Ndërlidhjet

Pakistani hakmerret ndaj militantëve në Baloçistan pas sulmeve ndaj ushtrisë


Kampi i forcave të sigurisë në Naushki që u sulmua nga militantët në Baloçistan. 3 shkurt 2022.
Kampi i forcave të sigurisë në Naushki që u sulmua nga militantët në Baloçistan. 3 shkurt 2022.

Ushtria e Pakistanit tha se forcat e sigurisë kanë larguar militantët separatistë nga dy zona në provincën jugperëndimore të Baloçistanit, pasi militantët kishin sulmuar dy kampe të ushtrisë, duke vrarë nëntë ushtarë dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Në deklaratën e ushtrisë së Pakistnait u tha se 20 militantë janë vrarë gjatë luftimeve të gjata dhe intensive dhe gjatë operacioneve pasuese.

Ushtria tha se militantët kanë sulmuar më 2 shkurt kampet e forcave të sigurisë në qarqet Naushki dhe Panjgur në provincën Baloçistan.

Një grup separatist etnik i quajtur Ushtria Çlirimtare Baloç (BLA) ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Ushtria pakistaneze tha se nëntë sulmues u vranë në Naushki, ndërkaq katër ushtarë, përfshirë edhe një oficerë, po ashtu u vranë. Në Panjgur forcat e sigurisë, sipas ushtrisë, kanë zhvilluar luftime intensive dhe kanë dëbuar sulmuesit nga ajo zonë.

Forcat e sigurisë nisën operacionin për të gjetur sulmuesit dhe në atë zonë u vendos edhe kufizimi i lëvizjes. Ushtria tha se në Panjgur janë vrarë katër militantë, ndërkaq katër të tjerë që nuk u dorëzuan u vranë po ashtu. Në këtë operacion janë vrarë pesë ushtarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.

Autoritetet thanë se kanë shtypur kryengritjen e nisur nga separatistët në Baloçistan, të cilët po kërkojnë të pavarësohen nga Pakistani.

Provinca e Baloçistanit gjendet në kufi me Iranin dhe Afganistanin. Në këtë provincë po ashtu ka prezencë të grupit militant taliban të Pakistanit, që njihen me emrin Tehrik-e-Taliban Pakistan ose TTP.

XS
SM
MD
LG