sukses ligjet e ashtuquajtura Magnistsky në disa kombe Perëndimore, të cilat autorizojnë sanksione kundër shkelësve të të drejtave të njeriut në Rusi dhe vende tjera.

Takimi Trump-Putin: "I turpshëm" apo "top-klasë"
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Browder i ka bërë këto komente pasi mediat ruse kanë raportuar se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Rusi është duke përgatitur kërkesë te autoritetet amerikane për të marrë në pyetje tre zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe një ish-ambasador amerikan në Moskë, në prezencë të prokurorëve rusë që kanë qenë të lidhur me rastin penal kundër Browderit.

Browder, i cili si udhëheqës i kompanisë, Hermitage Capital, ka qenë investitori më i madh perëndimor në Rusi është shpallur fajtor në mungesë nga një gjykatë në Moskë në muajin dhjetor për mashtrim me taksa në në vlerë të 48 milionë dollarëve dhe është dënuar me nëntë vjet burgim.

Pas raportimeve të mediave ruse, se Kremlini do të kërkojë qasje te një numër i zyrtarëve amerikanë, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Michael McFaul, ka konfirmuar në një postim në Twitter si ai është një nga personat e shënjestruar.

McFaul i ka bërë thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë të refuzojë kërkesat, sepse sipas tij nuk ka bazë për krahasim të rastit të Bill Browder dhe padive ndaj agjentëve të inteligjencës ruse të nisura nga Këshilltari Special, Robert Mueller javën e kaluar.

Departamenti amerikan i Shtetit, Trump dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar asgjë publikisht lidhur me këtë çështje.

Browder ka konfrmuar raportet nga TASS dhe agjenci të tjera ruse, se prokurorët e Rusisë kërkojnë të intervistojnë agjentët amerikanë, Todd Hyman, Alexander Schwarzman, dhe Svetlana Angert, të cilët sipas Browder kanë qenë të përfshirë në hetimin e një klienti të avokates ruse, Natalia Veselnitskaya për pastrim të dyshuar të parave.

Në këtë rast, ku ka qenë e përmendur kompania ruse Prevezon, lidhet me një mashtrim tatimor të zbuluar në dekadën e fundit nga informatori rus, Sergei Magnitsky, i cili më pas është arrestuar, bazuar në akuzat se ka kryer mashtrim ai vetë.

Një gjykatë në Rusi ka dënuar Magnistkyn për mashtrim, disa vjet pasi i njëjti ka vdekur në një burg të Moskës më 2009.

Ka dyshime se vdekja e tij ka ndodhur si pasojë e dhunës fizike dhe neglizhencës mjekësore.

Vdekja e Magnitskyt ka shtyrë autoritetet amerikane të miratojnë një ligj me emrin e tij më 2012, i cili shënjestron zyrtarët rusë që janë të përfshirë në vdekjen e tij.

Ky ligj ka zemëruar Kremlinin, mirëpo pavarsisht asaj një legjislacion i ngjashëm është miratuar më pas edhe nga kombet tjera Perëndimore.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG