Ndërlidhjet

PDK-ja dhe AAK-ja të pavendosura rreth përfshirjes në dialog


Ilustrim.
Ilustrim.

Liderët e dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të jenë ata që do t’i përcaktojnë kornizat e pozicionit të Kosovës në fazën e ardhshme të dialogu me Serbinë. Kështu, kanë deklaruar në intervistat për Radion Evropa e Lirë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani.

Vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe finalizimi eventual i këtij procesi me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, parashihet të jetë ndër angazhimet e para të qeverisë së ardhshme, e cila pritet të formohet mbi bazën e koalicionit në mes partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së dytë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të dy këto parti që po synojnë formimin e qeverisë së re, kanë kërkuar që pjesë e dialogut të jetë edhe opozita, e cila në mandatin e ardhshëm të institucioneve do të përbëhet nga ish partitë në pushtet, siç janë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Elim Reçica, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se çështja e dialogut me Serbinë do të përcillet me kujdes dhe varësisht nga zhvillimet edhe vendimet e PDK-së do të jenë në harmoni me rrethanat që do të krijohen.

"Ne si parti në të gjitha fazat e zhvillimit të vendit kemi qenë pjesë shumë konstruktive e të gjitha zhvillimeve dhe sigurisht që interesi i vendi do të jetë prioritet për PDK-në edhe në të ardhmen. Gjithsesi, tani është herët të flitet, pa marrë parasysh se cili do të jetë qëndrimi i koalicionit qeverisës për vazhdimin e bisedimeve", tha Reçica.

Ai tha po ashtu se për vazhdimin e dialogut tashmë po vërehet se ka edhe një përkushtim më të madh të mekanizmave ndërkombëtarë.

"Normal që tash (për dialogun) janë të inkuadruar edhe faktorë tjerë, është një inkuadrim i faktorit ndërkombëtar, sidomos i Uashingtonit, që është shumë më i fuqishëm për përmbylljen këtyre bisedimeve dhe besoj se në këtë trekëndësh, pastaj do të dalë edhe qëndrimi i qartë dhe i saktë i Partisë Demokratike të Kosovës", tha Reçica.

Ndërkohë, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se për të qenë pjesë e një ekipi të mundshëm negociator për dialogun me Serbinë, do të vendosin Këshilli dhe Kryesia e partisë.

Time Kadrijaj nga AAK-ja, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende është pak herët të flitet për këtë temë, pasi që sipas saj, ende nuk janë formuar institucionet e reja.

"Nuk kemi qëndrim dhe nuk jemi mbledhur si struktura për të diskutuar. Në momentin që do të jetë nevoja për përfshirjen apo jo në dialog do të vendosin strukturat e partisë. Kështu që për momentin nuk kemi ndonjë qëndrim", tha Kadrijaj.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se prania e opozitës në delegacionin për bisedime me Serbinë do të ishte 'injeksion' shumë i mirë politik për Prishtinën zyrtare.

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se para së gjithash, për dialogun politik midis Kosovës dhe Serbi, në Prishtinë duhet të këtë një unitet ndërmjet partive politike.

"Partitë të cilat pritet të jenë në opozitë janë parti që deri dje kanë qenë në pushtet dhe kanë bërë ftesa drejtuar opozitës për një gjë të tillë (përfshirje në dialog), prandaj derisa ftesat kanë qenë ndaj opozitës, nga opozita e ardhshme presim prej tyre që të jenë bashkëpunuese dhe që t’u përgjigjen pozitivisht ftesave të cilat mund t’u vijnë nga ana e partive në pushtet lidhur me këtë çështje", tha Krasniqi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga viti 2011 është lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë edhe një hap përpara. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell në cilësinë e të dërguar të posaçëm të administratës për dialogun Kosovë-Serbi. Paraprakisht, Uashingtoni kishte emëruar edhe diplomatin, Metthew Palmer si të dërguar të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian, pas këtij emërimi, ka ritheksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-në për çështjen e dialogut dhe në përgjithësi Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, edhe Gjermania dhe Franca kanë paralajmëruar se do të kenë një rol më aktiv në procesin e ardhshëm të dialogut.

XS
SM
MD
LG