Ndërlidhjet

Rritje e përdoruesve të drogave në mesin e komuniteteve RAE


Fotografi ilustruese.

Përdorimi i substancave narkotike në mesin e të rinjve ka shënuar ngritje, por rritje e përdoruesve të këtyre substancave është shënuar edhe në mesin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE), thotë drejtuesi i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, Safet Blakaj. Sipas tij, ka rritje të numrit të përdoruesve të drogës së llojit heroinë.

Njëri prej tyre është Muhameti nga Prishtina, pjesëtar i komunitetit rom, i cili ka qenë përdorues i heroinës për disa vjet. Ndonëse ka qenë 30-vjeçar, kur ka nisur të abuzojë me substanca narkotike, ai thotë se ka dalë nga vetja sa herë i është dashur që të sigurojë dozën ditore që ai konsumonte.

"Njeriu bën gjithçka kur është në krizë për drogë. Vjedh, bën probleme, në çdo mënyrë duhet t’i gjejë të hollat. Kështu kam bërë edhe unë, derisa i kam siguruar të hollat”, tregon ai për Radion Evropa e Lirë.

“Qasja për të blerë drogë është shumë e lehtë. Kur të duash e gjen. Unë kam marrë çdo ditë nga 5 gramë dhe e kam paguar 10 euro”, shtoi Muhameti.

Muhameti ka disa muaj që ka vendosur të kërkojë ndihmë në qendrën Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, ku tashmë është duke provuar t’i shmanget heroinës dhe të përdorë ilaçin metadon, përdorimi i cilit parashihet me një program të veçantë të kësaj organizate për ata që kanë problem nga varshmëria me drogat. Këtë vendim ai e ka marrë pasi që familja e tij, e cila jeton jashtë Kosovës, pas disa tentimeve për t’i ndihmuar që të largohet nga droga, ka hequr dorë nga ai.

“Kur kam provuar që ta lë drogën, kam pasur shumë dhimbje trupi dhe kam kërkuar ndihmë. Më kanë orientuar te qendra ‘Labirint’ dhe qe disa muaj nuk po e përdori heroinë. I kam rënë shumë pishman sepse e kam prishur jetën me paratë e mia dhe të tjerëve sepse gjithkund kam kërkuar të holla”, thotë ai.

Drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, Safet Blakaj, thotë se gjatë periudhës së pandemisë ka pasur rritje të numrit të personave që kanë kërkuar ndihmë në qendër. Për shkak të rrethanave, kjo qendër nga muaji mars ka ndërprerë trajtimet grupore, kurse ka vazhduar trajtimin me ata persona të cilët janë të varur nga droga.

“Është rritur 6 për qind numri i atyre që kanë nevojë për shërbim, ndërkaq 9 për qind ka pasur rritje të përgjithshme në kërkesë të shërbimeve”, tha Blakaj.

Por, Blakaj shtoi se ajo që ajo që është karakteristike në Kosovë është se përdorimi i drogës heroinë në popullatën e përgjithshme ka shënuar rënie, derisa në anën tjetër ka shënuar ngritje te komunitetet RAE.

“Problematika që kemi vërejtur gjatë hulumtimeve në terren, është se te komunitetet RAE përdorimi i heroinës është i madh. Bëhet fjalë për të rinjtë dhe familje të tëra që përdorin heroinë. Mosha mesatare është e re, pra mesatarja për heroinë është 18, derisa marihuanën kanë përdorur edhe më herët”, tha Blakaj.

Në Policinë e Kosovës thonë se gjatë vitit 2019, në fushën e parandalimit, hetimit dhe zbulimit të trafikimit me narkotikë, gjithsej është punuar në 1,450 raste. Në 1,014 operacione janë neutralizuar 15 grupe kriminale, janë hetuar 1,768 persona të dyshuar, janë arrestuar 1,625 persona, janë paraqitur 1,363 kallëzime penale ndaj 1,641 personave.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, tha se gjithashtu janë konfiskuar rreth 7 kg heroinë, mbi 1 kilogram e gjysmë kokainë si dhe rreth 900 kilogramë marihuanë.

“Në kuadër të aktiviteteve të parandalimit dhe luftimit të drogave policia ka zbatuar urdhrin operativ ‘Stop drogave në shkolla’, në bazë të të cilit janë realizuar, 16,030 patrullime parandaluese rreth shkollave, 7,963 vizita dhe kontakte në shkolla, 91 ligjërata me nxënës për 5,308 pjesëmarrës/nxënës, takime me prindër me 184 pjesëmarrës, 107 lokale të kontrolluara, 12,946 automjete të kontrolluara, 19,831 persona të kontrolluar, 227 persona të arrestuar, prej të cilëve 37 nxënës, ndërsa 190 të tjerë”, tha Kelani.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Sidoqoftë në Kosovë llogaritet se janë mbi 5 mijë përdorues të drogave të cilët i përdorin në mënyrë aktive këto substanca.

Kosova nuk ka qendër rehabilitimi për personat që kanë krijuar varësi nga substancat narkotike. Në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në Klinikën Psikiatrike, janë të ndara disa dhoma, në të cilat marrin trajtim këta persona dhe kanë të drejtë të qëndrojnë nga 7 deri në 10 ditë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG