Ndërlidhjet

Pakistani var një grua për shkak të mesazheve blasfemike


Ilustrim.

Një gjykatë në Pakistan ka dënuar me vdekje një grua myslimane, e cila është shpallur fajtore për dërgim të mesazheve blasfemike dhe karikaturave të Profetit Muhamed në telefonin e një shoqeje.

Gjykata në qytetin Ravalpindi, ka urdhëruar që Aneeqa Ateeq, 26-vjeçare, “duhet të varet në qafë derisa të vdesë”.

Ajo është dënuar edhe me burgim afatgjatë.

Ateeq është arrestuar në maj të vitit 2020 dhe është akuzuar për publikim “të materialit blasfemik” në statuset e saj në platformën WhatsApp, është thënë në dokumentet e gjykatës.

Sipas tyre, kur një shoqe i ka kërkuar ta ndryshojë statusin, e akuzuara ia ka dërguar mesazhet e njëjta edhe asaj.

Pamjet që përshkruajnë Profetin Muhamed konsiderohen blasfemi për shumë myslimanë.

Sipas Komisionit amerikan për Liri Fetare, rreth 80 persona besohet se janë të burgosur në Pakistan për akuza të lidhura me blasfeminë, gjysma e të cilëve përballen me burgim apo dënim me vdekje.

Kritikët kanë thënë se ligjet për blasfeminë në Pakistan nuk aplikohen si duhet dhe shpesh kjo akuzë abuzohet për të zgjidhur mosmarrëveshjet personale.

Edhe supozimet e pavërtetuara për blasfemi mund të nxisin dhunë dhe protesta të mëdha në këtë Pakistan.

Muajin e kaluar, një menaxher i një fabrike nga Shri Lanka, është torturuar dhe është djegur publikisht në Provincën Punxhab të Pakistanit, pasi i janë gjetur disa faqe të Kuranit në koshin e plehrave të viktimës.

XS
SM
MD
LG