Ndërlidhjet

Një muaj paraburgim për të arrestuarit në rastin "Brezovica"


Vila në Brezovicë. Fotografi nga arkivi.
Vila në Brezovicë. Fotografi nga arkivi.

Gjykata Themelore e Ferizajt ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së paraburgimit për një muaj ndaj tre të arrestuarve në rastin e njohur si “Brezovica”. Të pandehurit me iniciale B.H, A.Ç dhe I.A u arrestuan më 6 janar, nën dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit.

B.H, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, A.Ç, ish-sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie dyshohet për po të njëjtën vepër penale si dhe për marrje të ryshfetit.

Ndërsa i pandehuri, I.A dyshohet se ka dhënë para ndaj personit zyrtar “që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare”, tha Prokuroria Themelore e Ferizajt.

"Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë", u tha në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

Më 6 janar, autoritetet njoftuan se lidhur me rastin “Brezovica” kanë ngrirë rreth 6 milionë euro të të pandehurve, që dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Policia kreu bastisje në nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të ndërtimit në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë të Komunës së Shtërpcës.

Në dhjetor të vitit 2021, lidhur me rastin "Brezovica" u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kreun e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Ai dyshohet se ka fituar në mënyrë të kundërligjshme një milion euro.

Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Brezovica është e njohur për qendrën e skijimit.

XS
SM
MD
LG