Ndërlidhjet

Aktakuzat për krime në Kosovë para Gjykatës Speciale në Hagë


Gjykatësi Ndërkombëtar, Francezi Nicolas Guillou është gjykatësi i cili po i shqyrton aktakuzat e Prokurorit të specializuar në Hagë në procedurën paraprake, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Përmbajtja e aktakuzave të prokurorit amerikan Jack Smith, mbahet në konfidencë derisa gjyqtari t'i konfirmojë ato.

Aktakuzat e para u ngritën në shkurt të këtij viti, dhe një tjetër u ngrit të martën më 28 prill. Gjykatësi Guillou ka maksimum gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat. Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar.

Zëdhënësja e Dhomave të specializuara Angela Griep, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se përkundër futjes së masave të reja në punën e institucionit për shkak të pandemisë, Dhomat e Specializuara vazhdojnë të kryejnë mandatin e tyre dhe se "puna e gjykatësit të procedurës paraprake vazhdon ashtu siç ishte planifikuar", tha ajo.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë, ky gjyqtar ka kompetenca për të shqyrtuar aktakuzën, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë atë. Me kërkesë të Prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhër-arrest dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara aktualisht kanë 16 gjykatës ndërkombëtarë. Griep deklaron se presidentja e dhomave, Ekaterina Trendafilova, mund të emërojë të njëjtin gjyqtar që të shqyrtojë disa aktakuza. Bazuar në informacionin e disponueshëm nga Dhomat e Specializuara, gjykatësi Guillou që nga viti 2015, ishte shef i kabinetit të kryetarit të Tribunalit Special për Libanin.

Që nga viti 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht edhe për rastet kundër terrorizmit, korrupsionit dhe krimit kibernetik në vende të huaja.

Prokuroria e Specializuar po heton krimet e pretenduara nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër minoriteteve etnike dhe rivalëve politikë, që janë përmendur në raportin e Këshillit të Evropës 2011, i shkruar nga senatori zviceran Dick Marty.

Gucati: 270 persona janë intervistuar nga prokurorët

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, u formua me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se rreth 270 persona janë marrë në pyetje deri tash në Hagë. Të intervistuar, tha ai, kanë qenë eprorë të lartë ushtarakë e ushtarë të zakonshëm. Gucati beson se këto aktakuza janë të papranueshme pasi që sipas tij UÇK-ja, ka bërë luftë të ndershme në të gjithë vendin.

"Nëse ka pasur krim pse nuk shkohet me emra, por shkohet në shumës shkohet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne nuk jemi kundër drejtësisë, ne jemi për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi etnike. Pra, Gjykata Speciale aktualisht është një gjykatë raciste sepse ajo merret vetëm me anëtarët e UÇK-së që janë shqiptarë," tha ai.

Gucati gjithashtu mendon se do të ishte mirë që kjo gjykatë të ishte në Kosovë, nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, dhe sipas tij edhe shpenzimet do të ishin me të vogla.

Bekim Blakaj nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se që nga formimi i gjykatës, kur edhe janë miratuar ligje dhe ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, është e ditur se kjo gjykatë do të merret me pretendimet në raportin e Këshillit të Evropës.

"Kryesit e atyre krimeve duhet të mbahen përgjegjës për ato krime. Sigurisht pastaj edhe lëndët para gjykatës, Dhomave të Specializuara edhe para gjykatave të tjera edhe lëndët që janë në procedurë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavi pra të Hagës, e tregojnë dimensionin e atyre krimeve si janë organizuar në çfarë përmasash, kush ka qenë dhe a kanë qëndruar institucionet zyrtare prapa këtyre krimeve", tha Blakaj.

Sidoqoftë, ai beson se mekanizmat gjyqësorë vendore duhet të forcohen edhe në Kosovë, në mënyrë që krimet e luftës të trajtohen me prioritet, sepse numri i viktimave është i lartë.

Ai si problem e sheh mungesën e bashkëpunimit midis prokurorisë në Kosovë dhe Serbi, e cila ndikon në nivelin e mosndëshkimit. Ai beson se çështja mund të zgjidhet në nivelin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dështoi t’i gjykojë krimet e luftës

Nora Ahmetaj, aktiviste e të drejtës humanitare dhe hulumtuese deklaron se për raste e krimeve të luftës, sistemi gjyqësor në Kosovë ka dështuar dhe se në periudhën pas luftës sipas saj, Kosova nuk ishte e gatshme për të adresuar këto çështje të ndjeshme.

"Ajo çka mua më brengosë edhe neve si shoqëri duhet të na brengos është fakti që ne duhet të kërkojmë drejtësi për civilet vrarë, ne po flasim për civilë, ne nuk po flasim e nuk po kërkojmë drejtësi për ushtarët e vrarë ose njerëzit e armatosur. Kështu që gjyqësori ynë nuk është treguar i gatshëm", tha ajo.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të vitit të kaluar i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo ku ka shprehur bindjen e tij se Gjykata e Hagës po e bën të kundërtën e asaj që ishte parashikuar në fillim.

Thaçi ka theksuar që qëllimi për formimin e Gjykatës Speciale ka qenë që të mundësohet ekzistimi i kornizës ligjore dhe institucionale kombëtare të besueshme, i cili do të hetonte dhe do të procedonte krimet e pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë.

“Në këtë drejtim, është paraparë që krimet që pretendohet se janë kryer nga të dy palët e konfliktit do të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë”, ka theksuar Thaçi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në përgjigjen e tij, kishte siguruar Thaçin që puna e Gjykatës Speciale nuk është e drejtuar në mënyrë specifike kundër asnjë grupi etnik, lëvizje, force apo njësie dhe ka shtuar që SHBA-ja pret nga të gjithë liderët e Kosovës që t’ju përmbahen obligimeve të dhëna qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe që të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën.

*Video nga arkivi: Çka është Gjykata Speciale?

Gjatë vitit 2019, ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t'u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar janë intervistuar ish- kryeministri Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Azem Syla, Sami Lushtak, Rustem Mustafa, Shukri Buja e të tjerë.

Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

  • 16x9 Image

    Amra Zejneli-Loxha

    Shefe e Byrosë së Radios Evropa e Lirë në Prishtinë. Studimet universitare i ka përfunduar në fushën e gazetarisë dhe të studimeve evropiane në Universitetin e Floridas në SHBA. Me gazetari ka nisur të merret nga viti 2001. Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG