Ndërlidhjet

Pasuria e zyrtarëve publikë: Kush do ta verifikojë dhe a ka rrezik për ndikim politik?

5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.

Zyrtarëve publikë në Kosovë, që dyshohen për pasurim të jashtëligjshëm, pritet t’iu verifikohet pasuria, e cila në raste të caktuara mund të përfundojë edhe në konfiskim nga Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji i ri për këtë mekanizëm kaloi në lexim të parë në një seancë të Kuvendit të Kosovës më 17 prill, pasi versioni paraprak ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Byroja parashihet të ketë departamente të veçanta dhe zyrtarë që do të verifikojnë pasuritë për të cilat ka një dyshim se janë fituar jashtëligjshëm nga zyrtarët publikë.

Nëse pasuria përcaktohet si e pajustifikueshme, projektligji parasheh konfiskimin e pasurisë nga gjykata.

Por, mënyra se si do të funksionojë Byroja ka ngritur pikëpyetje.

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë se drejtori i Byrosë parashihet të zgjidhet me votat e shumicës parlamentare, dhe të ketë kompetenca të plota në inicimin e procedurave për verifikim të pasurisë.

▶️ Shiko podkastin:

🎧 Dëgjo podkastin:

Pasuria e zyrtarëve publikë: Kush do ta verifikojë dhe a ka rrezik për ndikim politik?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:31:02 0:00

I njëjti drejtor, sipas Bugaqkut, mund të vendosë edhe që të ndalet verifikimi i pasurisë së një zyrtari, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme. Kjo, konsideron ai, mund të përdoret politikisht, pasi më asnjë institucion i drejtësisë nuk do të mund ta trajtonte atë pasuri.

“Askush nuk mund ta kontestojë më atë pasuri, dhe ky lloj mekanizmi mund të shërbejë si një mekanizëm i legjitimimit të pasurisë, që potencialisht nëse do të shkonte në gjykatë ndoshta do të vërtetohej se është e paligjshme”, thotë ai.

Bugaqku pohon se në kuptimin e konfiskimit civil të pasurisë, Byroja do të jetë mbi organet e tjera të sistemit të drejtësisë.

Ai thotë se ka kundërthënie në ligj sa i përket periudhës kohore të verifikimit ta pasurisë, pasi, sipas tij, qëndron dispozita që parasheh verifikimin e pasurisë që është fituar nga 17 shkurti 2008, por edhe tjetra që thotë se zyrtarit publik mund t’i verifikohet pasuria vetëm deri në 10 vjet pasi ta ketë përfunduar mandatin.

“Nëse një zyrtari publik, ta zëmë i ka pushuar mandati në vitin 2010, afati maksimal që atij mund t’i verifikohet dhe konfiskohet pasuria është viti 2020”, thotë Bugaqku, duke sqaruar se asnjë institucion bankar apo tatimor nuk obligohet të ruajë të dhëna më gjatë se dhjetë vjet, që do të shërbenin si prova.

Projektligji i ri për Byronë u përcoll me vërejtje të opozitës parlamentare, ashtu sikurse edhe versioni paraprak, të cilin Partia Demokratike e Kosovës e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.

Autore: Flaka Zogu | Realizimi teknik: Rrahman Osmani, Mahir Elshani | Producent: Trim Haliti
  • 16x9 Image

    Flaka Zogu

    Producente për multimedia e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG