Çfarë ka thënë presidentja Osmani?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të premten se nëse nuk ka një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re të Kosovës në seancën e së dielës, atëherë ajo do t’i ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund t'i sigurojë 61 votat e nevojshme.
“Nëse s’ka marrëveshje, atëherë si presidente do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën”, ka thënë Osmani në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe.
“Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëse nuk krijohet shumica. Në fakt, mbetet e vetmja alternativë sipas Kushtetutës”.
Hasani: Mbajtja e seancës për Qeverinë është jokushtetuese
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, aktualisht profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, konsideron se seanca e Kuvendit të Kosovës që mbahet sot është jokushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të realizuar të premten Hasani ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ngutur që të dekretojë kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e ekzekutivit.
Konstituimi i Kuvendit është kontestuar nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasi nënkryetar i Kuvendit nga radhët e deputetëve serbë u zgjodh Nenad Rashiq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Sipas kësaj partie, me zgjedhjen e Rashiqit janë kryer shkelje kushtetuese.
Deklaratat e Kurtit ditëve të fundit
Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Duke folur në një takim me diasporën në Londër Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti më 21 tetor.
E diela e 26 tetorit është afati i fundit për të që të propozojë përbërjen e re qeveritare para Kuvendit.
Çka nëse Kurti nuk i siguron votat e nevojshme?
Për ta zgjedhur Qeverinë e re, një mandatari i duhen të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe - në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.