Ndërlidhjet

Përjetimet e rusëve teksa ikin nga shteti


Shtetas rusë duke ikur nga Rusia.
Shtetas rusë duke ikur nga Rusia.

Bileta të shitura të fluturimeve me aeroplanë.

Kolona me kilometra në kufij.

Ikja e rusëve nga shteti i tyre – pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizim të pjesshëm ushtarak – nuk është proces i lehtë.

Gjeorgjia është një prej vendeve të pakta që u ka mbetur për të ikur.

Në kufirin mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, kolonat e makinave janë disa kilometra të gjata.

Ka raportime të pakonfirmuara se Rusia mund të mbyllë kufijtë për shumicën e burrave në Rusi.

Shumë rusë që kanë tentuar të kalojnë në Gjeorgji, kanë bërë shumë pyetje në rrjetet sociale, kanë kërkuar ndihmë dhe kanë ndarë përvojat e tyre.

“Kemi ardhur sot. Jemi tre persona në familjen tonë, përfshirë burrin tim (34-vjeçar). Ata nuk na kanë pyetur asgjë, as në anën tonë, as në anën e Gjeorgjisë”, ka thënë një ruse në kanalin e saj në Telegram.

“Pritja është shumë e gjatë. Kemi hyrë në kolonë pasdite, në orën 17:00, dhe kemi hyrë në Gjeorgji të nesërmen në orën 11:00. Merrni sa më shumë ushqime dhe ujë”.

Mirëpo, banorët e Gjeorgjisë duket se kanë pak simpati.

“Ju shqetësoheni vetëm që të mos vriteni në Ukrainë. Keni pasur shtatë muaj që të kundërshtoni luftën, mirëpo derisa nuk ju trokitën në derë, e mbështetët Putinin”, i është kundërpërgjigjur dikush asaj në Telegram.

Pak pas adresimit të Putinit më 21 shtator, mediat ruse kanë raportuar shpejt për rritje të madhe të kërkesës për fluturime me aeroplanë, pavarësisht se çmimet janë rritur brenda një kohe të shkurtër.

Rusët aterojnë në Beograd pas vendimit për mobilizim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Prej kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, më 24 shkurt, Perëndimi e ka ndëshkuar Rusinë me sanksione dhe izolim.

Bashkimi Evropian e ka mbyllur hapësirën ajrore me Rusinë dhe vetëm Finlanda mbetet e hapur për rusët që kanë viza turistike.

Së fundi, edhe Helsinki është duke shqyrtuar mundësinë e pezullimit të hyrjes.

Të gjitha fluturimet nga Moska për në Stamboll, Jerevan, Tashkent dhe Baku, të caktuara për 21 dhe 22 shtator, janë shitur menjëherë, ka raportuar gazeta ruse RBC.

Kufijtë e Rusisë në lindje, jug dhe perëndim, janë mbushur me makina dhe kamionë, në përpjekje e sipër për të ikur nga shteti.

Njoftimi për mobilizim të pjesshëm ka nxitur edhe një valë të protestave nëpër Rusi, nëpër të cilat janë arrestuar qindra njerëz.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se 300.000 rusë do të mobilizohen, mirëpo në disa raportime është thënë se Kremlini shpreson të dërgojë më shumë se një milion njerëz për të luftuar në Ukrainë.

Urdhri i Putinit për mobilizim pason dështimet e njëpasnjëshme të Rusisë në fushëbetejë.

Ukraina, në anën tjetër, ka nisur në muajin shtator një kundërofensivë, përmes së cilës ka çliruar disa qytete e fshatra.

Në pikën kufitare mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, Verkhny Lars-Zemo Larsi, shumë njerëz janë duke kaluar kufirin me makina e kamionë, por ka të tillë që po ecin edhe në këmbë.

Kalimi afër rojeve kufitare ruse nuk është proces i lehtë, sipas një rusi që ka arritur të kalojë kufirin.

“Sa i përket kufirit, varet prej personit që ju kontrollon pasaportën. Mua nuk më kanë pyetur asgjë. Mirëpo, në dritaren tjetër, një zyrtar bënte shumë pyetje dhe i ofendonte udhëtarët, duke i akuzuar për largim nga atdheu në kohë të rëndë. Disa njerëz nuk i kanë lënë që të kalojnë në Gjeorgji. Sipas vëzhgimit tim, çdo i 20-i person është kthyer mbrapsht”, ka thënë një rus i paidentifikuar në Telegram.

Të tjerë kanë thënë se burrave u janë bërë shumë pyetje për statusin e tyre ushtarak.

“Ne e kemi kaluar kufirin në orën 14:00. Pesë njerëz kanë qenë në makinë të moshave 55, 19, 23, 35 dhe 45 vjeçe. Shërbimi ushtarak vlente për secilin. Pyetjet ndaj një personi zgjasin për 20 minuta. Ata pyeten për emrin, mbiemrin, emrin e babait, vendin dhe datën e lindjes, nëse kanë kryer shërbimin ushtarak dhe dokumente që vërtetojnë shërbimin e tyre… po ashtu edhe nëse janë informuar për mobilizimin. Mund të ketë edhe pyetje tjera. Ne i kemi kaluar të gjitha dhe kemi dalë nga shteti”.

Sipas komenteve në Telegram, burrat rusë pyeten në kufi edhe për patriotizmin.

“Pse po ikni? A nuk jeni oficer rezervë? Shteti është në telashe. A do të ktheheni? Mirëpo, rojet kufitare nuk kanë krijuar probleme. Na kanë lënë të ikim”, ka shkruar një rus.

Ministri rus, Shoigu, ka thënë më 21 shtator se vetëm ata persona me përvojë relevante do të mobilizohen, dhe se aty nuk do të përfshihen studentët.

Megjithatë, mediat kanë raportuar shpejt se Kremlini është duke zgjeruar rrjetin dhe se minoritetet etnike besohet se janë në shënjestër për mobilizim.

Përdoruesit e Telegramit kanë ofruar po ashtu këshilla praktike për shmangie të pritjes së gjatë në kufi.

“Keni arritur në kufi me taksi dhe nuk e dini çfarë të bëni tani? Blini një biçikletë, apo pajisje të ngjashme nga ne dhe kalojeni kufirin në qetësi. Mund të më dërgoni mesazh privat për më shumë hollësi”, ka shkruar një tregtar rus.

Disa gjeorgjianë u kanë ofruar ndihmë rusëve, duke përfshirë udhëtimin me makinë dhe vende strehimi.

Para se Putini të bënte publik mobilizimin, Gjeorgjia veçse ka qenë vend strehimi për rusët që kanë ikur nga shteti, pas nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Kur Tbilisi dhe qytetet tjera të Gjeorgjisë kanë mbajtur protesta, në mbështetje të Ukrainës, dhe kanë dënuar luftën e Rusisë, Qeveria ka adoptuar qasje më të kujdesshme.

Pasi shumë shtete evropiane i kanë vënë sanksione Rusisë, kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, ka refuzuar që të vendosë ndalesa ndaj fqinjit të saj verior, vendim që ka zemëruar shumë gjeorgjianë.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, pozita e së cilës është shumë ceremoniale, ka ofruar mbështetje të madhe për Ukrainën, duke thënë se Gjeorgjia ka ndjesinë e solidaritetit prej kur është pushtuar nga Rusia më 2008.

Teksa në disa grupe në Telegram, disa banorë të Gjeorgjisë duket se janë të gatshëm t’iu ndihmojnë rusëve që të ikin nga shteti, të tjerë duket se kanë pak simpati për ta.

“Nuk keni nevojë të vini në Gjeorgji. Shkoni në Bjellorusi. Nuk keni nevojë të vini këtu, jo!", ka shkruar një person, duke iu referuar shtetit besnik ndaj Moskës.

Lideri i izoluar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, i ka ofruar mbështetje të madhe Putinit prej nisjes së luftës.

Në një tjetër koment në Telegram është thënë: “Rusët frikacakë janë duke ikur”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG