Ndërlidhjet

Pa gjymtyrë e pa proteza, pacientët në pritje qe dy vjet


Ilustrim

Klinika Ortoprotetike ka dy vjet që nuk është furnizuar me proteza për pacientët që ju mungojnë gjymtyrët e trupit.

Janë mbi 2,500 pacientë në vit që kërkojnë të marrin shërbime në këtë klinikë, të cilëve u mungojnë gjymtyrë, e që kryesisht janë invalidë të luftës.

Shumë nga ta, pas luftës kanë shkelur në mina, disa gjymtyrët i kanë humbur gjatë luftës, e të tjerë në aksidente komunikacioni apo edhe probleme shëndetësore.

“Për momentin jemi pa material dhe jemi në pritje. Ndihma me proteza të gjymtyrëve të poshtme kemi vendosur shumë, por kohët e fundit kemi mungesë materiali. Pacientët kanë shumë nevojë për këtë shërbim”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lulzim Geci, drejtor i shërbimit klinik të ortoprotetikës

Geci thotë se protezat për të cilët pacientët kanë nevojë janë të shtrenjta.

"Materiali është i shtrenjtë. Një protezë nën gju është rreth 1,500 euro derisa mbi gju mbi 2,000 euro. Të gjitha i ka mbuluar Ministria e Shëndetësisë, pacientët i marrin pa pagesë atëherë kur ka", thotë Geci.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Rrustem Musa i tha Radios Evropa e Lirë se ka dy vjet që këtë klinikë nuk kanë pasur mundësi ta furnizojnë, për shkak se është anuluar tenderi për furnizim.

“Ne kemi qenë të angazhuar, por problem janë mjetet financiare pasi janë kosto e lartë. Buxheti i ndarë për mallra dhe shërbime nuk i mbulon gjitha kërkesat e pacientëve. Këtë vit do të bëjmë rishkimin e buxhetit që vitin e ardhshëm të hyjnë më shumë të holla për këtë kategori të pacientëve, që bëjnë amputime të ekstremiteteve dhe kanë nevojë për proteza”, thotë Musa.

Ai thotë se Kosova ka nevojë për qindra mijëra euro për t’i pajisur të gjithë ata që kanë nevojë.

‘’Ne kemi bërë një bilanc vetëm për invalidë civilë dhe kosto ka qenë 430 mijë euro për proteza të ekstremiteteve të poshtme. Kështu që, nëse do të mbuloheshin gjithë pacientët, kostoja e protezave do të shkonte rreth 600 mijë euro. Kjo kosto ndër vite besoj që do të ulet, pasi kur t’i marrin shërbimet këta pacientë, më pas protezat edhe do të mund të riparohen dhe nuk ka nevojë t’i blejmë vazhdimisht’’, shtoi Musa.

Në këtë klinikë shpeshherë kanë ardhur mjekë vullnetarë nga shtete të ndryshme të botës, duke sjellë proteza për pacientë që u mungojnë gjymtyrët e trupit dhe duke ua vendosur ato.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG