Ndërlidhjet

“Mjaft keni jetuar”: Përjetimi i grave ukrainase në burgun rus


Viktoria Andrusha dhe Lyudmyla Huseynova.
Viktoria Andrusha dhe Lyudmyla Huseynova.

Tri ditë pasi forca të shumta ruse u futën brenda kufirit të Ukrainës, duke lëvizur drejt kryeqytetit, Viktoria Andrusha, një mësuese 26-vjeçare e matematikës dhe shkencave kompjuterike, po ndihmonte në përkujdesjen e prindërve të vet në një fshat rreth 90 minuta në jug të Kievit.

Trupat ruse kryen bastisje shtëpi për shtëpi në fshatin e quajtur Stariy Bykiv. Në shtëpinë e prindërve të saj ata e gjetën Andrushën, si dhe telefonin e saj mobil, i cili përmbante fotografi dhe video të mjeteve ushtarake ruse.

“Ata thjesht thanë se ju keni një status të një ‘topçiu’ – një detektues topçiu”, tha ajo për Current Time, një term i njohur si një vëzhgues artilerie, dikush që ndihmon ta drejtosh artilerinë apo mortajën kah armiku.

“Ata i urrenin më së shumti në veçanti njerëzit me status të tillë”, theksoi ajo.

Ata e arrestuan atë. Gjatë gjashtë muajve në vazhdim, ajo përjetoi rrahje, goditje me shok elektrik, mbyllje të syve, dërrmim, uri, mërzim të pafundme, dhe një pasiguri të frikshme: ajo nuk e dinte nëse do të dilte e gjallë nga aty ndonjëherë.

Autoritetet ukrainase vlerësojnë se më shumë se 25.000 ukrainas po mbahen peng nga Rusia tani për tani – disa prej të cilëve, në Donbas dhe Krimea, janë duke u mbajtur qysh para pushtimit të plotë të shkurtit 2022. Nga ajo shifër, 126 janë gra, 80 prej të cilave civile, nga 30 qershori.

Andrusha është njëra nga to.

Lyudmyla Huseynova është një tjetër.

“Kjo ishte gjëja më e frikshme për mua”

Huseynova, 61 vjeçe, ish-inxhiniere e sigurisë në vendin e punës, tha se ishte arrestuar nga burra të panjohur më 9 tetor 2019, më shumë dy vjet para pushtimit të plotë, në Novoazocsk, një qytet bregdetar në Donetsk, në perëndim të kufirit rus.

“Më ndaluan në rrugë, pranë një veture. Ata kërcyen dhe më futën në atë makinë duke më shtyrë. Më çuan në shtëpinë time, e kontrolluan atë, gjetën libra ukrainas, një flamur ukrainas, pastaj ma futën një thes në kokë dhe më çuan më larg me veturë”, tha ajo në një intervistë më 4 korrik në Kiev.

Ajo tha se e kishin dërguar me veturë në qytetin e Donetskut, rreth dy orë e gjysmë me veturë drejt veriut, me thesin që ia mbanin ende në kokë dhe pa i dhënë asnjë shpjegim për atë se çfarë do të ndodhte. Përfundimisht, ajo u soll në një burg të njohur si Izolyatsia – ngujimi – në një ish-fabrikë e cila më vonë ishte shndërruar në qendër për art bashkëkohor.

“Kur më sollën aty, më detyruan të zhvishem. Kur bullizimi filloi dhe më hodhën në një qeli, ata më lejuan ta hiqja thesin, dhe një vajzë tjetër më tregoi se për çfarë vendi bëhej fjalë”, tha Huseynova.

“Nuk më lejohej të ulesha apo të shkoja në shtrat nga ora gjashtë e mëngjesit deri në orën 10 të natës”, tha ajo. “Llamba shumë të nxehta ishin të instaluara afër, jo shumë larg shtratit tim. T’i digjnin sytë”.

“Dhe në katër ditët e para, ajo çfarë dëgjova ishin britma të tmerrshme. Thjesht iu luta zotit se ato nuk ishin britmat e të afërmeve të mi. Kjo ishte gjëja më e frikshme për mua”, tha Huseynova.

Në anën tjetër, Andrusha tha se ishte dërguar në një qendër ndalimi përgjatë kufirit, në rajonin rus Kursk, ku i ishin lidhur sytë dhe duart.

“Ata na detyruan të gjunjëzoheshim dhe thanë: ‘Do t’ju qëllojmë me armë tani’”, tha ajo në një intervistë të xhiruar më 29 qershor.

Kur të burgosurit erdhën në qendrën e ndalimit, të gjithë kaluan nëpër procesin e “pranimit”, sipas saj.

Ajo tha se të burgosurit dërgoheshin në një korridor të brendshëm, ku nuk kishte kamera të vëzhgimit dhe rriheshin.

“Kaq e kishte puna juaj”

Ajo tha se ishte rrahur aq keq, dhe ishte goditur me një armë trullosëse, saqë e kishte humbur vetëdijen në një çast.

Rrëmbyesit e saj do të thoshin, kujton ajo: “Ju keni jetuar paksa tashmë. Epo, mjafton për ju, e keni provuar tashmë. Kaq e kishte puna juaj”.

“Erdhi një çast kur thashë se po alivanosja, po e humbisja vetëdijen. Ata nuk më besonin mua, më kërcënonin, ‘do t’ju djegim të gjalla tani’”, tha ajo.

Nga dita e parë e rrëmbimit të saj, Andrusha tha se nga ajo dhe të burgosurat e tjera pritej ta mësonin himnin kombëtar rus, dhe qortoheshin dhe ndëshkoheshin për çfarëdo gabimi apo shkeljeje.

“Zoti të ndihmoftë po the ndonjë fjalë gabim diku, apo po këndove butësisht apo kështu diçka”, tha ajo.

“Unë bezdisesha në veçanti nga kënga e tyre ‘Xhaxha Vova’. Kjo këngë thjesht e lartësonte Putinin”, tha ajo. “Kishte momente kur ata më detyronin të mësoja poezi. Dhe njëra nga ato poezi quhej ‘na falni, të dashur rusë”.

Andrusha tha se qante shpesh.

“Edhe nëse qaja, e bëja në një mënyrë që [rojat] mos ta vërenin”, tha ajo. “Pastaj erdhi një çast kur ata thjesht na çuan neve në korridor dhe e lëshuan një video për Mariupolin, ku shfaqnin qytetin e bombarduar dhe fëmijët duke jetuar në një bodrum. Të gjitha emocionet shpërthyen në atë moment”.

“Ende nuk ndiej se dua të ha”

Uria dhe etja ishin gjë e zakontë në qendrat e ndalimit.

“Kishte ditë kur ata na jepnin vetëm copa të vogla të bukës, shumë të vogla, për tërë ditën. Dhe ti duhesh që disi ta bësh këtë copë buke të zgjasë për ty. Dhe unë e asgjë tjetër”, tha Huseynova.

Në raste të tjera, tha ajo, të burgosurave u jepej qull që ishte i fortë si guri.

“Në të ata përzinin jashtëqitje miu dhe ishte e pamundur të hahej. Ende nuk mund ta shijoj ushqimin. Nuk dua të ha asgjë”, tha ajo.

Andrusha, e cila u lirua nga Rusia më 22 shtator 2022, vazhdon të punojë si mësimdhënëse.

Huseynova, e cila jeton në Kiev dhe është vullnetar për një organizatë joqeveritare që lufton për gratë e burgosura, u lirua më 17 tetor 2022.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG