Ndërlidhjet

Albin Kurti.
Albin Kurti.

Kurti nuk i siguron votat për Qeveri të re

• Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.

• Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.

• Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s'kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.

• Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.

10:03 26.10.2025

Vonesë në nisje të seancës

Ndonëse seanca është thirrur në orën 10:00 tashmë është bërë praktikë që ato të nisin me vonesë.

Njohës të çështjeve politike e kanë kritikuar disa herë këtë qasje të deputetëve, duke e konsideruar mosrespekt ndaj institucioneve shtetërore dhe publikut.

09:49 26.10.2025

Haradinaj: Mund të ketë votim të fshehtë për një Qeveri të pazareve

Deputeti i zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se edhe pse nuk beson se “do të ketë zgjidhje” për të formuar një Qeveri të re sot, kjo gjë mbetet të shihet sot gjatë seancës.

Por, ai shtoi se edhe nëse do të arrihen numrat për të formuar Qeverinë e re, “ kjo do të jetë një Weveri e pazareve e jo e programeve”.

“Nëse kanë arritur gjatë natës me pazare individuale, atëherë mbetet të shihet. Sa kam informata, do të tentohet me votim të fshehtë”, tha Haradinaj.

Ai aludoi në deklarimet që kanë bërë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje më parë se do të tentojnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme përmes marrëveshjeve individuale me deputetë.

09:45 26.10.2025

Deputetë të Listës Serbe nuk deklarohen për media

Deputetët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, janë parë hyrë në Kuvendin e Kosovës për të marrë pjesë në seancën e thirrur në orën 10:00, por nuk janë deklaruar për media.

Ata kanë dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese meqë vlerësojnë se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar serb, nuk është në linjë me Kushtetutën dhe rregulloret e Kuvendit.

Rashiq i takon Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

09:32 26.10.2025

Murati: Sot ose do të kemi “Kurti 3” ose do të shkojmë në zgjedhje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka lënë të kuptohet se partia e tij nuk ka arritur t'i sigurojë votat e mjaftueshme deri më tash për të formuar Qeverinë e re.

Përmes një statusi të postuar në Facebook, ai shprehu shpresën se deputetët e opozitës do të votojnë pro.

“A janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin? Uroj që sot të triumfojë arsyeja dhe vullneti politik tek secili deputet për të zgjedhur interesin shtetëror para së gjithash”, shkroi Murati.

Ai tha se sot janë dy opsione: formimi i Qeverisë së re ose do të shkohet në zgjedhje.

Sipas tij, për LVV-në, opsioni i preferuar është formimi i Qeverisë së re.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG