Ndërlidhjet

Parlamenti grek debaton për ratifikimin e Marrëveshjes për emrin


Kryeministri grek, Alexis Tsipras gjatë një fjalimi në Parlamentin e Greqisë. Fotografi nga arkivi.

Institucionet e Maqedonisë presin që Parlamenti i Greqisë të ratifikojë Marrëveshjen për emrin, ashtu siç u miratua edhe nga Parlamenti në Shkup, që përfundimisht të zgjidhet kontesti 27-vjeçar lidhur me emrin e Maqedonisë, por edhe identitetin, gjuhën dhe trashëgiminë kulturore të maqedonasve.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, thotë se marrëveshja është më e mira që kanë mundur të arrijnë dy shtetet për të mbyllur një nga kontestet më të vështira në rajon, nga i cili më së shumti ka pësuar Maqedonia, për shkak të bllokimit të procesit euroatlantik.

“Nuk mund të mos besoj te miku im, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, pasi ai gjithashtu kishte besim tek unë lidhur me ratifikimin me marrëveshjes. Ne, si dy shtete kemi vendosur firmat në këtë dokument dhe unë besoj pas vendimit tonë, që e arritëm me shumë mund, pasi fillimisht kishim vetëm se 62 vota, por arritëm shumicën e nevojshme prej dy të tretave. Besoj se edhe Parlamenti grek do ta ratifikojë marrëveshjen nga e cila do të ketë vetëm se përfitime, në radhë të parë nga qytetarët e të dyja vendeve”, tha kryeministri Zaev.

Ai beson se pas ratifikimit nga Parlamenti i Greqisë, do të pasojnë edhe vendimet tjera lidhur me miratimin e protokollit pas vendimit në Bruksel dhe procedurave tjera që kanë të bëjnë me dhënien e dritës jeshile nga parlamentet e të gjitha shteteve anëtare të aleancës, për pranimin e Maqedonisë në NATO.

Punimet e në Parlamentin e Greqisë ndërkohë kanë nisur në atmosferë të tensionuar, pas protestave të fuqishme të ditëve të fundit nga kundërshtarët e Marrëveshjes për emrit.

Kabineti i kryeministrit grek, Alexis Tsipras, ndërkohë ka shpërndarë në video-mesazh nga takimet e kreut të Qeverisë, por edhe me zotimet e tij se marrëveshja është e dobishme për Greqinë.

“Ka ardhur koha të dëgjojmë të vërtetën. Me Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshja për emrin), fqinji ynë e ndërron emrin në Maqedonia e Veriut. Po fitojmë historinë tonë, përfundimisht po realizohet qëndrimi jonë 25-vjeçar për emër me përcaktim gjeografik. Fqinji ynë pranon se gjuha e tyre është sllave, kultura e tyre nuk ka asnjë lidhshmëri me grekët antikë. Me këtë marrëveshje, ne pranojmë shtetësinë, por jo edhe etninë. Nga tekstet shkollore po hiqen leksionet joracionale, po ndryshohen emrat e përmendoreve, të ndërtesave e objekteve tjera publike. Po garantohet stabilitet gjeopolitik dhe bashkëpunim sikur edhe po kufizohet ndikimi i vendeve të treta në kufijtë tonë verior”, thuhet në video-mesazhin e kryeministrit grek, Alexis Tsipras.

Opozita, por edhe grupe të ndryshme greke, Marrëveshjen për emrin, e njohur ndryshe edhe si Marrëveshja e Prespës, e kanë vlerësuar të dëmshme, pasi ajo sipas tyre, nuk duhej fare të përmbante emrin Maqedoni.

“Marrëveshja e Prespës është marrëveshje e keqe, pasi për herë të pare Greqia edhe zyrtarisht heq dorë nga gjuha dhe identiteti maqedon dhe me këtë edhe nga politika e deritanishme në raport me fqinjin verior. Demokracia e Re vlerëson se marrëveshje është e dëmshme dhe do të bëjë gjithçka për të penguar ratifikimin e saj”, ka deklaruar lideri i opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis.

Protesta në Athinë kundër Marrëveshjes së emrit me Maqedoninë
Protesta në Athinë kundër Marrëveshjes së emrit me Maqedoninë

Sikur opozita greke, edhe ajo maqedonase kundërshton marrëveshjen të arritur më 17 qershor të vitit të kaluar në Prespë, duke e vlerësuar të dëmshme për interesat maqedonase.

Marrëveshja për ndërrimin e emrit të shtetit, e cila në Parlamentin e Greqisë pritet të miratohet në enjten, zhbllokon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG