Ndërlidhjet

Përballja me varfërinë në pandemi   


T’i rrisësh fëmijët në varfëri ekstreme
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

T’i rrisësh fëmijët në varfëri ekstreme

Deri në mbi 2.000 familje i janë shtuar listës së asistencës sociale që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit në Kosovë, në mars të vitit 2020. Kjo ndihmë iu jepet familjeve të varfra.

Po aq familje i janë shtuar edhe listës së ndihmës të cilën e shpërndan Kryqi i Kuq i Kosovës.

Numri i familjeve që kanë pasur nevojë për asistencë sociale ka ndryshuar nga muaji në muaj. Derisa në muajin janar të vitit 2020, asistencë sociale merrnin 24.229 familje, ky numër në janar të vitit 2021 u rrit për 1.539 familje.

Numri aktual i familjeve që marrin këtë ndihmë nga 60 euro deri në 180 euro, është afër 26.000 me mbi 100.000 anëtarë.

Mitrovica prin me numrin më të madh të familjeve që marrin këtë asistencë sociale, me gjithsej 2.345.

Familja Ibishi nga fshati Stantërg, Komuna e Mitrovicës është njëra nga këto familje. Sahare Ibishi, 27-vjeçare, nënë e tre fëmijëve dhe në pritje të fëmijës së katërt, po përballet me varfëri ekstreme.

“Shtëpia ka vlagë, myk, i vjen era, myken rrobat, jorganët, batanijet, rryma nuk bën, makina (e larjes së rrobave) më është djegur. Burri nuk punon askund sepse është i sëmurë, vetëm kush e thërret ndonjëherë me mal apo diçka. Nuk kam ku t’i pastroj fëmijët. Nuk kam as bojler, as asgjë, i pastroj me kazan”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

T’i rrisësh fëmijët në varfëri ekstreme

Shuma prej 120 euro që ajo merr nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e familjes.

“As për ilaçe nuk të dalin”, shprehet Ibishi, që tregon se nga kushtet e vështira ekonomike, fëmijët e saj sëmuren shumë shpesh.

“Prej erës së mykut çdo javë më duhet t’i dërgojë fëmijët në spital. Frigoriferi është plot ilaçe”, thotë ajo.

Pandemia me COVID-19, iu vështirësojë edhe më shumë situatën familjes Ibishi.

Sahare Ibishi thotë se pandemia ndali edhe ata pak persona që i sillnin ndihma. Po ashtu burri i saj i cili punonte kohë pas kohe, nuk po arrin të gjejë punë.

“Shumë vështirë, nuk kam pasur çka t’iu japë fëmijëve që të hanë, sherbet ose bëja krelana diçka për fëmijë. Për një nënë, për një prind nuk ka ku shkon më vështirë”, shprehet ajo.

Shtëpia në fshatin Stantërg të Mitrovicës ku jeton familja Ibishi, nuk është pronë e tyre. Ajo i takon një qytetari serb dhe tash familja Ibishi duhet ta lirojë atë.

“Kemi shkuar në komunë. Nuk ka vend që nuk kemi kërkuar ndihmë, por po thonë pa iu ardhur rendi nuk kemi çfarë t’iu bëjmë sepse ka shumë”, tregon ajo.

Shumë familje iu drejtuan për ndihmë gjatë kohës së pandemisë edhe Kryqit të Kuq të Kosovës.

Armend Shala, zyrtar për informim në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kohës së pandemisë është shtuar numri i familjeve që kanë kërkuar ndihmë ushqimore, higjienike dhe veshmbathje.

“Në nivel vendi ndihmojmë mbi 10.000 familje. Kemi pasur rritje të këtij numri për 20 për qind, sidomos në fillim të pandemisë kur gjithçka ishte e bllokuar. Më vonë, numri i familjeve që ka kërkuar ndihmë ka shkuar duke rënë”, thotë Shala.

Qytetarët që kërkonin ndihmë në fillim të pandemisë, shton Shala, kishin humbur vendin e punës apo nuk gjenin punë ditore, çfarë kishin bërë para pandemisë.

Këtyre familjeve të cilat jetojnë në varfëri, situatën ua vështirësoi edhe ngritja e çmimeve, që ka ndodhur kohët e fundit.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2021 me muajin korrik 2020 ishte 3.5 për qind sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, që janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale si pasojë e pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës në pakot e saj për rimëkëmbje ekonomike dhe mirëqenie sociale kishte ndihmuar familjet në nevojë duke iu ofruar mjete financiare.

Së fundmi, për gjashtë muaj me radhë, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe me financim të Bashkimit Evropian, është vendosur që 7.500 familjeve në nevojë t’iu shpërndahen kuponë ushqimi në vlerë prej 60-70 euro, varësisht nga madhësia e familjes.

Punësim, jo lëmoshë

Por, a janë të mjaftueshme mjetet që shteti po ndan për familjet e varfra?

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk janë të mjaftueshme dhe të vonuara.

Çështja e varfërisë në përgjithësi dhe e pozitës sociale të qytetarëve, shton Ymeri, duhet të shihet nga perspektiva e të drejtave që ata i gëzojnë dhe jo nga perspektiva e lëmoshës nga një qeveri apo tjetra.

“Qeveria aktuale, meqë vjen nga profili ideologjik i socialdemokracisë, do të duhej të kujdeset që të sigurohen vendet e punës, në mënyrë që përmes punësimit e kushteve të punës të luftohet varfëria dhe jo të luftohet varfëria përmes skemave sociale dhe ndihmave që janë afatshkurtër dhe joefektive në këtë drejtim”, thotë Ymeri.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Ky nivel i varfërisë, thotë Ymeri, është i lartë për një vend me 1.8 milion banorë dhe me mundësi ekonomike.

Rritjen e numrit të familjeve të varfra në mbarë botës si pasojë e pandemisë COVID-19 e kishte paralajmëruar edhe Banka Botërore vitin e kaluar.

Ndërkaq, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare pati thënë se “shoku” i pandemisë së koronavirusit ka nxitur një rritje të pashembullt të nevojës për ndihmë, duke vlerësuar se pothuajse një çerek miliardi njerëz do të kërkojnë ndihmë më 2021.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG