Ndërlidhjet

Personat me aftësi të kufizuara s’i ndihmon as ligji për t’u punësuar 


Ermal Tahiri gjatë një ngjarjeje të organizuar për personat me aftësi të kufizuar.
Ermal Tahiri gjatë një ngjarjeje të organizuar për personat me aftësi të kufizuar.

Ermal Tahiri është një 28-vjeçar me aftësi të kufizuara.

Në vitin 2019 ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin Publik të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Ai kishte shpresuar shumë se do të gjente një vend pune pas diplomimit, mirëpo nuk e kishte këtë fat.

Edhe sot vazhdon të aplikojë në konkurse të ndryshme, por edhe në rastet kur merr përgjigje, ato janë negative.

Ermal Tahiri ka diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Gjakovës.
Ermal Tahiri ka diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Gjakovës.

“Punëdhënësit apo shoqëria në përgjithësi hezitojnë disi, kanë mëdyshje në aftësitë tona. Mendojnë po ashtu se ne kemi pranuar, disi trajtim të veçantë gjatë studimeve, dhe ndoshta nuk jemi kompetentë apo të aftë për një pozicion specifik kudo që të jetë”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Tahiri thotë se përkundër nismave ligjore dhe fushatave të ndryshme të institucioneve shtetërore, personat me aftësi të kufizuara janë të privuar padrejtësisht nga tregu i punës.

“Ne mundohemi të kyçemi në vende të ndryshme të punës, por pa sukses. Kam provuar disa herë. Kam aplikuar online. Shpeshherë edhe nuk më kanë kthyer përgjigje. Kam aplikuar edhe për recepsionist, por nuk jam pranuar. Më të vërtetë, të jesh një i ri me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk është aspak e lehtë”, thotë Tahiri.

E drejta për t’u punësuar personave me aftësi të kufizuara në Kosovë iu garantohet me ligj. Megjithatë, numri i atyre që punojnë mbetet shumë i ulët.

Ligji i pazbatuar

Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që obligon çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar.

Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara ka për qëllim të avancojë pozitën socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas këtij ligji, punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 për qind të shumës së pagës minimale.

Përkundër kësaj ky ligj nuk gjen zbatim në praktikë.

Të pakta janë institucionet, si publike e po ashtu edhe private, që punësojnë një person me aftësi të kufizuara në 50 punëtorë.

Afrim Maliqi, drejtues i organizatës “Hadikos-Kosova” thotë se së fundmi është nxjerrë një udhëzim administrativ që ka për qëllim të bëjë vlerësimin e aftësisë për punë dhe profilizimin e personave me aftësi të kufizuara. Por, ky proces sipas tij nuk ka filluar ende.

“Mungon edhe një dokument pagese, ndëshkimi në këtë rast i cili nënkupton që çdo institucion apo kompani të cilët nuk e punësojnë çdo të 51-in të punësuar një person me aftësi të kufizuara, atëherë ai gjobitet çdo muaj”, thotë Maliqi.

“Krejt është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve që ta nxjerrë këtë dokument dhe udhëzim administrativ ta bëjë të zbatueshëm dhe njëkohësisht ta funksionalizojë Inspektoratin e Punës që të fillojnë t’i kontrollojnë apo të mbikëqyrin institucionet dhe kompanitë”, shton Maliqi.

Maliqi thotë se sikur të zbatohej ligji dhe dispozitat e tjera ligjore do të diheshin profilet e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe që të dihej se për cilën punë ai është i zoti që ta kryejë.

E kjo sipas tij do të ndikonte në rritjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.

Radio Evropa e Lirë ka provuar që të kontaktojë me zyrtarët e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për të pyetur se ku ka ngecur ky proces, mirëpo marrja e një përgjigjeje nuk ka qenë e mundur.

Po ashtu është kontaktuar Inspektorati i Punës për të kuptuar nëse kanë filluar që të monitorojnë zbatimin e Ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, por as nga ky institucion nuk janë përgjigjur.

Fati i Dritës

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në botë.

Sa i takon Kosovës, kjo organizatë thotë se janë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Pjesa më e madhe e tyre janë të papunë dhe gëzojnë pak përkrahje shoqërore dhe institucionale.

Pak më shumë fat ka pasur 29-vjeçarja Drita Markaj e cila është punësuar në pozitën e edukatores në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në fshatin Bishtazhin të Gjakovës.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur shumë fat në punësim dhe se nuk ka përjetuar ndonjë lloj diskriminimi.

“Unë kur kam aplikuar ka qenë konkurs i rregullt dhe kam konkurruar pa problem dhe jam pranuar pa problem, dhe nuk kam pasur ndonjë vështirësi apo ndonjë diskriminim diçka”, thotë Markaj.

Megjithatë Markaj thotë se është e vetëdijshme se shumë persona të tjerë me aftësi të kufizuar nuk e kanë fatin e saj.

Ajo thotë se ka shumë të rinj me aftësi të kufizuara që kanë përfunduar studimet dhe janë të gatshëm për t’u futur në tregun e punës.

Megjithatë, sipas saj, institucionet dhe kompanitë nuk respektojnë ligjin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe se mungon monitorimi i zbatimit të ligjeve.

“Nuk është numri i të punësuarve më aftësi të kufizuara ashtu siç e parasheh ligji. Edhe pse është ligji që thotë se në çdo institucion me mbi 50 punëtorë, një duhet të jetë me aftësi të kufizuara ose përndryshe ai biznes do të dënohet, askush nuk e dënon askënd”, thotë Markaj.

Edhe pse shumica e personave me aftësi të kufizuar janë të papunë, numri i atyre që regjistrohen në zyrat e punësimit nëpër komunat e Kosovës mbetet i vogël.

Pak persona me aftësi të kufizuar regjistrohen në zyrat për punësim

Në Agjencinë e Punësimit në Kosovë thonë se të gjithë qytetarëve, duke përfshirë ata me aftësi të kufizuara e që janë të regjistruar në zyrat për punësim, iu ofrohen trajnime profesionale për t’i bërë të gatshëm për pozita të ndryshme në vendet e ardhshme të punës.

Sipas Fisnik Laknës nga kjo agjenci, vetëm këtë vit kanë qenë më shumë se 15 qytetarë me aftësi të kufizuar që kanë ndjekur kurse për aftësim profesional.

“Në kuadër të qendrave të aftësimit profesional ne i angazhojmë dhe ka prej tyre që përfitojnë edhe persona me aftësi të kufizuar. Varet prej aftësisë së tyre të mbetur për punë që ata e kanë. Ka teknologji informative, administrim biznesi, që më shumë janë të përfshirë personat me aftësi të kufizuar”, thotë Lakna.

Lakna thotë se vitin e kaluar dhe këtë vit ka pasur numër më të vogël të personave me aftësi të kufizuar që kanë marrë pjesë në aftësim profesional.

Përveç problemeve në punësim dhe tendencave për diskriminim në vendet e punës, për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë mungon edhe infrastruktura për qasje në objekte shtetërore e publike.

Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë thënë se në shumicën prej hapësirave publike duke përfshirë institucionet qendrore e lokale, e kanë të pamundur qasjen në objekte.

Kritika vazhdimisht Kosova ka marrë edhe për ofrimin e dobët të shërbimeve për këtë kategori të qytetarëve si dhe për ofrimin e qasjes në arsim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG