Abdixhiku: Punët e mira nuk lihen në ditën e fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka thënë në hyrje të Kuvendit se sot “bie perdja e mashtrimit” meqë sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për të formuar Qeveri të re.
“Punët e mira nuk lihen në ditën e fundit. Ja tani ku është mundësia për të parë të vërtetën. Bllokuesit e vërtetë janë ata që nuk kanë arritur ta bëjnë një shumicë të thjeshtë”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Deputetë nga LDK-ja: Nuk ka asnjë ndryshim, s’kemi votë për Kurtin
Dy deputetë të zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Tahiri dhe Alban Zogaj, thanë se nuk presin të formohet Qeveria e re në seancën e sotshme.
“LDK-ja ka pasur qëndrim konsistent që nga fillimi. Ne kemi një mbledhje të grupit paralementar, por s'ka asgjë të re. Kryeministri ka thënë që provomëni, ta provojmë sot në Kuvend”, tha Tahiri, para se të hynte në Kuvndin e Kosovvës.
Të njëjtin qëndrim e shprehu edhe kolegu i tij nga LDK-ja, Alban Zogaj.
“Nuk kemi votë për qeverisjen Kurti, as si partner. Nuk ka marrëveshje politike. Po shkojmë të votojmë, por kemi votë kundër”, tha Zogaj, duke shtuar se nuk besojmë që do të ketë votë pro nga asnjë deputet i LDK-së.
PDK s'ka votë për Vetëvendosjen
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë të dielën se partia e tij e ka bërë të qartë se në asnjë rrethanë nuk do të jetë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë votë për të.
I pyetur nëse PDK-ja do ta marrë mandatin për të formuar Qeverinë, në rast se Kurti dështon, ai ka thënë se për atë gjë do të ketë qëndrim zyrtar të partisë.
Duke hyrë në Kuvend, Tahiri nuk është deklaruar nëse partia të cilës i takon është më pro marrjes së mandatit për të formuar Qeverinë, apo për zgjedhje të reja.
Edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar disa herë se nuk dëshiron koalicion me PDK-në.
Bekë Berisha pret të ketë zgjedhje të parakohshme
Deputeti i zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se ai pret që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi që nuk beson se mandatari për postin e kryeministrit, Albin Kurti, ka siguruar 61 votat e nevojshme.
“Ne s’kemi marrëveshje për këtë Qeveri, unë s’kam votë për këtë Qeveri”, tha Berisha për gazetarët, në hyrjen para Kuvendit të Kosovës.
Tashmë në Kuvendin e Kosovës kanë mbërritur edhe shumë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët megjithatë s’janë prononcuar.