5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.
Një grua 20-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ditë më parë fitoi një proces gjyqësor kundër gjigantëve të teknologjisë, Meta dhe Google, në një rast që kishte të bënte me varësinë nga platformat sociale online.
Ajo argumentoi se me përdorimin e hershëm të platformave të dy kompanive, Instagram dhe YouTube, kishte përkeqësuar shëndetin e saj mendor, duke vuajtur nga depresioni dhe ankthi.
Gjykata vendosi se kompanitë kishin dizajnuar platformat e tyre në atë mënyrë që të nxisnin varësi, dhe se nuk kishin paralajmëruar mjaftueshëm për rreziqet. Si rezultat, ato u shpallën përgjegjëse dhe u urdhëruan të paguajnë dëmshpërblim.
Por, si ndikojnë rrjetet sociale në shkaktimin e ankthit dhe depresionit?
Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, psikologia Erestinë Uka tregon se individët e moshave ndërmjet 12 dhe 20-vjeçare janë në një periudhë të ndjeshme të zhvillimit, në nevojë për të qenë pjesë e rrjeteve dhe grupeve shoqërore, dhe nuk janë kritikë për përmbajtjet që i konsumojnë.
▶️ Shiko podkastin:
🎧 Dëgjo podkastin:
Nga përvoja e saj me pacientë si psikologe, Uka thotë se tek adoleshentët kryesojnë problemet e shëndetit mendor, si shkak i presionit për të qenë përherë aktivë dhe i frikës se po humb duke mos u angazhuar me të tjerët në botën online.
“Është ndjesia se duhet të jesh gjithmonë prezent, dhe në momentin që s’je, në rrjete sociale ndien ankth, sepse nuk ke informacione çka po ndodh me njerëzit që të rrethojnë”.
Sipas saj, element tjetër që dëmton shëndetin mendor janë gjendjet si trishtimi apo vetëbesimi i ulët, që vijnë si rezultat i krahasimit të vetvetes me të tjerët në botën online.
“Kemi një platformë online ku ndodh krahasimi mes diçkaje tejet të edituar, që mund ta postojë dikush, dhe vetes tënde. Pastaj, është përdorimi i filtrave të ndryshëm. Pra, është një përpjekje për t’u dukur sa më mirë, e cila jo domosdoshmërisht nënkupton që do të dukesh sa më real”.
Uka shpjegon se një ndër faktorët që shkakton ankthin është bullizimi, i zhvendosur nga objektet shkollore tek grupet e të rinjve në rrjete sociale.
“Ekziston interaksioni social edhe në rrjete sociale, jo vetëm në ambiente fizike dhe jo vetëm në shkolla. Në momentin që ka interaksion social, mund të ketë edhe keqkuptime, ngacmime dhe vështirësi përcjellëse që mund të vijnë si rezultat i përdorimit të tyre”, thotë ajo.
Uka konsideron se rasti i 20-vjeçares në SHBA mund të bëhet precedent që edhe persona të tjerë, që kanë pësuar dëmtim të shëndetit mendor nga përdorimi rrjeteve sociale, të flasin për pasojat e tyre.
Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.